LAJMI I FUNDIT:

Fotografia ikonike

Fotografia ikonike

Pasi pamja e protestueses sudaneze u përhap në mënyrë virale, kritikja Sophia Smith Galer analizon detajet e kohëve të ndryshme që kanë ndikim tek masat. Shkrimin e saj Telegrafi ua sjell më poshtë.

Çfarë mendoni kur e dëgjoni fjalën “ikonë”? Liz Hurleyn në fustanin Versace? David Bowien? Apo ndoshta imazhet e shekullit XII të devotshmërisë ndaj Krishtit të kryqëzuar?

E vërteta është se të tre këta shembuj – një fotografi e njohur, një artist i muzikës me famë botërore dhe një pjesë e artit fetar – janë ikona. Por, e fundit është origjinalja. Me burim nga fjala greke eikōn, që do të thotë “imazh” ose “ngjashmëri”, këto imazhe në formë portreti të figurave të rëndësishme, si Krishti ose Virgjëresha Mari, u shfaqën në shekujt e parë të krishterimit. Të pikturuara në kohën kur njerëzit ishin të varfër nga njohuritë për vizatime, ato nuk ishin veç gjëra të bukura për t’i parë. Ishin imazhe didaktike dhe të fuqishme që ju detyrojnë të luteni dhe të bindeni. Çdo tipar i mundshëm – përdorimi i ngjyrës, ajo që mbante subjekti, qëndrimi i tyre – kishte rëndësi semiotike që mund të humbasë sot në epokën e mediave masive.


Ikona nga eikōn!

Por, pastaj, një imazh si ai i Alaa Salahut, duke protestuar në Sudan, kapton imagjinatën globale. Brenda një jave nga publikimi, imazhi kishte tipizuar gjithë revolucionin sudanez dhe po vizatohej nëpër muret e botës arabe. Nëse e ndani imazhin, detajet ikonografike të artit të vjetër janë po aq të pranishme në këtë pjesë të fotozhurnalizmit të smartfonëve, sikur edhe shekuj më parë.

Si bëhet një imazh i tillë ikonik? Çfarë ka Alaa Salah dhe kjo fotografi që e bëri kaq të fuqishme?

Ieshia Evans në foton e Jonathan Bachmanit

Dr. Julia Tatiana Bailey, kuratore e artit modern dhe bashkëkohor në Galerinë Kombëtare të Pragës, kujton fotografinë e Jonathan Bachmanit të Ieshia Evansit në protestën “Jetët e zeza kanë rëndësi”, në Baton Ruzh të Luizianës. “Mendoj se në botën tonë të mbingarkuar me imazhe, prekemi nga autenticiteti i tyre, sepse janë spontane dhe u nënshtrohen temave vizuale të cilat jemi mësuar t’i shohim”. Ndërkaq, Dr. Tina Rivers Ryan, historiane e artit dhe kuratore e specializuar në artin modern dhe bashkëkohor, thotë se fuqia është te poza e Salahut. Sipas saj, kjo “sugjeron një kalim të energjisë në një pikë të vetme dhe të koncentruar – simbol i përshtatshëm për revolucion, që kap fokusin dhe momentin, me Salahun si qendrën e saj metaforike”. Kjo Ryanit ia kujton imazhet arketipe të një oratori klasik, me gojë të hapur dhe gisht të drejtuar, “derisa dora në barkun e saj funksionon për të mbështetur retorikën e saj, si diçka të përzemërt ose që ‘del nga barku’”.

Murali i Alaa Salahut

Për audiencën perëndimore, ajo gjithashtu luan me stereotipat për statusin e grave në botën arabe. Bailey thekson se “imazhet e Salahut dhe Evansit përkojnë me politikat gjinore dhe racore të shoqërive liberale perëndimore, me dëshirën për të parë gratë me ngjyrë në pozita të pushtetit dhe respektit, si kundërpërgjigje ndaj historisë së gjatë të ikonizimit të njeriut të pasur të bardhë”.

Fuqia e pozës së Salahut kujton qëndrimet klasike të oratorëve, siç thotë Ryan, por është gjithashtu tipike për një Kandake – emri i një mbretëreshë në mbretërinë e lashtë të Kushite, të asaj që sot njihet më së shumti si Nubia. Ka relieve që i përshkruajnë këto mbretëresha në poza të ngjashme, qysh në shekullin e I-rë. Teksa ky imazh po bëhet figurë e fuqishme në identitetin kulturor sudanez, vathët e artë hënor të Salahut ia shtojnë statusin si ideal i fuqishëm mbretëror femëror.

Por, nuk është vetëm Salahu ajo që kap vëmendjen e shikuesit; është moria e duarve që mbajnë smartfonët për ta xhiruar teksa këndonte. Ka kaq shumë simbole në këtë imazh që thonë se agim i ri për të rinjtë në Sudan është pranë – dhe kjo është ajo që e bën kaq evokues.

Kur Alberto Korda ka marrë aparatin Leica M2, në një shërbim përkujtimor, në një ditë të vitit 1960 në Havanë, e dinte se do të bënte fotografi të disa figurave më të rëndësishme të epokës – si Fidel Castro dhe Che Guevara; madje edhe Jean-Paul Sartre dhe Simone de Beauvoir ishin atje. Por, nuk e dinte fare se do ta bënte fotografinë që do ta kthente Guevaran në figurë me famë botërore.

Alberto Korda

Imazhi që do të njihej si Guerrillero Heroico (Luftëtar heroik gueril) nisi si i paprerë; kishte palmë në anën e majtë të Guevaras dhe profili i një njeriu tjetër shihet në të djathtën e tij. Meqë ishte shërbim përkujtimor pas një sulmi në Havanë, Guevara ishte veshur si duhet me uniformë ushtarake, përfshirë beretën e famshme me yll. Kjo fotografi është kaq e ngulitur në mendjet tona – ndoshta edhe si poster në dhomat tona të gjumit si adoleshent ë – sa është e lehtë të mendosh se Guevara gjithmonë e mbante atë beretë. Por, nuk e bënte këtë.

Korda kishte shenjim perfekt të fuqisë ushtarake që e dekoronte subjektin e tij, por kur preku sustën e aparatit, Guevara po vështronte turmën, i përgatitur për të dhënë një fjalim. Nuk ishte duke qeshur, nuk ishte guerilasi që pi puro siç e shohim në fotot tjera; ky është një njeri me kërkim të vendosur dhe të fiksuar.

Imazhi nuk do ta kishte të njëjtën fuqi nëse nuk do të pritej, nëse Guevara do të shikonte objektivin apo nëse ai nuk do ta kishte beretën. Është një imazh i përjetshëm i shpresës i cili, i kombinuar me beretën, bëhet zotim fotografik për një luftë të përjetshme kundër kapitalizmit. Por, interesantja nuk është gjëja e vetme që ka kjo fotografi që vazhdon të ikonizojë Guevaran.

Nëse nuk e njihni portretin e famshëm nga fotografia e Kordas, do ta njihni atë nga versioni i stilizuar i posterit të vitit 1967, me të njëjtin imazh, nga artisti irlandez Jim Fitzpatrick.

Versioni i fotos ikonike të Guevaras, nga Jim Fitzpatrick

Ikonat nuk janë domosdoshmërisht fotozhurnalistike; nuk ka presion për të bërë gjithçka 100 për qind korrekte, veçanërisht nëse një artist e bën imazhin e jo një gazetar. Fitzpatrick e krijoi këtë punë pak pasi vdiq Guevara. Siç thotë ai: “Mendova se ishte një nga njerëzit më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë dhe, në një mënyrë, këtë e mendoj edhe sot. Kur u vra, vendosa të bëja diçka për të, kështu që e krijova posterin. Ndjeja se ky imazh duhej të dilte, ndryshe nuk do të përkujtohej e do të shkonte atje ku shkojnë heronjtë – zakonisht në anonimitetit”.

Përdorimi i të kuqes nuk është i rastësishëm. Shumë kritikë e kanë diskutuar “krishterizimin’”e Guevaras; një ngjyrë e tillë e kuqe është evokim i komunizmit, ashtu siç është pasioni, sakrifica dhe gjakderdhja. Edhe imazhet post-mortem të Guevaras tërhoqën krahasime me imazhet e trupit të brishtë të Krishtit pas heqjes nga kryqi. Por, ndryshe nga fotografia e Kordas, ikona e Fitzpatrickut ishte përpjekje për të përkujtuar Guevaran.

Ngjashëm, Andy Warhol bëri veprat e tij artistike të Marilyn Monroes, pak pasi ajo vdiq, duke përshtatur pamjet e reklamave të një prej filmave të saj. Artistja spanjolle Coco Davez, puna e së cilës fokusohet në krijimin e ikonave moderne të frymëzuara nga pop-arti, i sheh këto imazhe si të fuqishme. “Nuk është se Guevara ishte i parëndësishëm, por u bë ikonë nëpërmjet këtij imazhi; në rastin e Warholit dhe Monroes së tij, është pothuajse një meta-ikonë. Ajo ishte një ikonë dhe ky imazh e bëri super-ikonë”!

Versioni i fotos ikonike të Guevaras, nga Jim Fitzpatrick

Warholi e përdori imazhin Marilynit në mënyrë të zgjuar, duke e përshtatur disa herë; në diptikun e famshëm, përsëritja e fytyrës së saj evokon famën dhe se si pamja e saj e shtypur në mënyrë masive ishte e pranishme në tërë botën. Ngjyrat janë joreale, ashtu siç u bë imazhi i fytyrës së saj dydimensionale; është e distancuar, nuk arrihet, nuk është aktorja njerëzore që shihej kudo në posterë, por një ikonë hyjnore përtej Hollivudit. Në mënyrë të ngjashme, Marylin Monroe e Artë, po ashtu nga Warholi, paradizon flokët e bardha dhe grimin, duke luajtur me shenjat e portretit me të cilën bota e identifikon, por e rrethon me ar si të ishte Madonë bizantine.

Pasi sheh Monroen dhe Guevaran, është e vështirë të shohësh veprën “Shpresa” të bërë nga Shepard Fairey, ku shfaqet Barack Obama, e të mos vëresh paralele të habitshme. Është pothuajse kombinim i dy imazheve; angazhimin i pop-artit të Warholit dhe shikimi i largët i guerilit të Kordas. Për Davezin, ikonat duhet të jenë “karaktere që bota tashmë i ka në mendjen e tyre”.

Kjo shpjegon se pse ky imazh i Obamas kapton imagjinatën amerikane. “Merret një imazh tashmë i popullarizuar në politikë dhe karakteri i tij shndërrohet në një vepër arti”, thotë Davez.

Obama ikonik nga Shepard Fairey

Fairey ndihmoi kalimin nga një fotografi në një poster që mund të mbahet në mitingje dhe të ngjitej në muret e rrugëve. Kjo kujton skemën e ngjyrave të flamurit amerikan, ose ndoshta kombinimin e ngjyrave të demokratëve dhe republikanëve. Ryan thotë se imazhi përfaqëson “unifikimin e vendit nëpërmjet Obamas… Zëvendësimi i toneve të lëkurës me ngjyrë të kaltër, të kuqe dhe të bardhë – ngjyrat e flamurit amerikan – gjithashtu zvogëlojnë identitetin racial të Obamas duke afirmuar patriotizmin e tij e duke luajtur me supozimet raciste se personat me ngjyrë janë joamerikanë”.

Imazhet e një udhëheqësi është vështirë të bëhen si duhet, dhe një imazh ikonik mund të dështojë nëse nuk e ka karakterin e presidentit amerikan Obama. Për Baileyn, “ato i shihni në vendet si Siria me portrete të Assadit, në Korenë e Veriut me Kim Jong-ilin”.

Megjithatë, nuk duhet të pëlqeni dikë që ta respektoni, ose nuk ka nevojë për shumë kujdes për atë që do të bëni me aparat apo furçë për ta shndërruar diçka në ikonë. Winston Churchilli nuk ishte i kënaqur kur fotografii Yousef Karsh u mundua të bënte një foto të tij më 1941. Pasi me dashamirësi i kërkoi Churchillit të fikte cigaren, Karsh duhej të nxirrte puron nga goja e tij për të bërë fotografinë. Karsh tha se Churchill dukej “aq luftues sa që mund të më përpinte. Ishte ky momenti kur e bëra fotografinë”. Ndonëse nuk është imazhi më i hijshëm i tij, luftarakja e bën të jetë fotografi e veçantë.

Winstoni nevrik

Davez thotë se ikonat e saj gjithmonë i japin nder heronjve personalë. “Kur punoja për shtyp dhe bëja portrete, me njerëz me të cilët nuk identifikohem, ti je personi që ndihmon të tregosh historinë. Por, kur arti është i lirë, në kuptimin që pikturoni atë që dëshironi të pikturoni – ashtu siç kam bërë me ‘Pa fytyrë’ – unë zgjedh. Zgjedh njerëzit me të cilët identifikohem.”. Churchill është dikush që ajo nuk e ka përfshirë në imazhet ikonografike të britanikëve. Por, shumë e mbajnë Churchillin për ikonë – dhe shumë do të mendonin kështu kur kujtojnë fotografitë e tij.

Në epokat e hershme të krishterimit, artistët që pikturoheshin ikonat duhej të ishin fetarë, nëse jo burra me vedalon. Ikona konsiderohej lutje po aq sa homazh ndaj subjektit; autorët kishin dashuri për personazhet nga Bibla që i pikturonin. Alberto Korda ishte një komunist i cili kurrë nuk kërkoi t’i merret leja për përdorimin e fotografisë së tij të Guevaras dhe Jim Fitzpatrick gjithashtu e kishte Guevaran si hero personal.

“Në të ardhmen të gjithë do të jemi të famshëm për 15 minuta”. Citimi i famshëm i Warholit mund të sugjerojë se veprat e artit të Marilynit ndërlidhen me cinizëm dhe jo idealizëm. Por, respekti se si figura e Monroes është bërë qiellore, paraqitet në mënyrën se si është trajtuar imazhi i saj. Fotografi Edward Steichen thotë se “portreti nuk bëhet në aparat, por në anën tjetër të saj”. Barteni këtë deklaratë në botën e ikonografisë moderne – të pikturuar ose fotografuar – dhe e vërteta mbetet. Po të mos ishte personaliteti unik i subjektit apo ikonografi i talentuar që ishte atje në kohën e duhur, këto imazhe do të ishin të humbura në përmbytjen e sotme të hedhurinave vizuale. /Telegrafi/