LAJMI I FUNDIT:

Disa biznese fitues të pakontestueshëm nga zgjedhjet

Disa biznese fitues të pakontestueshëm nga zgjedhjet

Nëse ka një fitues të sigurt nga procesi i fundit zgjedhor në Kosovë, ai është sektori i biznesit.

Mjetet që shpenzuan partitë politike gjatë fushatës parazgjedhore, që zgjati edhe më shumë se afati zyrtar prej 30 ditësh, shërbyen si “infuzion financiar” për këtë degë të ekonomisë, thotë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa biznese të gastronomisë dhe marketingut në disa qytete, për t’i pyetur për të ardhurat në këtë periudhë, por drejtuesit e tyre nuk pranuan të flisnin.


Shahini thotë se nga kontaktet që kanë pasur me biznesmenë, më së shumti ka përfituar gastronomia, pastaj agjencitë e marketingut dhe kompanitë e derivateve të naftës.

“Ka pasur qarkullim, lëvizje më të mëdha të njerëzve për takime në të gjitha komunat e vendit. Këto takime kanë paraqitur nevojën për produkte ushqimore, si dhe për lëndë djegëse”, thotë Shahini dhe shton se AKB-ja, aktualisht, është duke studiuar efektin e saktë të fushatës në ekonomi.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë garuan 28 subjekte politike.

Me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partitë kishin të drejtë të shpenzonin mbi dy milionë euro në fushatë, ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar.

Kush përfitoi?

Petrit Kllokoqi nga Shoqata e Gastronomisë e Kosovës thotë se në lokalet në qytete më të vogla, është vërejtur shtim i punës në ditët kur ka pasur aktivitete politike.

Kjo, për faktin se në këto aktivitete kanë marrë pjesë edhe qytetarë që jetojnë në fshatrat e komunës përkatëse, por edhe në zonat përreth.

“Një gjë e tillë ka ndikuar, pastaj, që të ketë rritje të të hyrave”, thotë Kllokoqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se aktivitet edhe më të lartë në gastronomi ka pasur tri ditë para zgjedhjeve, sepse, siç thotë, në shumë komuna ka pasur qytetarë që kanë mbërritur nga diaspora, për të votuar.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se nga pamjet e partive më të mëdha në fushatë, duket se ato kanë shpenzuar miliona euro.

Bektashi shpreh bindjen se përfituese kryesore kanë qenë kompanitë e marketingut dhe mediat.

Reklamat e shumta politike në televizione dhe platforma digjitale u kanë sjellë, sipas tij, të ardhura të konsiderueshme financiare.

“Këta sektorë të shërbimeve në muajin e fushatës, i kanë dyfishuar apo – të mos them – trefishuar të hyrat e tyre financiare”, vlerëson Bektashi.

Me ligj, subjektet politike garuese në zgjedhje obligohen të dorëzojnë në KQZ raportin financiar të fushatës zgjedhore jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.

Bektashi kujton se këtë vit do të mbahen edhe zgjedhjet lokale dhe, siç shprehet, “efekti sezonal” në ekonomi do të përsëritet.

Por, pavarësisht qarkullimit më të madh të të hyrave dhe rritjes së numrit të punëtorëve, ndikimi në ekonominë e përgjithshme do të jetë afatshkurtër, thotë ai, pasi që aktivitetet janë të përkohshme.

Efektet pozitive

Shaip Bytyqi, profesor i Marketingut në një kolegj privat në Prishtinë, ka mendim ndryshe, pasi vëren edhe disa efekte pozitive afatgjate.

Ai thotë se gjatë fushatës zgjedhore, shumë kompani marketingu kanë punësuar staf shtesë për të menaxhuar vëllimin e punës dhe, me të hyrat e siguruara, ato mund të investojnë si në fuqi punëtore, ashtu edhe në teknologji më të avancuar.

Përveç kësaj, shton ai, ato mund të rrisin edhe pozicionin në treg dhe të tërheqin klientë të rinj.

“Të gjitha këto mund të sjellin rritje të qëndrueshme në punësim dhe mundësi për investime të mëtejshme, sepse çmimet e produkteve të këtyre shërbimeve janë shumë të shtrenjta”, thotë Bytyqi për Radion Evropa e Lirë.

Bytyqi, i cili është edhe vlerësues i patundshmërive, thotë se produkti më i thjeshtë dhe më i lirë gjatë fushatës ishin kartëvizitat, që silleshin nga 10 deri në 50 centë, kurse për organizimin e një mitingu, shpenzimet për logjistikë dhe promovim kanë shkuar deri në 10.000 euro.

“Pra, shumë biznese mund të varen nga periudhat zgjedhore për të mbushur hendekun mes periudhave të tjera të vitit”, thotë ai.

Në vitin 2021, kur në Kosovë u mbajtën dy palë zgjedhje – të parakohshme parlamentare dhe lokale – katër partitë më të mëdha politike, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpenzuan mbi 2.7 milionë euro.

Në ato zgjedhje, partitë politike mund t’i shpenzonin mbi një milion
euro, apo 0.50 euro për votues.

Për shpenzimet në zgjedhjet e fundit, mësa duket, duhet pritur edhe ca kohë.

Në Ligjin për zgjedhjet në Kosovë nuk është i përcaktuar ndonjë afat kohor se kur KQZ-ja duhet t’i shpallë rezultatet përfundimtare.

Për më tepër, këto zgjedhje nuk prodhuan as fitues të qartë që do të formonte qeverinë e re.

Në bazë të rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 47 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8.

Dhjetë vende janë të garantuara për komunitetin serb dhe dhjetë të tjera për pakicat tjera joserbe.

Për të pasur shumicën në Kuvendin me 120 ulëse, një partie apo koalicioni i duhen së paku 61 deputetë. /REL/