Detaje nga dosja e Prokurorisë Speciale për të akuzuarin për spiunazh, Aleksandar Vllajiq
Sipas aktakuzës, këto informacione i pandehuri Vllajiq ia ka transmetuar nëpërmjet komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike zyrtarit të lartë të BIA-së, përgjegjës i Qendrës së BIA-së.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Vllajiq fillimisht ka filmuar dhe incizuar fshehurazi lëvizjet dhe automjetet e Policisë së Kosovës dhe të prezencës ndërkombëtare në pjesën veriore të vendit.
Sipas aktakuzës, Vllajiq ka mbledhur informacione për persona të nacionalitetit serb të cilët kinse janë bashkëpuntorë te strukturave të sigurisë së Republikës së Kosovës, ka shpalosur identitetin e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI-së), të cilin e kishte mësuar gjatë kohës sa kishte qenë pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës, si dhe kishte krijuar një rrjet informatorësh brenda organizatave ndërkombëtare në Kosovë të stafit vendor nga komuniteti serb, nga të cilët ka kërkuar dhe ka pranuar informacione që ndërlidheshin me çështje politike dhe të sigurisë në vend, dhe të njëjtat pastaj përmes formave të lartëcekura ia kishte komunikuar zyrtarit të lartë të BIA-s,
Në dosje të Prokurorisë Speciale thuhet se me këto veprime i pandehuri Vllajiq ka vepruar në kundërshtim me interesat shtetërore të Republikës së Kosovës, duke dëmtuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare, si dhe ka rrezikuar drejtëpërdrejt jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj.
Tutje, në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të pandehurit Vllajiq gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga ana e Policisë së Kosovës, i janë gjetur në posedim pa autorizim, një armë e gjatë, respektivisht armë pneumatike, e modelit “Crvena Zastava”, e kalibrit 4.5 mm.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Vllajiq akuzohet se ka kryer veprat penale – spiunazhi, dhe – armëmbajtje pa leje.
Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Aleksandar Vllajiqit për këtë çështje penale pritet të mbahet më 05.06.2025 në Gjykatën e Prishtinës.
Kujtojmë se Aleksandar Vllajiq është i akuzuar edhe për sulmin ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicë të Veriut më 2022.
Të akuzuar të tjerë në këtë rast janë edhe Millun Millenkoviq, i njohur si “Llune” dhe ish-policët, Dejan Pantiq dhe Miomir Vakiq.
Katër të akuzuarit nuk e kishin pranuar fajësinë lidhur me këtë çështje penale. Ndaj tyre në Gjykatën e Prishtinës është duke u zhvilluar procesi gjyqësor lidhur me këtë rast.






























