Adrenalina dhe shpejtësia rikthehen në maksimum këtë fundjavë në Pejë, ku do të zhvillohet gara përfundimtare e Kampionatit të Motocross-it 2025. Ngjarja do të mbahet të dielën, më 15 qershor, në pistën Newborn, duke nisur nga ora 11:00 dhe premton të sjellë emocione të jashtëzakonshme për të gjithë pjesëmarrësit dhe spektatorët.

E quajtur "MX RACE PEJA 25", kjo garë do të jetë momenti kulmor i sezonit të sivjetmë, ku pilotët më të mirë të motocross-it nga i gjithë vendi, por dhe vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi do të përballen për titullin kampion.


Me pista të sfidueshme dhe kushte të përgatitura në mënyrë profesionale, gara pritet të sjellë një shfaqje të jashtëzakonshme për të apasionuarit pas këtij sporti.

Por, MX RACE PEJA 25 nuk është vetëm për fansat e motocross-it, pasi kjo është një festë e plotë për të gjitha moshat.

Muzikë, ushqim i përgatitur në grill dhe pije freskuese do ta shoqërojnë këtë ngjarje, duke e kthyer atë në një ditë të paharrueshme për familje, të rinj e entuziastë të sporteve ekstreme.

Organizatorët kanë bërë të gjitha përgatitjet që ky edicion të shënojë një standard të ri për garat e motocross-it në vend, ku nuk do të mungojnë anëtarë të Federatës Internacinale të Motocross (FIM), ndërsa interesimi i publikut është rritur dukshëm me afrimin e datës së eventit.

“Mos e humbni garën finale të sezonit. Peja do të jetë kryeqyteti i motocross-it këtë fundjavë – spektakli është i garantuar!”, thuhet në njoftim.

Nëse jeni në kërkim të një ngjarjeje që kombinon sportin, argëtimin dhe atmosferën verore – MX RACE PEJA 25 është vendi ku duhet të jeni më 15 qershor!.

Regjistrimet janë ende të hapura deri një orë para nisjes së garave, teksa sponsor gjeneral i këtij super organizimi është Birra Peja. /Telegrafi/

telegrafi sport app