Festojnë edhe shqiptarët në Maqedoni

Vendbanimet shqiptare janë skuqur nga flamujt e shumtë që stolisin dhe zbukurojnë çdo dritare, ballkon apo fasadë të shtëpive shqiptare kudo, posikur edhe sheseht e vendbanimeve rurale të komunës.
Një manifestim mjaft i pëlqyer u mbajt në fshatin Podgorcë, fshat që kohëve të fundit është bërë i njohur për pengimin dhe ndalimin e zhvillimit të mësimit në gjuhën shqipe të nxënësve shqiptar nga ky fshat. Dhe pikërisht, ishin po ata nxënës të këtij fshati, që mësojnë shqip, në mënyrë të “jashtëligjshme sipas Ministrisë së Arsimit dhe komunës së Strugës”, kishin pregatitur një program-recital, kushtuar festave të nëntorit: 104 vjetorit të Kongresit të Alfabetit dhe 100 vjetorit të Pavarësisë dhe Festës së Flamurit.
Për të shënuar këto festa, në oborrin e shkollës “Gocë Dellçev” në Podgorcë, që pothuaj se ishte skuqur tërësisht me flamujt kombëtar, ishin tubuar jo vetëm nxënësit që mësojnë shqip dhe prindërit e tyre dhe shumë podgorcasve të tjerë, por edhe shumë qytetar të tjerë nga vendbanimet përreth, si nga Veleshta, Llabunishta, Dellogozhda, Ladorishti, Struga, etj. /Telegrafi/


































