Pas më shumë se 40 vitesh në burg, Georges Abdallah, ish-mësuesi dhe militant i majtë nga Libani, u lirua këtë të premte nga burgu francez i Lannemazan.

Ai, 74 vjeç, ishte dënuar në vitin 1987 për përfshirje në vrasjen e një diplomati amerikan dhe një zyrtari izraelit në Paris. Menjëherë pas lirimit, ai u riatdhesua në Liban, ku pritet të mbërrijë së shpejti në Bejrut.


Abdallah është një figurë e njohur dhe e kontestuar, e konsideruar prej kohësh si simbol i rezistencës së majtë pro-palestineze, shkruan france24.

Ai ishte pjesë e Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, një grup marksist-leninist që mori përgjegjësinë për disa sulme kundër interesave amerikane dhe izraelite në Evropë gjatë viteve 1980. Gjatë gjyqit, Abdallah mohoi përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në vrasje, por mbrojti legjitimitetin politik të veprimeve të grupit të tij.

Edhe pse i ishte dhënë e drejta për lirimin me kusht që nga viti 1999, autoritetet franceze e kishin refuzuar atë vazhdimisht. Avokati i tij, Jean-Louis Chalanset, tha se “presioni politik nga SHBA dhe Izraeli” ishte arsyeja kryesore që ai u mbajt në burg përtej dënimit të parashikuar.

“Liria e tij është një fitore për drejtësinë, por gjithashtu një skandal politik që nuk u lirua më herët,” u shpreh Chalanset.

Gjatë viteve, Abdallah u mbështet nga figura të njohura, përfshirë shkrimtaren dhe fituesen e Çmimit Nobel për Letërsi 2022, Annie Ernaux, e cila e përshkroi atë si “një viktimë të drejtësisë shtetërore, për të cilën Franca duhet të turpërohet.”

Në një intervistë të fundit për agjencinë AFP nga burgu, Abdallah deklaroi se qëndroi i fortë duke u fokusuar në “luftën për Palestinën”.

Vendimi për lirimin e tij u mor nga Gjykata e Apelit, e cila e konsideroi vazhdimin e paraburgimit të tij si “joproporcional”. /Telegrafi/