Gjermania mbështet inovacionin dhe zhvillimin e ITP-së në Prizren

Parku i Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren po shndërrohet në një qendër rajonale të inovacionit falë bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Ky kompleks, i zhvilluar në ish-kampin e KFOR-it, punëson rreth 430 persona dhe strehon 60 ndërmarrje aktive, si dhe mbi 2.000 studentë të regjistruar në universitetin brenda parkut.
Sekretari Shtetëror Parlamentar në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, Johann Saathoff, tha se bashkëpunimi i dy vendeve ka treguar se çfarë është e mundur përmes politikave të zhvillimit, dhe se synimi është ta zhvillojnë më tej ITP-në si një qendër dinamike rajonale të inovacionit.
“Këto iniciativa janë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve lokale dhe përgatitjen e rinisë për tregun e punës. ITP Prizren është një shembull i qartë i bashkëpunimit konkret mes Kosovës dhe Gjermanisë,” tha Saathoff.
Ai shtoi se mbështetja për inovacionin dhe trajnimin profesional do të ndihmojë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe krijimin e mundësive për të rinjtë në rajon.











































