Barcelona është ende në garë për tre trofetë, por Frenkie de Jong ka veçuar atë të Ligës së Kampionëve, si trofeun që dëshiron më shumë. Holandezi ka folur edhe për dallimin mes trajnerit të ri Quique Setien dhe atij Ernesto Valverde.
Mesfushori holandez ka folur gjerë e gjatë për gjërat që e rrethojnë teksa nuk ka ngurruar se dëshiron të gjithë trofetë me Barcelonën.
“Dua të fitoj të gjithë titujt, por nëse duhet të zgjedh një, unë do të zgjidhja Ligën e Kampionëve”, ka thënë fillimisht De Jong gjatë një ngjarje në Barcelona.
“Megjithatë, unë gjithashtu dua të ngre lartë edhe trofetë e La Liga Santander dhe Copa del Rey”.
Setien e zëvendësoi Ernesto Valverden si trajner i Barcelonës, por holandezi e ka bërë të qartë që të dy trajnerët kanë të njëjtën filozofi të posedimit.
“Setien nuk më kërkon të bëj asgjë në veçanti”, shtoi holandezi.
“Ideja që ai ka është e njëjtë me atë të Valverdes sepse është ideja e Barcelonës … ajo e posedimit të topit”.
“E vetmja gjë që ka ndryshuar janë detajet e vogla, por qëllimi i tij është që të kemi topin në këmbë”.
Ish-mesfushori i Ajaxit arriti në Spanjë verën e kaluar dhe megjithëse është përshtatur në rrethin e tij të ri, De Jong beson se ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë hapësirë për përmirësim.
“Duket sikur jam përshtatur lehtë dhe jam i lumtur, por e di që mund të bëj shumë më mirë”.
“Unë gjithashtu besoj se ne mund të zhvillohemi shumë si ekip dhe do të përmirësohemi gjatë gjithë sezonit”, përfundoi ai. /Telegrafi/