LAJMI I FUNDIT:

Ekspozita që pasqyron tmerrin e Aushvicit: Urrejtja nuk ndërtohet brenda një nate

Ekspozita që pasqyron tmerrin e Aushvicit: Urrejtja nuk ndërtohet brenda një nate

Një ekspozitë me objekte dhe fotografi nga Auschvici, do të shfaqet në shumë pjesë të Amerikës Veriore. Artikullin për këtë ngjarje, të publikuar në Guardian, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Ruth Grunberger ishte 16 vjeçe kur zbriti në Aushvic nga një makinë e bagëtive, në një natë maji të vitit 1944. Zbriti me rreth 100 hebrenj tjerë, përfshirë prindërit dhe shtatë vëllezërit e motrat e saj të cilët 250 milje i kaluan për tri ditë, nga qyteti i lindjes Munkaks – Çekosllovakinë e dikurshme ku me javë ishin mbajtur të burgosur në bodrumin e një fabrike të tullave – drejt kampit e përqendrimit dhe shfarosjes që ndodhej në periferi të qytetit Oshvieqim, në jug të Polonisë së pushtuar nga gjermanët.

Në hyrje të Aushvicit, Josef Mengele ishte një nga mjekët nazistë të cilët – me “një lëvizje të lehtë të shkopit të lidhur në dorën me dorashka”, sipas biografit të tij Gerald Posner – dhuronin jetën ose vdekjen e 1.3 milion njerëzve të ardhur nga e gjithë Evropa. Mengele drejtoi pesë vëllezërit e motrat e Grunbergerit, si dhe nënën e saj Emma, në të majtë, ku dhomat e gazit pritën rreth 900 mijë njerëz që vdiqën brenda. Ai dërgoi Grunbergerin, motrën e saj 18-vjeçare Manci dhe kushërirën 16-vjeçare Edith, në të djathtë, drejt të ardhmes ku puna e detyruar ishte e vetmja siguri. Mengele dërgoi gjithashtu për të punuar edhe vëllain 20-vjeçar të Grunbergerit, Asherin, dhe babanë e saj David, por Grunberger kurrë nuk i pa më ata.


Zyrtarët e “Schutzstaffel”-it – organizata paraushtarake naziste e njohur edhe si SS – urdhëruan gratë që Mengele ua kurseu jetën, që të zhvishen e të heqin qimet e trupit. Grunberger shikonte tufat e gërshetave të saj kafe të bien në tokë, mbetjet e fundit të vajzërisë që do të hiqen nga dyshemeja.

“Nuk mendoja më se ishim njerëz”, thotë ajo.

Një krehër metalik që u punua nga Ruth Grunberger

Gjatë tetë muajve të ardhshëm që i kaloi në Aushvic, plus katër të tjerëve që nazistët e detyruan të punonte nëpër fabrika në gjithë Gjermaninë, Grunberger kishte shpresa për të ardhmen, ku do të ishte e lirë të rriste sërish flokët. Ndërkohë që u detyrua të bënte pjesë të aeroplanëve në një fabrikë të Aushvicit, e krijoi një objekt që do ta mbajë gjatë tërë kësaj përvoje të hidhur: krehrin e vogël metalik, me dhëmbët e hollë që shpresonte se një ditë do t’ia rregullojnë flokët.

“Pashë disa mbetje metali dhe e bëra këtë krehër”, tha ajo. “Thash, flokët e mi do të rriten sërish, dhe do të më duhet”.

Sot ky krehër është një nga më shumë se 700 objektet dhe 400 fotografitë e vizatimet në ekspozitën më të madhe për Aushvicin në Amerikën e Veriut, që u hap në Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Manhatan. “Aushvic: Jo shumë kohë më parë. Jo shumë larg”, që do të jetë e hapur deri më 3 janar, ndjek gjurmët e rritjes së antisemitizmit dhe nazizmit nëpër histori dhe fazat e Holokaustit – me fokus të veçantë në Aushvic, ku nazistët vranë më shumë se 1.1 milion njerëz, nga të cilët rreth një milion hebrenj dhe dhjetëra mijëra të burgosur politikë polakë, romë, të burgosur sovjetikë të luftës, homoseksualë dhe persona me aftësi të kufizuara. Ekspozita – e cila përmban objekte të huazuara nga më shumë se 20 institucione dhe koleksione private në mbarë botën, shumica e të cilave shihen për herë të parë në Amerikën e Veriut – synon të nxisë vizitorët të mësojnë se si erdhi deri te vrasja më e madhe në histori dhe se si ndodhi gjenocidi.

“Aushvici nuk nisi në dhomat e gazit. Ky ishte hapi i fundit i një procesi shumë të gjatë”, thotë drejtori i ekspozitës, Luis Ferreiro. “Urrejtja nuk ndërtohet brenda natës. Duhet të shpjegojmë rrugën drejt Aushvicit, që njerëzit të kuptojnë se si ishte e mundur kjo”.

Këpucët dhe çorapët e një fëmije të gjetura janar të vitit 1945 në Auschwitz-Birkenau

Ekspozita nxjerr në pah rrënjët shekullore të antisemitizmit, përfshirë vrasjet e mijëra hebrenjve evropianë gjatë shekullit XIV, të cilët të krishterët i fajësuan për murtajën që vrau rreth 25 milionë njerëz në Evropë. Dyqind vjet më vonë, në një pararendëse të një prej praktikave më të hershme të persekutimit të nazistëve, Perandori i Shenjtë Romak, Ferdinand i I-rë, nënshkroi një deklaratë më 1551 (që shihet në ekspozitë), ku kërkon që çifutët gjermanë të mbanin rrathë të verdha në veshjet e tyre, për t’u dalluar kështu nga të krishterët. Aty paraqitet edhe rishfaqja e antisemitizmit pas Luftës së Parë Botërore: ekspozita tregon se si nazistët kërkuan mbështetje për kauzën e tyre, duke fajësuar hebrenjtë për falimentimin e Gjermanisë, hiperinflacionin dhe shkallën e lartë të papunësisë. Nga vitet 1930, nazistët ndërtuan kampet e tyre më të hershme të përqendrimit për të kufizuar kundërshtarët politikë; në vitin 1935, ligjet e Nurembergut ua hoqën hebrenjve gjermanë statusin e shtetësisë. Dhe, pesë vjet më vonë, komandanti i SS-it, Heinrich Himmler, dha urdhër për të krijuar Aushvicin.

Ekspozita analizon kampin e vdekjes përmes objekteve që e përbënin, duke filluar nga qindra sende të përditshme – krehër flokësh, syze, enë gatimi – që njerëzit i vendosnin në valixhet e lëkurës dhe që i sollën me vete. Sipas Ferreiros, ato objekte paraqesin fragmentet e fundit të jetës që lanë pas, dhe rrethanat e paparashikueshme që do të hasin.

“Ua morën diplomat universitare, punët e tyre u mohuan, llogaritë e tyre bankare u vodhën – gjithçka u është marrë. Këto janë të vetmet gjëra që mund të vendosnin brenda valixhes”, tha ai. “Pse dikush do të merrte një pasqyrë ose një furçë për t’u rruar? Ata prisnin që jeta të vazhdonte”.

Kur arrinin, i ndërruan veshjet dhe objektet e përditshme të jetës së vjetër me ato të rejat të paraqitura në ekspozitë: xhaketë e pantallona me shirita dhe nallane druri. Objektet tjera të shfaqura e të përdorura për tortura e vrasje masive, tregojnë atë që teoristja Hannah Arendt e quajti “banaliteti i së keqes”: kamxhiku i SS-ëve për të rrahur njerëzit, gazmaska dhe konserva me Ciklon B-në – pesticidin që zyrtarët e hidhnin në dhomat e gazit, për të vrarë njerëzit e mbledhur brenda.

Artist Alfred Kantor shfaqi arritjen në Aushvic: “Hidhni valixhet dhe hipni në kamionë”

Ashtu si Grunberger, njerëzit u përballën me tmerrin duke krijuar dhe duke u mbështetur në objektet e tyre të rezistencës, disa prej të cilave janë shfaqur në ekspozitë, përfshirë një “gjerdan” me yllin e Davidit të bërë nga tojat e këpucëve, një unazë fejese prej kallaji që një grua e fshihte nën gjuhë nga SS-ët, dhe trumbeta që muzikanti Louis Bannet e përdorte për të argëtuar nazistët për gati dy vjet, derisa forcat sovjetike nuk e çliruan kampin në vitin 1945.

Ferreiro, i cili është gjithashtu drejtor i Musealia-s, kompanisë spanjolle që merret me krijimin e ekspozitave muzeale, e konceptoi idenë e ekspozitës pothuajse një dekadë më parë, pas leximit të veprës “Kërkimi i njeriut për kuptim”, ku psikiatri Viktor Frankl më 1946 tregonte se si i mbijetoi tri viteve në Aushvic dhe Dachau – kampin e parë të përqendrimit nazist, të themeluar në Gjermaninë jugore më 1933. Ferreiro u frymëzua nga përpjekja e Franklit për të kuptuar Holokaustin nëpërmjet psikologjisë së autorëve të saj dhe të viktimave.

“Me këtë temë është shumë e lehtë t’i bësh njerëzit të qajnë, por është më vështirë t’i bësh të reflektojnë”, tha Ferreiro. “Qëllimi [me ekspozitën] është që të shtrojmë pyetje për veten tonë”.

Për shtatë vite, Ferreiro dhe një ekip i historianëve të Holokaustit, përfshirë ekspertin e mirënjohur të Aushvicit, Robert Jan van Pelt, bashkëpunuan me Muzeun Shtetëror Aushvic-Birkenau për ta konceptuar këtë ekspozitë. Ajo debutoi më 2017 në Qendrën e Ekspozitave të Arteve të Madridit, ku u zgjerua dy herë dhe tërhoqi më shumë se 600 mijë vizitorë, e që do të udhëtojë nëpër të gjithë SHBA-në së paku deri në vitin 2022. Ferreiro e karakterizon ekspozitën si antidot ndaj rritjes së antisemitizmit në mbarë botën dhe tha se objektet u japin zë miliona atyre që nuk janë këtu për të dëshmuar atë që kishin përjetuar në Aushvic.

“Çdo herë që vjen një vizitor dhe dëgjon zërat e atyre artefakteve dhe ngjarjeve që tregojmë, është një fitore kundër urrejtjes”, thotë ai. /Telegrafi/