LAJMI I FUNDIT:

Dorëshkrimi i pabotuar i Dritëro Agollit: Për poetin e pushkatuar, Trifon Xhagjika

Dorëshkrimi i pabotuar i Dritëro Agollit: Për poetin e pushkatuar, Trifon Xhagjika

Në dhjetor të vitit 1963 u pushkatua poeti e ushtaraku Trifon Xhagjika. U pushkatua si revizionist. Atëherë kishte botuar vetëm një vëllim prej 46 faqesh dhe pas kishte lënë një fletore, që dikur do të botohej nën titullin “Atdheu është lakuriq” dhe që do të botohej shumë vite pas vdekjes. Në vitin 2002, shkrimtari e poeti Dritëro Agolli do të shkruante 19 faqe për Trifon Xhagjikën, njohjen me këtë poet të heshtur e modest, që iu pre jeta në mes. Vajza e Dritëroit, Elona, publikon këto faqe, si më poshtë:

NDIHMOMËNI TË QESH! (ATDHEU ËSHTË LAKURIQ)
Lexo po ashtu NDIHMOMËNI TË QESH! (ATDHEU ËSHTË LAKURIQ)

QYTETARI DHE POETI TRIFON XHAGJIKA

Më ka ndodhur një përkim i habitshëm me të dy librat e Trifon Xhagjikës. Të parin, “Gjurma”, të botuar më 1959, e kam lexuar që në dorëshkrim; edhe të dytin, “Atdheu është lakuriq”, botuar më 1994, e solli koha ta lexoja po në dorëshkrim; veçse të parin e mora nga vetë dora e poetit, ndërsa të dytin nga dora e të vëllait të tij. Edhe të botuara këto dy libra kanë dy autografe: njëri autograf është i poetit dhe tjetri i të vëllait. Në fletën e parë të të parit, nën titullin “Gjurma”, shkruhet me dorë:


“Dritëroit dhe Ninës me respekt. Autori Trifon Xhagjika, 2.9.’59”, kurse në fletën e parë të të dytit “Atdheu është lakuriq” shkruhet gjithashtu me dorë: “Poetit Dritëro, miqësisht nga vëllai i poetit, Ylli Xhagjika, 21.V.94”. Në mes të këtyre dy epigrafeve qëndrojnë 35 vjet, ku shumë njerëz lindën dhe shumë vdiqën nga vdekje të zakonshme dhe nga vdekje të pazakonshme, vdekje të qeta dhe vdekje të dhunshme.

Por tani, le të mos e largojmë vëmendjen nga poeti, librat dhe poezia. Unë, para se të njihesha me Trifonin, jam njohur me të vëllanë e tij, Ylli Xhagjikën në Leningrad, sot Sankt- Peterburg në fillim të viteve ’50 të shekullit që sapo është larguar. Atëherë unë studioja në Universitetin e Leningradit, ndërsa Ylli Xhagjika në Akademinë Ushtarake në Fakultetin e Mjekësisë. Në përgjithësi, ne, studentët civilë, si thoshin në atë kohë, kishim miqësi me studentët ushtarakë. Ata, ushtarakët, jetonin më mirë se ne civilët, pasi stipendat (rrogat mujore) i kishin dy- tri herë më të mëdha se tonat. Kështu që, kur mbeteshim me xhepat ftohtë, na afronin duart e ngrohta ushtarakët. Një ndër ata me duar të ngrohta ishte edhe Ylli.

Po ai bashkohej me ne që studionim Gjuhë- Letërsi dhe Gazetari, si me Petrit Mëzezin, Fuat Bozdon, Marash Hajatin, Fadil Kokomanin dhe Vangjel Leshon – pra bashkohej pasi kishte një dell prej gazetari, madje kishte botuar edhe shkrime në gazetat e kohës. Shihte edhe një arsye tjetër, mbase edhe më kryesorja: Ylli na fliste për të vëllanë, Trifonin që shkruante vjersha dhe kishte dëshirë t’i lexonim edhe ne diçka nga shkrimet tona. Ai rrinte gjithmonë me rroba ushtarake dhe thoshte që edhe Trifoni këtë rrobë mbante.

– Ç’të bësh? Ja, kështu!, e mbyllte fjalën Ylli. Në fjalën e tij ne ndienim dashurinë e thellë mes dy vëllezërve. Dhe ishte kjo dashuri, që kur shpërtheu në dhjetorin e vitit 1963, e la gojëhapur Tiranën. Ishte ajo ditë kur u dënua Trifon Xhagjika me pushkatim nga gjyqi ushtarak dhe kur po e shpinin policët në makinën e zezë të burgut, Ylli thirri në mes të njerëzve: “Kokën lart, vëlla!”

Sakaq iu vunë prangat edhe Yllit për këtë dashuri, që do ta quaja heroike, dhe për këtë guxim prej një “trimi të marrë”, sipas shprehjes së popullit. Nejse, e ndiej se përsëri u largova nga filli i përcjelljes së tregimit për vitet e Leningradit. Në kohën studentore në Leningrad, unë u martova me një studente të anglishtes me emrin Nina. Me këtë grua që në Leningrad pata një djalë me emrin Arian, që sot kur i shkruaj këto shënime, ai është në moshën 46- vjeçare. Atëherë unë bëja shaka me Yllin: Këtij Arianit ia kam gjetur doktorin që këtu në brigjet e Nevës (lumë që shkon nëpër Leningrad).

Vërtet, kur u kthyem në Shqipëri, Ylli, miku im, u bë edhe mjeku i shtëpisë sa herë sëmurej Ariani. Në shtëpi vinte edhe Trifoni. Ai ishte njeri i heshtur me një fytyrë të zbehtë prej aristokrati, që zbehtësinë ia rriste mbase edhe rroba ushtarake.

Të gjitha këto më kujtonin portretin e Lermontovit, poetit të madh rus, që edhe ai kishte qenë ushtarak i revoltuar. Trifoni filloi të vinte më shpesh në shtëpinë tonë, kur Nina u emërua mësuese anglishteje në shkollën e mesme ushtarake, pasi edhe ai e njihte atë shkollë, ku kishte mësuar disa vjet. Siç thashë, ai fliste rrallë, nuk i tregonte vjershat e tij dhe as shtirej se dinte shumë mençurira për poezinë.

Unë lexoja ndonjë vjershë të tij në gazeta, por pak ia njihja krijimtarinë. Një herë, pas një viti të botimit të librit tim të parë “Në rrugë dola”, me shumë koprraci ra fjala mes nesh për poezinë dhe më premtoi se do të më sillte një cikël me vjersha të daktilografuara. Ishte njeri që e mbante fjalën. I solli që atë ditë, i la dhe iku. Gjithsej ishin nja tridhjetë a dyzet faqe. Ç’është e vërteta, një pjesë e vjershave m’u duk romantike dhe me peshën e një sfungjeri, jo të një guri, siç ndodhte dhe ndodh me shumicën e të rinjve që hyjnë në poezi.

Megjithatë, tek lexoja atë cikël vjershash, filluan të më xixëllojnë disa xixëllonja dhe të më skuqë ndonjë lulëkuqe. I kini parë xixëllonjat dhe lulëkuqet në maj në një arë me grurë ende të gjelbër? Mendja më ndali te një vjershë katërvargëshe pa titull: “O krua, krua plak/ buron ti me rrëmujë/ ty ujët t’u bë gjak/ ne gjaku na u bë ujë”. Mendova, duke qëndruar te këta katër vargje: “Po, po romantik, ky Trifon Xhagjika, por thotë ca gjëra që sot nuk i thotë njeri”: “Gjaku na u bë ujë!”, do të thotë: na pushtoi frika.

Duke lexuar më xixëlloi një tjetër xixëllonjë poetike, që kishte kuptimin: idetë e mëdha të shtypin, nëse nuk je i zoti t’i vësh në jetë, t’i bësh realitet. Dhe ky kuptim ishte shprehur në mënyrë figurative, metaforike përmes një identiteti tepër kombëtar apo më konkretisht shqiptar: “Një gur të madh vështirë/ ta ngjitësh në kala/ Dhe kur e ngre ki mendjen/ me forcë e shtrëngo/ vështirë do ta kesh/ nga maja po të ra/ dërmohet copa- copa/ dhe copat s’ke ç’i do”. Dhe “copat s’ke ç’i do” është fjala që gjëja e madhe, mbeti kokoshi një thelë”, sipas popullit.

Një stacion i fundit ku qëndrova në udhëtimin përmes vargjeve të Trifon Xhagjikës, ishte vjersha “Gjurma”, nga e cila mori titullin edhe libri. Ideja e vjershës nuk ishte e re, por më 1957 apo 1958 nuk ishte e lehtë për ta thënë, pasi gjurmuesit e nënteksteve do të pyesnin: çfarë kuptimi ka kjo vjershë?”

“Gjurma shikojmë kudo/që njerëzit lënë në jetë/të gjitha nuk mbeten ato/se koha i fshin e të shpejtë/ Ka gjurma si ato mbi dëborë/ që era i zhduk, i mbulon/e zjarri i diellit rrezor/ i shkrin e i shpie në hon”.

Unë i lexova po atë ditë vjershat e ciklit të Trifonit. Prita një javë, prita dy javë, ai nuk po vinte. Dhe në bulevard, para godinës së gazetës “Zëri i Popullit”, ku punoja, takova Drago Siliqin, poet dhe kritik i dëgjuar i viteve ’60. Meqë ai kishte miqësi me Trifonin, e pyeta se ku kishte humbur, duke i thënë:

– E di ti Drago, se Trifoni më ka dhënë të lexoj një cikël me vjersha dhe ka nja dy javë që nuk më shkel në prag? Më dha t’i lexoj poezinë dhe harroi miqësinë.

Drago Siliqi, i gjatë, i pashëm dhe tepër i sjellshëm, tha duke buzëqeshur me kokën mënjanë:

– Trifoni është tjetër poet.

– Tjetër që të mos vijë dhe të kërkojë mendimin e atij, që ia jep vjershat për t’i lexuar?

– I vjen marrë me ardhë vrik e në shtëpia posa t’i ka dhanë vjershat me i lexue, – tha Dragoja, i cili pak muaj më vonë u bë redaktor bashkë me Razi Brahimin, redaktor i librit të parë të Trifon Xhagjikës.

Dhe të dyve nuk u eci fati. Drago Siliqi u vra në ajër në një aksident ajror, Trifon Xhagjika po atë vit u pushkatua. Më 1959, Drago Siliqi botonte poemën “këngë e re për dashurinë e vjetër”, të njëjtin vit, Trifon Xhagjika botonte librin poetik “Gjurma”.
Ende mund të zgjateshim duke treguar, por në këto lloj botimesh antologjike zgjatja zihet e tepërt. Por, megjithatë, e shoh të domosdoshme të zgjatem edhe pak, duke u përpjekur për të ulur në shkrimin tim dozën e mërzisë, që mund t’u përcillet lexuesve.

I vonuar, erdhi Trifoni me një pastërti të rrallë në rrobat e tij ushtarake, veçanërisht në jakën e këmishës ngjyrë ulliri dhe në dy shpatat e pantallonave, që atëherë ne u thoshim dy hekurosjeve.

– Nuk janë gjë! – tha ai.

– Ka edhe gjëra që janë një gjë! – thashë unë afërsisht.

– Dhe i recitova vargjet, që kam cituar pak më lart, vargjet për kroin, për gurin dhe për gjurmët.

– Shumë e bukur, e mira shumë! – tha Nina, gruaja ime e atëhershme, që kishte mësuar të fliste shqip.

– Epo kur e thotë dhe Nina që është ruse, se vjershat e tua janë të mira, çfarë do ti, o Trifon! – u hodh e tha doktor Ylli, i vëllai i Trifon Xhagjikës.

Pastaj unë, që nuk e kuptoja se çfarë do të bënte ky Trifon me këto 40 faqe vjershash, e pyeta:

– Do t’i botosh në revistë?

– Jo, në libër tha ai.

– Po, ç’e do një libër me 40 faqe?

– S’ka gjë! Kam dëgjuar që Pol Eluari vjershën “Liria” e ka botuar në një libër më vete me katër faqe bashkë me kapakun.

Kështu ndodhi. Libri i tij i parë “Gjurma” u botua me 46 faqe bashkë me tabelën e titujve të vjershave. Në atë kohë, një libër me 40 faqe dukej si një fletore e një nxënësi të shkollës fillore, pasi letra ishte tepër e hollë, letër që tipografët e quajnë 45-gramëshe. Por, shpesh ndodh që edhe një rrëkezë burimi, kur bie nga një lartësi shkëmbore, i prish qetësinë më shumë se një lumë në fushë.

E kam fjalën që edhe ai libërth nuk shkoi në heshtje. Po tregoj një ngjarje vegimtare: Kur kishte dalë libri “Gjurma”, rastësisht në bulevardin e madh përballë “Kafe Tiranës”, që ishte atje ku ngrihet sot Muzeu Historik Kombëtar, unë takova Drago Siliqin dhe Razi Brahimin. Me të qeshur u thashë:

– Ama dhe ju, dy emra të mëdhenj hidhni firmat si redaktorë të një libri prej 40 faqesh, sikur të ishte “Lufta dhe paqja” e Tolstoit.

Drago Siliqi, që kishte zakon të qëndronte në rrugë kur fliste, ndali dhe ngriti gishtin lart dhe foli me një shkodranishte të zbutur:

– Vjollca asht ma e vogël se drandofilli, por nuk mundesh me thanë se nuk ashtë e bukur si drandofilli.

Ndërsa Razi Brahimi me gjuhën racionale të kritikut shtoi:

– Trifoni është poet! Ai e njihte Trifonin, pasi kishin qenë të dy në Shkollën e Bashkuar, nga përgatiteshin oficerët. Ndërkohë, jeta rridhte si ngaherë ndonjë ngjarje të çuditshme. Veçse ndihej që në Bashkimin Sovjetik, në Rusi, në kokën e socializmit po kritikohej “kulti i individit”, siç shpreheshin atëherë.

Me një fjalë, po zbritej nga piedestali bronzi i Stalinit. Edhe për Shqipërinë u hap një shpresë për “shkrirje të akullit”, që edhe kjo ishte një shprehje e kohës në kuptimin e një socializmi më njerëzor. Por, në vitin 1960 dhe 1961 ndodhi ajo që në Shqipëri nuk u pranua as lufta kundër kultit të Stalinit, dhe, në përgjithësi, as lufta kundër kultit të individit. Megjithatë, njëfarë shkrirjeje pati veçanërisht në letërsi.

Poezia fitoi një frymëmarrje më të gjerë bashkë me tregimin dhe me romanin, atëherë nisi edhe ajo tendencë poetike e re e një brezi poetësh, që më vonë u quajt brezi i viteve ’60. Fatkeqësisht, për arsye të përgjimeve dhe të ndjekjeve, Trifon Xhagjika nuk mori pjesë haptazi në këtë tendencë poetike.

Ai filloi të mos botojë, ose të shfaqej rrallë me emrin e tij në shtyp. Madje, edhe në shtëpi tek unë vinte, siç thonë, një herë në hënë. Me sa dija unë atëherë, ai kishte filluar një miqësi, apo afrim me Vangjel Kokomaninin dhe Vangjel Leshon, ndofta edhe me Robert Vullkanin, të cilët u burgosën para Trifonit, ndërsa dy të parët u pushkatuan më vonë, pas tij, por ardhja rrallë tek unë ndofta kishte një arsye tjetër.

Në atë kohë, Ninën e larguan nga Shkolla e Bashkuar Ushtarake meqë ishte ruse. Atëherë pothuajse të gjitha gratë ruse të martuara me shqiptarë dyshoheshin për agjente të KGB- së, të Sigurimit sovjetik. Me siguri Trifoni e dinte që ndiqej nga Sigurimi shqiptar, si revizionist, dhe nuk donte të më dëmtonte me ardhjen e tij; me një fjalë, kujdesej që të mos binte mbi mua ndonjë hije dyshimi.

Doemos, nuk përjashtohen edhe arsye të tjera. Dhe Nina aty nga mesi 1963 iku në Rusi bashkë me djalin për të mos u kthyer kurrë. Pas disa muajsh Trifoni u arrestua, u burgos dhe u pushkatua më 23 dhjetor të vitit 1963. Siç thashë në fillim të këtyre shënimeve, në Tiranë, pas gjyqit të Trifon Xhagjikës, bëri bujë të madhe shprehja e Ylli Xhagjikës, vëllait të tij: “Lart kokën, vëlla!”

Kjo ishte koha kur mbaronte jeta e poetit Trifon Xhagjika. Por, ne nuk e dinim që jeta e tij vazhdonte në një fletorkë me emrin: “Atdheu lakuriq”. Në këtë fletore ishin ato vjersha që m’i dha të daktilografuara Ylli Xhagjika, vëllai i Trifonit, miku im i vjetër. I harruar nëpër vargjet e kësaj fletoreje, përmes meje vrapuan me tepër se gjysma e jetës sime.

Dhe me ato vargje të asaj fletoreje unë njoha një jetë tjetër, apo një vazhdim në ngritje të jetës së Trifon Xhagjikës, njoha një poet të vërtetë, i cili diku në një dhomë në vapë apo në ngricë, lartësonte poezinë e viteve ’60 të shekullit që iku. Vërtet është e çuditshme. Unë rrallë njoh poetë që të kapërcejnë nga libri i parë tek i dyti, brenda tre vjetëve, me një lartësi kaq të madhe, gati në mohimin e poezisë së shkruar para 36 muajve.

Që të jem i saktë, njoh vetëm një poet austriak të tillë, Georg Trakl, të fillimit të shekullit XX, i cili në një kohë fare të shkurtër kaloi nga vargu tradicional në vargun e lirë, madje edhe në përçartje apo halucinacione, siç i thonë ndryshe në gjuhën e psikologjisë apo psikiatrisë. Megjithatë, unë gjej një lidhje mes vargjeve të botuara në kohën kur poeti ishte gjallë dhe mes vargjeve të botuara në 1994, 31 vjet pas vdekjes. Gjej synimin e tij për të thënë të vërtetën e figurshme në poezi, gjej edhe dëshirën për lirinë jo vetëm të përgjithshme apo kolektive, po edhe lirinë e individit si qytetar dhe si poet. Në këtë koncept, ai përpiqet ta çlirojë vargun nga shumë konvencione. Le të marrim një strofë të vjershës “Lulekuqja” nga libri i parë “Gjurma” i vitit 1959:

“Dh’ai hodh’shikimin nga maja e malit/ e përshëndeti ditën e re/ me zjarr në gji/ Zgjoi luftëtarët: – të nisim rrugën/ se Lulëkuqja po pret nga ne/ Liri! Liri!” Tani ta japim të plotë poezinë “Bluza e kuqe”: “E kuqe si flaka e lumturisë/ që digjet mes natës së çuditur/ E kuqe, o bluzë/ ti reflekton në sytë e mi/ Je e dashur për mua/ në atë trupin e brishtë/ lëkurverdhë/që ti e mbulon/dua të mbjell me buzët e mija/ trëndafilë të kuq”.

Po t’i krahasojmë këto dy vjersha, që natyrisht nuk janë ndër ë të mirat, do të gjejmë një lidhje të ngushtë mes tyre, lidhje në përmbajtje dhe në formë. Përmbajtja është lulëkuqja dhe bluza e kuqe. Është liria. Ndërsa forma është synimi drejt çlirimit të vargut. Është liria. Doemos, ngritja lart e poetit shprehet nga një tregues tjetër.Është zgjerimi i frymëmarrjes poetike që ndihet në librin “Atdheu është lakuriq”, botuar pas vdekjes apo më mirë pas jetës së dytë. Ky libër përcjell dramaticitetin dhe tragjicitetin e kohës së ideokracisë. Ky dramacitet dhe tragjicitet shprehet përmes poezisë së revoltës, dhimbjes, dashurisë dhe urrejtjes në dëshpërim, por jo në pesimizëm. Në këto vargje nga vjersha “Sot jam i shqetësuar”, unë, përveç dëshpërimit shoh shpresën bashkë me shqetësimin, me një fjalë shoh një rreze optimiste.

“Kështu si jam, shoh jetën/ që armatoset me lirinë në duar/ Sho ëndrrat e shekujve/ që janë zgjuar /shoh ditët e pabindura/ që na afrojë drejt qëllimit/ Dhe jam i shqetësuar/ a do të mos ia ngre/këngën më të bukur Botës së Re?”

Kjo është një vjershë migjeniane dhe ne nuk duhet të kemi turp, por krenari, duke përmendur Migjenin, poetin e revoltës ndaj varfërisë, që sot ka përmbytur fushat dhe malet e Shqipërisë, si në rrëfimet e Biblës. Po të mos ju pëlqejë revolta e Migjenit, atëherë rrini në varfërinë e jetës dhe në varfërinë e shpirtit. Këtë e thotë edhe poezia e poetit të vërtetë dhe trim, Trifon Xhagjika.

Në trend Kultura

Më shumë
Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Pema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut

Kulture
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur

Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur

Fjala+
Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut

Historia e panjohur e pasardhësve të Skënderbeut

Kulture
BRODHA I VETËM SI NJË RE

BRODHA I VETËM SI NJË RE

Poezi
Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Thënie për gruan: Të arsimosh një femër do të thotë të arsimosh një shoqëri

Fjala+
LETRA

LETRA

Poezi
Kalo në kategori