LAJMI I FUNDIT:

Edhe Maqedonia në “Rrugën e Mëndafshit”

Edhe Maqedonia në “Rrugën e Mëndafshit”

Lidhja e odave ekonomike të Maqedonisë (LOE) do të punojë në promovimin e mega projektit kinez “Një rrip, një rrugë” për ndërlidhje infrastrukturore dhe ekonomike të Azisë, Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Afërt, shkruan gazeta KOHA. Me marrëveshjen për promovim në kuadër të anëtarësimit në Silk Road Chamber of International Commerce (SRCIC), që u prezantua sot në margjina të Forumit dyditor ndërkombëtar “Një rrip, një rrugë”, që po mbahet në Pekin edhe zyrtarisht hapen mundësi të reja për kompanitë e Maqedonisë përmes LOE-së për pjesëmarrje në ndërlidhje transnacionale, si dhe avancim të bashkëpunimit tregtar dhe investues. LOE dhe SRCIC do të punojnë në prosperitet të anëtarëve të vet, duke iu ofruar mundësi për tregti dhe investime.

“LOE kultivon relacione të shkëlqyeshme me RP të Kinës, ndërsa bashkëpunimi me SRCIC në të cilën të bashkuar veprojnë 30 oda është edhe një konfirmim për angazhimet tona të përbashkëta për rritje të mundësive të sektorit privat në Republikën e Maqedonisë dhe inkuadrim të tyre aktiv në iniciativën e paralajmëruar të presidentit kinez Si Xhingping ‘Një rrip, një rrugë’ për jetësimin e rutës tregtare ‘Rruga e mëndafshit’, që për herë të parë u prezantua në vitin 2013”, deklaroi për KOHA, Daniela Arsovska, kryetare e LOE-së.

Rruga e mëndafshit, shton ajo, ndërlidhë kontinente, lindjen me perëndimin, dhe hapë mundësi për këmbim ndërmjet kombeve.


“Vendi ynë ndodhet përgjatë trasesë të Rrugës së vjetër të mëndafshit dhe është një nga të parat në Procesin 16+1, në mesin e RP të Kinës dhe vendeve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, e cila që atëherë i njeh mundësitë dhe përfitimet nga kjo Iniciativë si urë për ndërlidhje të kontinenteve”, potencoi Arsovska. Iniciativa kineze ka për qëllim ndërlidhjen e kombeve përmes infrastrukturës.

Për realizimin e asaj iniciative prej vitit 2014 deri në vitin 2016 Kina investoi 50 miliardë dollarë dhe hapi mbi 180.000 vende të reja të punës. Forumi bazohet në strategjinë që presidenti kinez e ngriti në vitin 2013 me qëllim të krijimit të infrastrukturës dhe raporteve më të afërta të shteteve nga Euroazia përgjatë Rrugës së re të mëndafshit – korridorit për dërgesë të mallrave nga lindja.

Presidenti kinez premtoi 124 miliardë dollarë për iniciativën e cila ka për qëllim ta ndërlidhë Kinën me Afrikën, Azinë dhe Evropën përmes rrjetit të porteve, hekurudhave, rrugëve dhe zonave industriale. Në forum merr pjesë edhe presidenti rus, Vlladimir Putin si dhe sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh dhe përfaqësues nga mbi 100 shtete.

Gjatë tre viteve të fundit LOE punon aktivisht në rritjen e bashkëpunimit afarist me RP të Kinës, merr pjesë në Panairet më të mëdha, ndërkaq kryetarja e LOE-së, Arsovska, nënshkroi edhe memorandum për bashkëpunim me All-China Federation of Industry and Commerce (ACFIC), organizatën më të fuqishme në këtë vend, e cila ka mbi 4 milionë anëtarë me çka për kompanitë nga Maqedonia u hap rruga për qasje të drejtpërdrejtë në tregun më të madh aziatik.