Ganimete Mulliqi nga Fshati Sllakovc i Komunës së Vushtrrisë, ka treguar se ka të mbjellë një sipërfaqe mjaft të madhe me drithëra, kryesisht me grurë dhe misër. Kjo fermere thotë se pas trajnimeve që po ndjekë mendon që përpunimi i drithërave në brumëra, përkatësisht gatime tradicionale, të dalë i suksesshëm. “Po unë merrem tash e disa vite me kultivimin drithërave. Ne kryesisht në familje kemi bërë kultivimin e grurit në sipërfaqe më të mëdha, por edhe të misrit të cilin e kemi kultivuar, por në sipërfaqe më të vogla”, tha Mulliqi për portalin “Ferma Ime”.

Por ajo përveç, që është amvise dhe fermere, aktualisht është duke ndjekur një trajnim për të përsosur mënyrën e gatimit të ushqimeve tradicionale shqiptare. “Tash jam duke e ndjekur një trajnim për gatime tradicionale, falë mbështetjes së IADK-së e cila po përkrah rritjen e njohurive për gatimet tradicionale. Pas mbarimit të këtij trajnimi, i cili përfundon javën e ardhshme, mendojmë të fillojmë diçka me gatime të brumërave dhe ushqimeve të ndryshme”, tha Ganimete Mulliqi.


Ndërkaq, Lirije Haziri është drejtuese e shoqatës "Vullneti i Grave" në Vushtrri dhe merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve, duke bërë reçele të ndryshme.

Ajo tregon se nga përpunimi i pemëve dhe perimeve bënë ajvar, turshi, sallata, si dhe produkte të tjera. “Me përpunimin e pemëve dhe perimeve merrem tash e 3 vite, jam e kënaqur me punën që bëjë, por edhe me shitjen e tyre, do të vazhdojë edhe në të ardhmen me ketë veprimtari pasi që ka leverdi”, tha Haziri.

Pavarësisht se ajo nuk i kultivon pemë apo perime, tërë lëndën e parë e blenë, pasi sipas saj kjo veprimtari është mjaft e leverdishme. “Unë krejt lëndën e parë e blejë në Vushtrri, Mitrovicë, Skenderaj dhe Prishtinë. Edhe pse e blejmë lëndën e parë, kam leverdi të merrem me ketë veprimtari, pasi që sigurojmë edhe të ardhura për familjen”, tha përpunuesja Lirije Haziri nga Vushtrria.

Ajo tregon se është e kënaqur edhe me shitjen e produkteve të cilat i prodhon. “Po shitja është e mirë të gjitha që i prodhojmë shiten dhe gjitha prodhimet që i bëjmë shiten, duke përfshirë këtu edhe gjemrat, ajvarin, turrshit”, tha Haziri.

Ndryshe, zyrtarë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), kanë treguar se në dy vitet e fundit, 435 gra fermere kanë përfituar subvencione dhe grante investive në vlerë prej rreth 3 milionë euro. /FermaIme/Telegrafi/