Nga: Monika Stafa
Në Itali, më shumë se në çdo vend tjetër në Perëndim, shkrimtarit të çdo kohe i është dashur të kalojë përmes një tradite kërkimore të asaj çfarë trashëgon për t’u konfirmuar. E copëtuar si komb dhe shtet deri në vitin 1870; e përfshirë vonë në zhvillimet e revolucionit industrial; e mangët në burimet e rëndësishme natyrore dhe e rënduar prej një sistemi klasor feudal që s’po donte të shkulej, Italia nuk ka qenë fort e gatshme për t’i përballuar sfidat e epokës moderne.
Thuajse 90 për qind e popullsisë së saj e vuante varfërinë dhe pabarazinë.
Përmendet, për atë epokë, p. sh. shkrimtari më i rëndësishëm italian Giovanni Verga dhe novelat e tij te të cilat ndihen ndodhitë pikëlluese të jetës italiane. Por, kjo rrymë nuk vazhdoi gjatë. Ajo ndërroi kah katërcipërisht nën ndikimin fatal të poetit fashist, Gabriele D’Annunzio.
Fashizmi do të ushtronte presion që letërsia italiane të merrte një kah tjetër, atë të optimizmit artificial.
Ndaj, kjo është dhe arsyeja përse vazhdimisht, në veçanti vepra e Alberto Moravias do të cilësohet si një referencë nga më të mirat kur flitet për letërsinë bashkëkohore italiane.
Mjeshtëria artistike e tij arrin kulmin në romanin e shkurtër; në romanet më të gjata ai gjen si fabul komplotin dhe thur intrigën për të tërhequr lexuesin. Por, ata që e njohin mirë thonë se këtu nuk pati fort sukses.
Me mbi 15 tituj librash, ku fshikullohet pamëshirshëm përpjekja e dështuar e Italisë për t’u bërë një shtet modern, Moravia mbetet një mjeshtër i tregimit të shkurtër, me stilin e tij të narracionit që të lë pa mend, dhe me qasjen krejt tjetër që ka ndaj seksit si një proces jo vetëm fiziologjik, por që provokon mendim. Dhe, këtu ka nisur debati për të. Pa e njohur dhe pa e kuptuar në thelb veprën e tij.
Një tabu që ende i mbetet kohës.
Kur lexon Moravian, të gjithë bëjnë një pyetje: përse ai është aq i ashpër në skenat e seksit?
Përse duket sikur dhunon në çdo frazë të tij. Në çdo karakter. Në çdo ndodhi apo dhe në çdo emër që përdor.
Viola. .. violento … “i dhunuar”. Është një nga personazhet e tij.
Alberto Moravia lindi në Romë në vitin 1907. Ishte djali i një arkitekti venecian mesatarisht të pasur. U godit nga tuberkulozi i kockave në moshën nëntë vjeçe dhe vuajti gjatë. Sëmundja nuk u mund plotësisht derisa ajo i la Moravias një çalim të lehtë.
U bë i famshëm shumë shpejt, por vetëm pasi pagoi të publikonte librin e tij të parë Gli Indifferenti. Nuk kish mbushur ende 22 vjeç. Libri i solli një sukses të bujshëm. Në mjediset zyrtare të kohës u prit me përçmim. Megjithëse nuk përmbante asnjë referencë mbi politikën, përshkrimi i pamëshirshëm i një borgjezie të rreme ishte në kundërshtim flagrant me mitologjinë fashiste që predikohej në letërsinë e atyre viteve.
Ky libër shënjoi edhe rrugëtimin e tij drejt suksesit që nuk u ndal deri në fund.
I tillë do ishte edhe kur do shkruante për jetën dashurore të Benito Mussolinit, liderit fashist që megjithëse u duk i hapur kur dha urdhër që libri të botohej, ai mbeti një diktator i vogël në përpjekjen e dështuar për të qenë prijës modern. Sepse, libri u tërhoq nga publikimi një muaj pasi kish hyrë në shtyp.
E, megjithatë, Moravia e donte Mussolinin. Ia njihte atij përpjekjen për të rikompozuar Perandorinë e vdekur të Romës. Dhe, për një popull që kishte njohur një sistem të vjetruar e të sfilitur feudal, kjo thirrje do të ishte një shpresë për shpëtim.
Rrëfejnë se kur Hitleri udhëtoi drejt Romës për t’u takuar me Mussolinin në vitin 1938, Elsa Morante, ikona e letërsisë italiane, qëndronte pranë dritares me një tenxhere me vaj të vluar ndër duar.
Parada ushtarake e dyshes së famshme që synonte pushtimin e Evropës, do të mbahej pikërisht poshtë banesës së tyre dhe ajo kishte planifikuar me mendjen e një djallushkeje që t’u hidhte mbi kokë vajin përvëlues ndërsa ata parakalonin. Por, nuk arriti ta kryente këtë aksion fëminor; Alberto Moravia, i cili më vonë do të bëhej bashkëshorti i saj, e bindi atë të mos e bëjë këtë veprim.
Pak kohë më vonë, kur gjermanët pushtuan Romën, ai mësoi se Gestapoja i kishte të dy bashkëshortët në listën e zezë. Në vitin 1943, çifti, duke qenë se secili prej tyre kishte nga një prind hebre, u largua nga Roma për të jetuar në një fshat të largët malor – në Italinë jugore, gjatë pjesës së mbetur të luftës.
Gjithmonë nuk i kam besuar përgjigjes së shkrimtarit kur e pyes për simbolikën e fabulës së romanit të tij; për forcat që përplasen në brendinë e subjektit apo marrëdhënieve që ai ka dashur t’i japë jehonë.
“Është thjesht një roman”, nuk është vetëm një përgjigje vanitoze e tyre, por një dëshirë për të të larguar nga mënyra se si ata zhveshin një sistem shoqëror.
Shkrimtarët e mirë nuk janë vetëm ata që shkruajnë me një stil modern apo dhe që i përshtaten kohës. Por, edhe ata që risjellin temat e tyre nën një llupë edhe më realiste, edhe më të ashpër.
“Jeta shpirtërore” e Moravias është një model sesi mërisë ndaj një borgjezie dekadente, hipokrite dhe gënjeshtare të kohës së fashizmit i shtohet një tjetër grup social-politik në vitet 1950, siç ishin të majtët e rinj.
“Jeta shpirtërore” e tij nuk është tjetër veçse historia e Italisë moderne. Nëse duhet të mësojmë mbi bumin e saj industrialist të disa viteve më vonë, kuptojmë se në çfarë kalbësirash sociale ajo u ngrit. Dhe, aty mund të mësojmë përse ajo ka njohur e po njeh disa zhvillime jo fort të kënaqshme këto dekadat e fundit, jo vetëm ekonomike.
Në qendër të veprës së tij, në tërësi me gruan romane, Moravia simbolizon Italinë. Zëri i gruas është zëri i Italisë; është fryma e ekzistencialiste e kohës. Ndoshta duke hyrë brenda shtjellës së këtij zëri femëror ai mundi të kuptojë edhe erosin si instinkt të pashmangshëm njerëzor. Dhe, ta zotërojë atë në mënyrën e tij.
Erosin e tij, si thuhet ndryshe – Erosi i Moravias.
Ashtu si Balzaku që prodhon mendim prej shqetësimit të tij në lidhje me “të vërtetën e parasë”, po ashtu dhe në veprën e Moravias thellohesh po aq prej preokupimit të tij me “të vërtetën e seksit”.
Për Moravian, si për shumë italianë, seksi mbetet pasioni dhe argëtimi i natyrshëm i njerëzimit dhe asgjë që ka të bëjë me të nuk e tremb apo e turpëron atë.
Moravia mbetet një nga ata mendimtarë që i pranon të dyja anët e medaljes tek njeriu; civilizimin dhe natyrën primitive të tij, në bashkëjetesë me konfliktin e përjetshëm mes tyre.
Intelekti dhe instikti. Me erosin në mes.
Ndonëse tek vepra e tij paga e dashurisë mishtore sjell zakonisht pakënaqësi, vetë mishi, sipas tij, mbetet një mrekulli e përhershme.
Një gjë me një bukuri të çuditshme dhe torturuese.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje