Unikkatili sërish do të vijë. Jo për vizitë, por për koncertin e tij të dytë. Ashtu si koncertin e parë i cili ishte madhështor në të gjitha aspektet, edhe koncertin e dytë të Unikkatilit do ta organizojë kompania POWOW Entertainment.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, pronari i kompanisë POWOW Entertainment, Albin Gashi, ka zbuluar lajmin e madh, duke konfirmuar një rikthim të Unikkatilit për adhuruesit shqiptarë.
Ai pos tjerash ka folur edhe për prapaskenat dhe suksesin e jashtëzakonshëm të koncertit të organizuar saktësisht një vit më parë, teksa ka premtuar se POWOW do të kalojë nëpër një riformatim që do të ketë për rezultat festivale tjera të mëdha.
Telegrafi: Koncerti i 15 korrikut të vitit të kaluar për shumë është një datë e pa harruar. Si e vlerësoni koncertin që organizoi kompania juaj?
Albin Gashi: Në shoqërinë shqiptare, datat historike gjithmonë janë përcaktuar nga politikanët ose janë data që janë të karakterizuara me procese politike ose kanë konotacion politik. Mirëpo, 15 korriku është shembulli më i mirë se si një organizim argëtues mund të shndërrohet në një datë tashmë të cilësuar historike dhe kujtohet çdo vit si datë ku qëllimi kryesor pos që ishte argëtimi, ishte edhe rikthimi i një prej legjendave të muzikës aty ku e ka vendin, në piedestal. Kjo është shumë gjë e veçantë.
Telegrafi: Si e kujtoni ju si ‘baba’ i gjithë këtij organizimi të bërë nga kompania juaj, koncertin e Unikkatilit?
Albin Gashi: Kujtoj se koncerti i Unikkatilit është organizimi që theu rekordet nga pjesëmarrja në një eveniment. Prej fillimit të organizimit deri në përfundimin e saj kemi qenë të përqëndruar në produktin final – natën e koncertit – dhe që ajo të jetë sa më mbreslënëse. Kujtimet për nga kjo natë janë të shumta. Në kompaninë tonë mbizotërojnë të rinjt, mosha mesatare është 22 vjeç. Gjatë organizimit kemi hasur në vështirësi të ndryshme, mirëpo motivi që ky organizim të përfundojë i suksesshëm na bëri që t’i tejkalojmë barrierat e shumta, shumica e të cilave ishin shkaku që jemi të ri në moshë. Si duket është një paragjykim se të rinjt duhet të ‘rrijnë urtë’.
Telegrafi: Koncerti përfundoi në mënyrë të çuditshme, por edhe shumë kanë kurreshtjen e tyre se çka ndodhi dhe si u duk i gjithë organizimi juaj nga prapaskena. Çfarë mund të na zbuloni?
Albin Gashi: Prapaskena ka qenë e kordinuar mirë në mes të ekipit të Poëoë Entertainment, Unikkatilit dhe produksionit nga Enis Presheva. Mirëpo, shkaku se sigurimin e stadiumit e kreu një kompani tjetër dhe sigurimin e Unikkatilit një kompani tjetër, erdhi deri te koordinimi i gabuar në mes sigurimeve që ishte shkas i largimit të Unikkatilit nga skena, përkundër brohoritjeve të fansave për edhe një paraqitje skenike.
Telegrafi: Ishit ju që i vutë themelet këtij koncerti historik një vit më parë. A keni biseduar që prej asaj kohe me Viktorin, çfarë mendimi keni për të?
Albin Gashi: Për Viktorin ndaj mendimin me shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare, i cili e cilësoi Viktorin si poet modern. Po, me Viktorin kemi kontakte të vazhdueshme. Tashmë kemi filluar organizimin e koncertit të tij të dytë. Jemi në përzgjedhje të stadiumit haha (qesh).
Telegrafi: Përsëri do të organizohet një koncert i Unikkatilit nga POWOW Entertainment?
Albin Gashi: Gjithsesi
Telegrafi: Pasi zbuluat këtë detaj rrënqethës, gjithnjë flasim në kuptimin pozitiv për fansat e Unikkatilit, a do të ketë festival nga POWOW, cili është plani juaj?
Albin Gashi: Ne e filluam kompaninë me objektiva të qarta. Mirëpo, gradualisht kuptuam që jemi duke fabrikuar një storie të suksesit në industrinë në të cilën veprojmë. Kështu që, ne jemi në ri formulimin e strategjisë zhvillimore si kompani. Shumë shpejt do të lansojmë projektin e radhës.
Telegrafi: Ju faleminderit, ju dëshirojmë shumë suksese juve dhe kompanisë tuaj.
Albin Gashi: Gjithashtu ju falënderoj dhe ju dëshiroj suksese.
Pohimet e pronarit të POWOW Entertainment vijnë pikërisht një vit pas koncertit të vitit të kaluar, i cili do të mbahet gjatë në mend nga fansat e Unikkatilit. Tani, shumë prej atyre që nuk kanë arritur të jenë pjesë e këtij koncerti, do ta kenë një mundësi të dytë.
Koncerti i 15 korrikut të vitit 2012 nga mbreti i repit shqiptar mblodhi jo më pak se 25 mijë fansa në stadiumin e qytetit të Prishtinës./Telegrafi/