LAJMI I FUNDIT:

Evropa është shumë e pranishme në Kosovë

Evropa është shumë e pranishme në Kosovë

BE-ja është krejtësisht e angazhuar të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovën e passtatusit, thotë Christina Galach, zëdhënëse e Javier Solanës, kur pyetet për angazhimin e BE-së në Kosovë.

Gallach, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe të sigurisë, njihet për përgjigjet që i jep për çështjen e Kosovës. Njëra nga këto është edhe deklarata e saj për një gazetë serbe (VN) se, "të ardhmen e Kosovës do ta vendosë Evropa dhe jo Rusia".

Ajo që Gallach thotë sot, kur pyetet për angazhimin evropian në Kosovë, nuk është shumë e ndryshme nga thelbi që përmban një dokument i publikuar në muajin maj nga Bashkimi Evropian, dhe pikërisht që: "Bashkimi Evropian është shumë i angazhuar të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovën e passtatusit".

Në një intervistë për Deutsche Welle, Gallach ka thënë se të ardhmen e Kosovës BE-ja e sheh shumë të afërt me atë të Bashkimit Evropian.


“Kosova është në Evropë gjeografikisht, njerëzit e Kosovës janë evropianë, dhe ne jemi shumë të angazhuar për të ndihmuar në procesin e stabilizimit të këtij territori, sapo të zgjidhet çështja e statusit”, theksoi ajo.