LAJMI I FUNDIT:

Funksioni i gjuhës së Nolit e Konicës

Funksioni i gjuhës së Nolit e Konicës

Nga: Martin Camaj

Ndigjues të ndershëm, gëzohem që po më jepet rasti të çfaqë disa mendime mbi këtë temë në lidhje me nji problematikë jashtëzakonisht të rëndësishme me të cilën qenë ballafaque në nji mënyrë të veçantë dy drejtues shpirtnor të Vatrës-dy shkrimtarë ndër më të mëdhaj të letërsisë shqipe-Noli e Konica. Nuk është e rëndomtë që as në studime letrare apo gjuhësore-stilistike të sotme, të vihen njeni afër tjetrit Noli e Konica, dhe jo nga shkaqe që kemi të bëjmë me dy temperamnete të ndryshme, me dy shkrimtarë, me dy metoda pune të ndryshme apo me qëllime letrare të papërkueshme-gja që për shumë arsye nuk i përgjigjet së vërtetës (këtu mund të kuptojmë dhe arsyet me karakter pragmatik)- por na paraqiten të ndamë këta dy emna ma tepër për motive paragjykimesh doktrinare të preme. Në kohën tonë, kudo në botë bihen shpesh herë gjykime mbi këtë apo atë artist simbas qefit apo interesit, pa kritere të caktueme, mbas të cilave mshefen dhe qëllime jetëshkurtra të nji momenti, të nji grupi apo sistemi. Për shembull ngatërrohen apo vehen në nji plan prodhimtaria letrare dhe qëndrimet kauzave të shkrimtarit, me fjalë të tjera ngatërrohet vetja apo biografia, me artin e vetjes dhe nuk vehet aspak në dukje funksioni i prodhimtarisë, ase shërbimi i veprës së tij për zhvillimin e gjithmbarshëm të letërsisë së nji kombi, funksione e shërbime këto shpesh herë të paparaparë prej vetë shkrimtarit.

Në këtë kumtesë pak faqesh, dëshroj pikërisht të ve në dukje në vija të përgjithshme, nji shërbim që i bënë kulturës shqiptare këta dy mendimtarë. Noli, i cili jetoi ma gjatë, përjetoi deri dikund dhe fazat e ndikimit të veprës së vet, pa marrë parasysh pesimizmin apo skepticizmin e tij para fakteve, së paku për ne si studiues janë deri diku irrelevante. Përkundra Konica nuk pati fat si shkrimtar dhe s’dihet a qe vetëdijës i vlerës së së shkrimeve të veta. Dhe për së vdekuni, si për çudi ende nuk ka ardhë rrethana t’i njifet ky funksion. Brezinitë e reja nuk e njohin dhe nuk kanë si ta njohin mbasi nuk mund ta studjojnë dot drejtpërdrejt. Por të dy këta shkrimtarë, qysh nga fillimi i veprimtarisë së tyne si shkrimtarë, patën nji problem të përbashkët për të zgjidhë: me ç’gjuhë të shkruese shqipe do t’i silleshin botës shqiptare për të mundë të sqarojnë mendimet e tyne?


Shkrimtarët e Veriut, me qëndër Shkodrën, si ndjekës të një tradite të gjatë dhe të pandërpreme, nuk patën këtë kujdes sepse pretendofshin që edhe lexuesi duhej ta njifte këtë traditë: prandj pika nga niseshin Noli e Konica për sa i përket gjuhës ishte tjetër, tue qenë se gjindeshin në rrethana krejt të ndryshme nga bashkatdhetarët e Veriut. Të dy ishin koshientë se veproshin në një kohë kur ende nuk kishte një drejtshkrim të qindrueshëm të gjuhës shqipe, kur gega dhe toska, secili tue folë djalektin e vet, gjeshin vështirësi jo të vogël të kuptoheshin në punën e përbashkët, në rrugë dhe në kafe. Besoj se problemi gjuhësor si për Nolin ashtu dhe Konicën, sidomos këtu në Amerikë ishte i vështirësuem sepse ata do të shkrueshin për të qenë të kuptueshënm nga bashkësi shqiptare, ardhë nga krahina të ndryshme të Shqipnisë. Dhe asht për t’u habitë se si Noli e Konica, pa qenë gjuhtarë, d.m.th. gjurmues të gjuhës me metoda profesionale, shumë çështje i panë fare qartë. Si parim kryesor ata patën të shprehunit e thjeshtë, tue pasë gjithnjë parasysh se për kë shkrueshin.

Konica reklamon mbi syprinën e librit Në hien e hurmave: ”Nji libër për të shkuar kohën e për të nxënë shkrimin e gjuhës. Nji libër për gra e për burra, për të vegjël dhe për të mbëdhenj”. Qëllimi asht i qartë: ai u sillet të gjithëve sepse asht i bindun se gjuha e përdorun në këtë libët asht e kuptueshme për të gjithë. Nji vërejtje e meriton përcaktimi: ”shkrimi i gjuhës”, që ka një ndryshim të madh me “gjuhën e shkrimit” që sot e ndigjojmë pajanda. Konica niset nga pikëpamja formale e jashtme d.m.th. paraqitja e gjuhës me shkrim. Mbasi shqiptari gjuhën e jashtme e dinka, sepse ai e mësoi nga goja e s’amës: atëherë çështja ishte që ai dinte ta përshkruante bisnikërisht e ta kuptonte. Asgjamangut atë çka porosiste Konica nuk asht as sot nji gja e thjeshtë: me probleme të ngjashme merret sot dhe linvistika moderne.

Problemi i parë, çashtja e shkrimit të shqipes, i’a ka vra gjithnji mendjen Konicës, sikurse dishmojnë edhe artikujt e tij në të përkohshmen “Albania”, tue ba që të interesoheshin edhe albanologët e huj ma të mëdhaj të kohës. Por Konica e di se detyra e shkrimtarëve asht dhe zhvillimi e përpunimi i gjuhës shqipe. Ky kujdes shprehet qartë edhe në parathanjen e “Në hien e hurmave”: ”Gjuha shqipe aq e vjetër sa greqishtja dhe latinishtja poe mbetur shumë pas nga shoqet, ka nevojë të zhvillohet e të ecë përpara që të fitojë kohën e humbur. Ne kemi nevojë për dy soj veprash: gjëra origjinale, e të çpikura prej shkrimtarësh të vërtetë edhe përkthime”. Në një pikë duket se kanë qenë plotësisht dakort Noli dhe Konica në përpunimin e gjuhës së shkruese: për formimin e gjuhës letrare apo të të shkruese, losin një rol të madh përkthimet.

Për sa di, Noli nuk ka formulue pikëpamjet e veta në nji studim të veçantë: ai këtë çështje e konsideronte si çështje personale për të cilën s’ishte nevoja të ishte i informuem alemi, apo polemi. Me këtë rast nuk do të thotë se ata nuk kishin parime të caktueme të cilëve përvoja vetë ua kishte sugjerue. Noli sidomos përvojën e vet e bani në përkthime dhe pikërisht në atë eksperiencë stilistike-gjuhësore në shqipnimin e shkrimit shejt e veprave tjera liturgjike, ku janë të përmbajtun regjistrat e ndryshëm gjuhësor nga të gjithë veprimtaritë e jetës landore e shpirtnore. Besoj se nuk gabohem nëqëse baj këtë paralajmërim; studimet e hollësishme që nji ditë sigurisht do të ndërmerren mbi gjuhën e Nolit, do të zbulojnë vartësinë e tij nga përkthimet e Kristoforidhit, e se mësuesi i vërtetë i tij qe elbasanasi i madh, afruesi i vërtetë i dy kryedialekteve të shqipes.

Noli ashtu si shumë e shumë artistë të tjerë të fjalës shqipe, nuk arritën kurrë atë njohësi të thellë të shqipes që pati Kristoforidhi, por ai e thjeshtoi këtë gjuhë, tu e qirue nga synonime fjalësh e formash idomatike, kështui që veprat origjinale dhe përkthimet e Nolit publiku i gjanë i kuptoi ma lehtë. Si artist mandej Kristoforidhi nuk ishte, Noli i dha gjallni e vlerë artistike gjuhës së përdorun si mjet shprehës. Mue më duket se asht i pari shkrimtar shqiptar që u largue nga shprehjet idiomatike, prandej edhe nga rendi i fjalëve dhe konstruktet arkaike e nëndialektore të shqipes, rrugë që ndoqën me të madhe ma von gazetarët dhe shkruesit e prozës eklspozitive. Prandej asht dhe fare i kuptueshëm ndikimi që ushtroi në Shqipëri, fill mbas lufte e ma vonë gjuha Nolit përkthyes dhe prozator.

Mbas luftës në vëndin tonë Konica u përjashtua zyrtarisht nga letërsia dhe rrjedhimisht dhe shkrimet e tij si modele gjuhësore stilistike. Nuk mund të pohojmë ase mohojmë se në mnëyrë indirekte, Konica ndikoi ase nuk ndikoi në zhvillimin gjuhësor të mbasluftës në Shqipni: edhe në këtë pikë, përgjegjen do të na e japin studimet e ardhshme. Mjerisht shkrimet e Konicës, sikurse asht vu shpesh në dukje nga studjues të ndryshëm të letërsisë sonë, janë të shpërndame në katër krah ndër revista dhe gazeta, sot fare të rralla. I pamundur asht prandej dhe kategorizimi i këtyne shkrimeve dhe filli i zhvillimit të Konicës si shkrimtar. Nji ribotim i Konicës me nji syzim (shënim) kritik do të ishte ma se i nevojshëm. Por dihet nga përvoja se gjallimi i një shkrimtari nuk varet as nga botimi ma luksoze, as prej fjalëve më të zgjedhuna të kritikës letrare, por nga interesimi i bashkëkohësve dhe breznive nga leximi e shijimi i saj prej nji publiku.

Mbas hamendje dhe mosinteresimi i lexuesëve shqiptarë, ja paralizoi pendën këtij stilisti të shkëlqyer shqiptar. Noli dhe Fishta tu qenë se ishin pjestarë organizimesh fetare komplekse, e patën ma të lehtë të ndigjohshin e të lexoheshin nga një publik i gjanë. Në këtë rethanë inkurajuese, ata dhanë një varg veprash të cilat edhe u ribotuen. Konica provoi apo ndieu ma tepër se asnjë shkrimtar tjetër i ynë pakujdesinë e lexuesit dhe si e dini kjo sjellje e bashkëvëndasve e pezmatoi për së tepërmi sa të reagonte me shkrim ma randë se një njeri i idhnuem dhe i fyem me gojë. Por nuk duhet harru se ai e kuptoi gjendjen e lexuesit shqiptar dhe në një vënd tjetër porosit librin shqip, si shplodhje pas punës së vështirë të ditës: “Edhe ne, të lodhur nga mundimet e jetës, le të qëndrojmë si udhëtari i Saharës në një oasis, dhe le të këndojmë nga prrallat që këndojnë në hien e hurmave”.

Konica edhe Noli si shkrimtarë luajten rolin e pionerëve. Gjindeshin para problemesh e vështirësish, si na sot kishim me i gjykue elementare, si për shembull para çështjeve të shkrimit të shqipes dhe formulimit të një gjuhe të kuptueshme nga të gjithë, tue ja arritë kështu së paku në vija të përgjithshme normalizmit të kryedialektit të tosknishtes. Prej kohës në të cilën Noli dhe Konica vepruan deri në ditët tona, gjuha dhe kultura jonë në përgjithësi ka ba hapa të mëdhaja në zhvillimin e saj. Konica nuk ishte poet në kuptimin klasik të fjalës, por vetëm prozator dhe si i tillë përdorues i shumë regjistrave gjuhësorë. Kompetenca e Konicës nuk i piku nga qielli, ajo asht rezultat i disa cilësive vetjake të tija. Tue u mbështetë në shkrimet e tija, zbulojmë formimin e njeriut në disa gjuhë evropiane të përparueme, të cilat ai i njihte mirë.

Nga kjo rrjedh rendi logjikshëm i mendimeve, prandaj sintaksi i gjuhës shqipe në veprat e Konicës asht i rrafshët, me nji rend fjalësh e fjalish arkitektonikisht të përsosuna. Asht interesant fakti se ky si njeri i hovshëm që ishte, këtë drejtpeshim e humb dhe në pikëpamje gjuhësore, ndër disa shkrime polemike. Në këtë mes na del në shesh edhe natyra e tij që ndikon edhe në karakterin e gjuhës: shkrimtarët e tjerë shqiptarë të kohës së tij, emocioni, dispjeku, i çoi drejt shprehjes në vargje poetike me përmbajtje mallëngjimi, mallkimi deri në elegji. Përkundra, Konica në këso rastesh, duket se harron se asht tue shkrue e vehet e gërthet me inventarin gjuhësor të njeriut të rrugës. Prap nga kjo rrjedh se Konica shqipen e ka mësue nga goja e popullit, tue nisë nga jugu deri në veri të Shqipnisë. Komponent me randësi në shkrimet e Konicës asht stili: ai mbas mendimit tim nuk ka lanë faqe në prozë ma të kthiellta dhe ma të ëmbla të tosknishtes deri sot të pa arritura. Këtë shije dhe gjallëri tërheqëse, ja jep pikërisht ai kolorit i ambël, pothuejse lirik i gjuhës së vendlindjes që përvetësohet në fëmini bashkë me përshtypjet e para që mbeten për tanë jetën. Këtë kthellësi lirike gjuhësore, ndeshim dhe në disa kangë popullore lirike të jugut të Shqipërisë dhe në disa pjesë poetike të Lasgush Poradecit.

Si Noli dhe Konica e kaluen pjesën ma të mirë të jetës jashtë Shqipnis. Shkrimet e tyne ishin të drejtuese bashkëatdhetarët në diasporë, kryesisht shqiptarëve të Amerikës. Ata tue shkrue patën para sysh gjithnji që të ishin të kuptuam nga të gjithë shqiptarët. Këtij qëllimi i’a arritën me një përqindje të naltë. Rruga që ata ndoqën qe kjo: ata zgjodhën forma të rrafshta stilistike, u larguen me qëllim nga variantet e shumta të leksikut nëndialektor të formave morfologjike të rralla. Pa ditë ndoshta u mbajtën disa principeve, ndjekja e të cilave çon drejt një unisimi gjuhësor. Ky kontribut asht i përbashkët ke Noli dhe ke Konica.