Nga: Luan Rama
Ishin vitet ’40 të shekullit XIX. Rreth njëzet vjet kishin kaluar nga prerja e kokës së Ali Pashës. Shqipëria dukej sikur kishte rënë në një heshtje të plotë, edhe pse në Shkodër historia e Bushatlinjve kishte lënë gjurmë kryeneçe kundër Perandorisë.
Ndërkohë, në veriun shqiptar u shfaq një historian dhe linguist i njohur francez: Cyprien Robert. Ai kishte vite që udhëtonte nëpër Evropë dhe dy vitet e fundit në Ballkan, apo në atë që shpesh quhej “Turqia e Evropës”, për të studiuar historinë dhe kulturën e këtyre popujve që përbënin botën greko-sllave, siç e quante ai:
“Në kufirin perëndimor të botës greko-sllave”, do të shkruante më pas Robert, në librin e tij Sllavët e Turqisë (Les slaves de la Turquie), “ekziston një popull gjithnjë i armatosur, që në gjirin e provincave osmane, formon një kastë të vërtetë luftëtarësh, jo më pak të rrezikshme dhe të lirë se kastat ushtarake të Azisë qendrore. Ky popull, i cili gjatë gjithë kohës ka ushtruar një influencë të madhe mbi Perandorinë Osmane, e furnizon ende Turqinë me trupat e vetme dhe më të mira që i kanë mbetur. Kjo tribu luftëtarësh, përbëhet nga shqiptarët, ose literalisht, ‘Të Bardhët’, sipas kuptimit të vërtetë të shprehjes orientale ‘njerëzit e pavarur’.
Kombësia e tyre, shkon gjer në kohën e pellazgëve dhe popujt grekë e sllavë i kanë gjetur padyshim atje, në trojet shqiptare. Në fakt, populli i të ‘Bardhëve’, shtrihej dikur në pjesën më të madhe të gadishullit greko-sllav, ku rrënjët e tij dëshmohen nga emrat shqiptare të shumë fshatrave e qytezave që sot banohen nga serbët e helenët. Madje edhe sot, në disa fshatra të Bullgarisë, Maqedonisë e Bosnjës, gjenden fshatra të vjetër, ku shqiptarët janë të përzierë me ‘xinxarët’ sllavë të helenizuar. Edhe pse të shtrirë në një territor të gjerë, populli shqiptar po pakësohet dukshëm, dhe sot s’mund të gjesh më shumë se një milion e gjysmë shqiptarësh të vërtetë, ndërkohë që 40 vjet më parë, nën pushtetin e Ali Pashës së Janinës, jetonin dy milionë… Këmbëngulja e këtij populli për të ruajtur dhe në kohë paqeje armët dhe zakonet luftarake, e ka penguar zhvillimin social të tij. Duke mos mundur të bënte luftë jashtë kufijve të tij, atëherë, ashtu si arabi i shkretëtirave, ai reagonte kundër vetvetes së tij”.
“Dhe kështu ai u pakësua nga luftërat e vogla mes familjesh, duke lejuar të krijohen zona ku mundën të futeshin popullsi fqinje. Dhe, ky fenomen, këto invazione të padukshme, duke u përsëritur, kanë bërë që Shqipëria të pësojë dy influenca të huaja: atë të sllavëve, dhe influencën e helenëve, të cilët, që të dy zihen mes tyre për këto troje që gjenden në anarki… “
Atë kohë, studiuesi francez kishte pak referenca nga bota shqiptare. Cilët ishin shqiptarët? Veç epokës së Skënderbeut dhe ngjarjeve të pashallëqeve të mëdha, në Janinë e në Shkodër, studiuesit dhe publiku francez pothuaj nuk dinin asgjë se çfarë ndodhte në malet shqiptare. Përveç konsullit Pouqueville, veprat e të cilit kishin disa vite që ishin botuar, të pakët ishin ata udhëtarë, të cilët shkarazi kishin shkruar për shqiptarët. Edhe pse Bajroni (Byron) dhe miku i tij Hobhause, kapiteni anglez Martin Leake, reverendi Hughes etj., kishin shkruar diçka historike për Shqipërinë, përsëri tema shqiptare mbetej e panjohur. Pas Revolucionit grek, sytë e Evropës ishin drejtuar tashmë nga Hungaria, Serbia, Bullgaria, ku priteshin ngjarje e kryengritje të mëdha kundër Portës së Lartë. Por, pikërisht pse ky vend ishte i panjohur, Cyprien Robert ishte nisur të pikëtakonte banorët e tij, shqiptarët. Ai e dinte se ishte një udhëtim i rrezikshëm, por natyra i kishte atij dhënë dy cilësi thelbësore për jetën: pasionin dhe guximin. Dhe ai kishte guxuar. Nga vinte ky njeri? Cili ishte ai?
Cyprien Robert ishte nga Angersi, kryeqendra e vjetër e anzhuinëve të Francës. Ai kishte lindur në vitin 1807 dhe pasi kishte studiuar kolegjin Beaupreau e më pas atë të Angersit, ai ishte futur në një seminar për tu bërë prift, ashtu si dikur Pouqueville. Por, shpejt ai e kuptoi se pasioni i tij nuk ishte teologjia, feja, por historia dhe kultura. Pikërisht në rininë e tij, ai do të ndiqte shkollën e një prej figurave intelektuale të epokës, të Félicité La Mennais, shkrimtar, prift dhe filozof, mik i shkrimtares George Sand, i cili kishte botuar ndërkohë disa vepra filozofike. Pikërisht ky njeri do të ndikonte shumë në idetë dhe të ardhmen e djaloshit të ri. Pas studimeve, Robert udhëtoi në Italinë e Renesancës, vizitoi muzetë e shumta, ku u mrekullua nga forca e artit të Rilindjes, çka e frymëzoi për të shkruar veprën e tij të parë “Essai sur la philosophie de l’art” (Ese mbi filozofinë e artit), libër që u botua ne vitin 1836 dhe që gjeti një jehonë të veçantë në publik.
Por, ajo çka do ta tërhiqte më shumë ishte bota greko-sllave. Dhe ja tashmë, pas shumë udhëtimesh nëpër Evropë e Ballkan, i shoqëruar nga një “drogman” dhe me një letër-rekomandimi të autoriteteve otomane, ai kishte zbritur fillimthi në Shkodër, për t’iu ngjitur pastaj vargmaleve shqiptare. Dhe, atje ai pikëtakoi këtë popull që shumë shpejt e bëri për vete:
“Shqiptari i ka sytë e vegjël, vështrimin e ka të drejtpërdrejtë, vetullat e holla, hundën e gjatë, kokën e zgjatur, ballin e sheshtë, qafën tepër të gjatë dhe gjoksin shumë të madh. Pjesa tjetër e trupit është e dobët dhe nervoze. I pajisur me muskujt që i ka dhënë natyra, me ecjen dhe qëndrimin e tij, ai ka diçka disi teatrale, si të një atleti antik. Por, para së gjithash ai është një luftëtar… Ata shqiptarë që nuk shkojnë të luftojnë për flamujt e të tjerëve, bredhin e shesin punën e tyre si rrobaqepës, ndërtues, apo kosarë. Dimrit kthehen në shtëpitë e tyre me paratë e fituara… Ata janë të hapët dhe e mbajnë fjalën e dhënë, si dhe dinë t’i bëjnë armikut të tyre një luftë ballas e jo prapa krahëve”.
Kur historiani francez kishte zbritur në veriun ballkanik, konsujt i kishin folur rreth gjakmarrjes që bënte kërdinë te shqiptarët. Dhe, vërtet, realiteti që ai do të takonte në ato troje ishte mjaftë tronditës, duke e tejkaluar imagjinatën e tij. Gjakmarrja, gjaku i shpaguar, gjaku i falur, ishin një normalitet i botës shqiptare, një kod i vjetër nga i cili shqiptarët dukej se nuk do të ndaheshin përjetësisht, pavarësisht se bota përreth nxitonte drejt progresit me revolucionet e saj:
“Kur shqiptarë të klaneve apo fiseve të ndryshme takohen mes tyre, ata vënë duart në pisqolla dhe pyesin njëri tjetrin: ‘I kujt fisi je? I kujt oxhaku?’… Kjo sepse ndoshta personi i klanit tjetër i detyrohet ndonjë gjak klanit të tij. Morali social i këtyre njerëzve qëndron në maksimën: ‘Kush hakmerret, shenjtërohet’ (pra nuk do të mallkohet, që nga frika, ai ka inkurajuar dhunën e të tjerëve). Në fakt, është njeriu më i afërt i familjes së viktimës, ai që duhet të hakmerret… Në shtratin e vdekjes të viktimës, një plak numëron ‘kokat’ që kanë rënë nga klani i tij dhe rekomandon në mënyrë fanatike vazhdimin e hakmarrjes”.
Interesant është fakti se gjatë kohës që kërkonte të njihte mekanizmin e gjakmarrjes shqiptare, e cila e çonte gjithnjë drejt tregimeve homerike, ai pikasi se gjatë “javës së shenjtë”, Pashkëve, shqiptarët dhe malazezët e ndalonin luftën mes tyre:
“Të hënën ose të martën, pas Pashkës, shkohet në varreza me një tabelë gjenealogjike, e cila trashëgohet brez pas brezi, ku janë të shënuar emrat e të vrarëve, çka ngjan shumë me diptikët e katakombeve të vjetra latine apo greke. Në varre ndizen qirinj ose vendosen flakadanë dhe dita kalon me lutje mortore për shpirtrat e tyre. Ekzaltohet kujtesa e tyre, dhe se gjithçka ata kanë bërë ka qënë e mirë. Për të vazhduar gjakun e tyre fisnik, me këtë rast bëhen lidhje martesore, krushqi ose vllamëri”.
Udhëtimi i Cyprien Robertit është i vështirë dhe me të papritura. Malet janë plot thepisje dhe duhet të guxosh që të ecësh dhe të bësh përpara, duke kaluar anash thepisjesh e humnerash. Dhe, diku në fshatin tjetër, vazhdojnë përsëri historitë e kodeve të vjetra të gjakmarrjes dhe të mikpritjes. Por, këtë radhë është fjala për “pagesën e gjakut”, një mënyrë për të ndaluar hemorragjinë e gjatë midis fiseve në gjak:
“Marrëveshjet mes fiseve në gjak bëhen përmes atyre që quhen ‘plak’. Zakonisht mblidhen 12 pleq së bashku (ose 24), të cilët ulen në formë rrethi, mbi një pirg guri, duke formuar kështu atë që quhet ‘rrethi i gjakut’, i cili drejtohet nga një kryeplak. Është ai që kërkon shpagimin e gjakut. Kambanat bien, gratë afrohen me veshjet e tyre më të mira dhe para kishës dhe flamurit të fisit në krye të saj bëhen lutje solemne. Dymbëdhjetë nëna të fisit që ka bërë vrasjen, vijnë duke mbajtur në gji foshnjat e tyre dhe ato rënkojnë nga dhimbja në këmbë të njeriut që ka pësuar tragjedinë. Ndërkohë pleqtë diskutojnë çmimin e gjakut. Të gjitha plagët e të vrarët numërohen me imtësi, duke caktuar çmimin që duhet paguar si në kodet e vjetra gjermanike apo në ritet e vjetra të frankëve. Më së fundi shfaqet fajtori, i cili ka varur në qafë armën që ka qëlluar viktimën. Ai zvarritet në gjunjë deri tek prijësi i gjykimit, i cili i heq atij armën nga qafa dhe e flak tutje. Familjarët e viktimës e marrin dhe e thyejnë atë. Kryetari i familjes tundet, qan, vështron qiellin dhe ndërkohë fajtori i puth gjunjët. Por, ai i përgjigjet: ‘Shpirti im nuk është ende gati’. Më së fundi, kur ai është gati ta falë, ai e ngre fajtorin e mbytur në lotë, e mbështet pas gjoksit të tij dhe bashkë me të hidhen në krahët e prijësit pajtues. Një paqe e përjetshme vendoset përmes betimit midis dy fiseve, të cilët sipas shprehjes ‘gjaku u përzje’ bëhen miq për kokë. Atij të cilit i detyrojnë gjakun, zgjidhet si kumbarë i fëmijës së parë që do të lindë nga fisi tjetër. Atëherë kjo familje shtron një gosti të bollshme, ku piqen dele dhe ndonjëherë disa buaj dhe ku hidhet valle. Në fund, para se të marrin leje të largohen, prijësi i familjes së viktimës u kthen një pjesë të pagesës ose shpesh dhe gjithë shumën e taksës së detyruar. Kuptohet që një gjendje e tillë shoqërore në Shqipëri e bën të pamundur çdo lloj administrimi të rregullt. Dhe, Porta Sublime mbetet armikja më e madhe e jetës klanike. Ajo çka kërkon Porta, përmes litarit e shpatës, është që klanet feudale të organizohen me bej trashëgues…”
Duke vazhduar udhëtimin e tij, Cyprien Robert kalonte nga një “bajrak” në tjetrin, i shoqëruar e i pritur gjithnjë me një mikpritje proverbiale. Edhe pse jeta e këtij populli i duket e ashpër, spartane, ai zbuloi se shqiptarët kishin njëkohësisht një zemër të madhe e bujare:
“Ashtu si dikur tributë e vjetra greke, të cilat ishin krijuar rreth konfederatave me dialektet e tyre si, eolianët, jonianët, atikët e dorikët, ashtu dhe shqiptarët grupohen sot rreth katër tribuve, apo grupimeve, si gegët, toskët, japigët dhe çamët. Gegët janë të ndarë në myslimanë sunitë dhe katolikë të ritit latin… Gegët dallohen me serbët nga fustanella e tyre e bardhë, që bën kontrast me ngjyrën e kuqe të gunës së tyre të hapur e të kapur në supe. Kjo gunë udhëtimi përvijon nga një kapuçon me majë, e cila është bërë për tu mbrojtur nga shiu. Të krishterët e kanë këtë gunë prej leshi të zi dhe shumë të shkurtër, në formë pelerine, çka i bën ata të ngjashëm me kalorësit e Kryqëzatave. ‘Flokata’ e tyre, një tunik i lehtë e pa mëngë (që të mund të bëjnë punë bujqësie), është e njëllojtë me gunën e sllavëve të Malit të Zi. Kapuçi i kuq me cepat e ngritur në të dy anët, që përdoret për të mbajtur fishekët ose paratë, po t’u besojmë tablove të vjetra, përdoret që nga koha e Skënderbeut. Ndërsa gratë flokët i kanë të ndara me tri gërsheta, zbukuruar me kurora lulesh e monedha, ashtu siç e shohim dhe në Bosnje. Nganjëherë ato i kapin flokët me gjilpëra, i bëjnë në formë vezake, si në zonën danubiane; kanë varëse prej xhami si dhe breza e byzylykë metali. Këmishat i kanë të zbukuruara me xhufka mëndafshi, çka të kujton kostumin simpatik të vajzave ballkanase…”!
Tek përshkruan kështu veshjen shqiptare, për të cilën ai kishte lexuar dhe në shënimet e admiralit të famshëm francez Edmond Jurien de La Gravière, për një çast mund të mendosh nëse ai ka blerë një kostum të tillë gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, ashtu siç kishte bërë Byron, apo udhëtarë të tjerë, veshje të cilën në Paris, Alexandre Dumas e vishte në sallonet mondane:“
“Hiret e kostumit shqiptar janë proverbialë. Kjo veshje është e ngjitur pas trupit, me kopsa ari që shkëlqejnë dhe qëndisje mëndafshi të të gjitha ngjyrave, nga qafa gjer në brez. Kjo e bën të dukshëm trupin e tyre dhe lëvizjet që ata bëjnë. Dy mëngët, shpesh të hapura dhe të shqitura nga krahët, tunden si dy krahë pas shpatullave. Por, ajo që e karakterizon mbi të gjitha pinjollin e fisit shqiptar është fustani, që të kujton keltët e vjetër, apo fundin e shkurtër të ushtarëve romakë. Fustani apo fustanella përbëhet nga 122 palë pëlhure, që bashkohen mes tyre. E gjatë pothuaj dy ‘këmbë’, kjo tunikë e zbukuruar me një qëndisje mëndafshi, shtrëngohet rreth kofshëve. Duket se jep një pamje naive dhe një forcë që e habit të huajin. Por, shpesh, fustanellat e bardha nuk janë të pastra. Një trim krenohet që ka veçse një fustanellë dhe se nuk do ta shqisë më atë nga trupi gjersa të bëhet leckë. Me këtë ai tregon përbuzjen që ka ndaj luksit.
Shqiptarët e rruajnë kokën ashtu si turqit, por me një ndryshim të vetëm, sepse ata, pas kokës, lënë një tufë flokësh që zakonisht nuk e presin. Në përgjithësi, në kokë mbajnë fesin e kuq. Ndërsa, shqiptarët e tjerë lënë t’u rriten mustaqet. Gratë e zbukurojnë kokën me monedha dhe me gërsheta të gjata që u varen anash. Këpucët e këtyre luftëtarëve janë një lloj çorapi i zbukuruar me togëza dhe xhufka mëndafshi, një imitim i ‘cothurne’-s antike. Ato zbresin deri tek këmba, e cila herë është e veshur me këpucë të kuqe safjani prej lëkure dhe ndonjëherë me një lëkurë të thjeshtë të pa përpunuar, e lidhur pas këmbës si një sandale me korelonë.
Shqiptarët nuk kanë shtrat tjetër veç tokës, mbi të cilën shtrojnë një shtresë gjethesh, apo qilimë të bukur të sjellë nga qytetet aziatike, ku i kanë grabitur. Ata flenë ashtu të veshur, duke hedhur mbi vete nga një lëkurë leshi, ose një lëkurë të thjeshtë deleje… Çdo klan ka bardin e vet që zakonisht është një plak. Ai u këndon nipërve bëmat e stërgjyshërve apo prijësve aktualë. Këngë që mbartin shpesh vrasje dhe pabesi të tmerrshme për sytë e një njeriu të qytetëruar, por që në botën e këtij populli nuk ka asgjë të turpshme. Janë këngë të ndara në kuplete, një lloj ‘psalmodie’ me një ton monoton, i ndërprerë në intervale të caktuara me thirrje kumbuese. ‘Brakovala’ e tyre është një marsh luftarak që këndonin luftëtarët e Skënderbeut që shkonin në luftë, apo këngë që shkojnë gjer në kohën e Pirro-s, me një efekt jashtëzakonisht të tmerrshëm”.
Padyshim që Robert gjatë gjithë udhëtimit të tij nëpër Shqipëri takoi e kuvendoi veç me burra, prijës, kapedanë që ishin kthyer nga luftëra të largëta, pleq të moçëm etj., pa mundur të hyjë në dialog me gratë shqiptare, të njohë jetën dhe botën e tyre. Gratë e vjetra ishin hijerënda dhe u dëgjohej fjala, ndryshe nga gratë e reja apo vajzat të cilat përgjithësisht u fshiheshin të huajve, veç kur duhej t’u shërbenin dhe të shtronin sofrat. Fati i tyre ishte parathënë në Kanun, siç i thoshin drogmanët. Ajo asnjëherë s’mund të dilte kundër Kanunit, fisit:
“Prostitucioni në këtë vend është i panjohur dhe gruaja që kapet në flagrancë masakrohet bashkë me atë që e ka bërë për vete. Megjithë këto principe të ngurta, shqiptari e njeh pak ndjesinë e xhelozisë. Ai e lë gruan e tij të shëtisë ngado dhe pa shami në kokë. Si tek çdo popull luftarak, edhe këtu gratë janë të përbuzura dhe i vënë në punë të rënda. Janë ato që ujisin tokat me mundin e tyre dhe nganjëherë luftojnë në krahë të burrave. Këto krijesa energjike meritojnë një fat më të mirë. Bukuria e tyre shpesh është e admirueshme”.
Roberti është ndoshta nga të parët studiues evropianë që interesohet për supersticionet e shqiptarëve. Madje, larmia e tyre është e jashtëzakonshme: ato ndryshojnë nga një krahinë në tjetrën. Por, ajo që është interesante është lidhja e tyre me kohën pagane:
“Jeta i ka bërë shqiptarët të fortë, të pandjeshëm ndaj ndryshimeve të kohës dhe të stinëve. Ajo që i jep fund ekzistencës së tyre është sëmundja e vetme që kalojnë gjatë jetës. Për gjithë këtë vend ka nja dhjetë doktorë grekë që kanë mësuar në shkollat e Pizës, Vjenës dhe Parisit. Ndërsa, për kirurgji nuk bëhet fjalë, pasi ajo është në dorë të xherahëve e fallxhorëve të cilët përmes lutjesh e melhelmesh, pretendojnë se shërojnë plagët. Vendi nga dalin këta lloj kirurgësh popullorë është zona e Zagorisë në vargmalet e Pindit. Atje ata ruajnë mijëra praktika tradicionale që në disa raste, dhe kjo duhet pranuar, janë të mrekullueshme. Ata arrijnë të zhdukin gjurmët e tmerrshme të një plage të bërë nga shpata. Ajo që të habit është se ata nuk i lejojnë të sëmurët e tyre të pinë gjë tjetër veç rakisë, me qëllim, siç thonë ata, që mishi të jetë i fortë e të mos gangrenizohet…
Gjatë barrës së tyre, gratë nuk e ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës së përditshme. Disa herë lindin atje ku punojnë. Pastaj e vendosin foshnjën në prehër dhe shkojnë t’u japin gji. Ato nuk vuajnë aspak nga lindja. Por, ka një zakon që nëna lehonë duhet të qëndrojë shtatë ditë e mbyllur. Gjatë shtatë netëve, fqinjët vijnë rrotull shtëpisë dhe bëjnë zhurmë që ajo dhe foshnja e saj të mos flenë, nga frika se mos gjatë gjumit të tyre ata bien pre e demonëve. Të çmendurit mjekohen nga murgjit të cilët i lidhin me hekura dhe i godasin me thupra, gjersa të thonë emrat e të gjithë djajve që i kanë pushtuar shpirtrat e tyre. Pastaj këta emra shkruhen me anatema në copa letrash, të cilat hidhen pastaj në zjarr… “
Ç’spektakël? Një film më vete. Sa më shumë ai depërton në jetën shqiptare, aq më shumë habitet me pasurinë e madhe shpirtërore të këtyre njerëzve që në vështrim të parë janë të ashpër si shkëmbinjtë, por që brenda kullave të tyre jetojnë me mitologjitë heroike e mistike:
“Nuk mund t’i numërosh mijëra supersticionet e shqiptarëve. Prifti në mënyrë solemne mallkon insektet e fushave, mallkon breshrin, largon stuhitë. Shpesh, përgjatë rrugëve, gjenden pemë të rrethuara me gurë aty ku ndahen degët e tyre: janë ‘ex voto’ dëshirat e tyre që njerëzit e thjeshtë, gjatë udhëtimit, i vendosin aty, me shpresën se hyjnitë e pyllit, të prekur nga ky blatim, do t’i çlirojnë gjymtyrët e tyre nga lodhja. Kjo shihet shpesh mbi burimet ku ka një kamare bosh, që duket se pret të vendosë një statujë. Ai që vjen të shuajë etjen, vendos në kamare një lule, një gur, një degë të gjelbër, disa qime nga mjekra e tij si një dhuratë apo homazh për hyjninë. Shqiptari ka veçanërisht frikë nga ‘syri i keq’. Sapo ai e ndjen se është parë nga një vështrim i mallkuar, ai menjëherë prek një hekur dhe qëllon me kobure, pasi ndryshe do të humbte rrugën, do të shkonte drejt greminës dhe do të binte në thellësitë ku janë ata që quhen ‘vrako-laks’, shpirtrat e vampirëve dhe gjakpirësit.
Për serbët, këta janë njerëz të vdekur apo të gjallë, që një demon vrasës, momentalisht i ka bërë për vete. Ndërsa për shqiptarët, ata janë një shpirt i pamposhtur që nganjëherë del mbi tokë në formën e një gjarpri të zi për të kafshuar njerëzit që flenë, apo që janë shtrirë të çlodhen, diku mbi bar. Mallkimi më i madh është të betohesh për këtë gjarpër. Kur shqiptari niset për një udhëtim të gjatë, gruaja e tij i qep në rroba disa copa nga veshja e saj, ndërsa ajo vetë qëndron e rrethuar nga objektet e burrit të saj të dashur. Ajo i shikon pa pushim këto objekte si shenja që i thonë diçka. Nëse natën qentë lehin jashtë pa ndonjë motiv të dukshëm, ajo pushtohet nga ankthet, pasi mendon se qentë i përgjigjen rënkimeve të zotit të tyre që është larg, që ndoshta është në burg, apo i vrarë në shkretëtirat e Tunizisë apo të Palmyre…”
Gjatë udhëtimit të tij, ai konstaton se çdo familje ka stemën e vet dhe çdo tribu flamurin e vet, i cili u trashëgohet fëmijëve kur ata nisen në ekspedita të largëta luftarake:
“Pajisjet e këtyre çetave gjithnjë jo të rregullta përbëhen nga një thikë e madhe, apo hanxhar me dorezë të zbukuruar dhe ai që mundet e ka prej argjendi apo me nakër perle; kanë nga dy-tri pisqolla shumë të gjata, thika bakri shumë të mprehta dhe zakonisht pushkë damaskine. Armët më të kërkuara janë karabina e quajtur ‘xhaferdan’ dhe pushka e gjatë shqiptare që quhet ‘arnautka’, e rëndë 12 livra, me 13 unaza që rrethojnë grykën dhe që qëllon gjer në 300 metra.
Prijësit veshin nganjëherë gunën e fisme (‘token’), e kohës së Mesjetës, me një mburojë shajaku me thile argjendi ose vermeij, dhe me ca lloj krahësh mbi supe. Por, pllakat metalike, me të cilat përbëhen këto pazmore, janë aq të holla sa duken si një teh shpate. Për t’u ruajtur nga plagët, çdo luftëtar bën kujdes që të ketë gjithnjë me vete një hajmali, të cilat trashëgohen nga ati tek biri…”!
Në çdo ndalesë, Roberti do të shkruante mbresa e copa dialogjesh, apo informacione nga bashkëbiseduesit e tij. Nga fiset malësore, ai pikasi se më i respektuari ishte fisi i Kelmendasve, zotër të burimeve të Cemit, Nikshit apo Vuklit:
“Peshkopi katolik i Kelmendit qëndron në Sarda, rrënojat e së cilës shihen ende. Duket se nga kjo familje janë dhe rrënjët princore të familjes Albani, e papës Klementi XI. Në vitin 1740, kjo tribu merr një goditje fatale me emigrimin e mijëra malësorëve të Kelmendit në qytezën Syrmin të Hungarisë. Pranë Mitrovicës (së Sremit – v.j.) ata krijuan fshatrat e tyre, duke ruajtur ritin e tyre latin katolik në mes të serbëve që ishin fqinjët dhe miqtë e tyre.”
Duke udhëtuar nëpër Shqipëri, ai pikas se rreziqet e udhëtimit janë të mëdha në këtë vend, edhe pse dëshira për ta përshkuar është e madhe:
“’Kavasët’ këndojnë këngë me bëma kleftësh, vëllezërit e tyre të armëve. Duke shkuar nga Ohri në Prizren, mund të studiosh shumë mirë ndryshimet morale që ekzistojnë midis bullgarëve barinj e gjysmë bujq dhe shqiptarëve barinj luftëtarë e gjahtarë të mëdhenj. E kalojmë këtë zonë ku banojnë këta gjuetarë, duke parë gjithnjë me shqetësim nga shkëmbinjtë. Çdo çast pandehim se përmes gëmushave do të shkëlqejë tyta e ndonjë pushke. Ngado që ndalojmë, barinjtë zbresin dhe vijnë t’i urojnë udhëtarit ‘rrugën e mbarë’. Rreth frëngut që ka ndaluar si mik, ata ulen rrotull tij mbi qilim dhe këndojnë. Me një ndjesi paqeje shikoja të zbardhte dita në ato pyje të mëdha, ku njerëzit janë vëllezër mes tyre. Në gjirin e këtyre çasteve plot paqe, nuk kisha më dëshirë asgjë tjetër: veç të bija e të flija mbi një shtresë që do shtroja aty ku do më zinte nata. Një ketër i ndjekur nga një ujk, vjen dhe gjen strehë në këmbët e kalit tim. Më tutje, një vajzë 15-vjeçare, e bukur si një engjëll dhe e vetme në atë zonë të shkretë, vjen dhe më ofron luleshtrydhet e pyllit, por pa pranuar që ta paguaj për këtë. Tutje, ciganët më sjellin dru për të ushqyer zjarrin e natës, pa menduar se do duhet t’i paguaj. Këta bohemë të këtyre luginave, që dallohen për lartësitë e tyre, janë njëlloj të shtypur si në pjesën tjetër të Shqipërisë…”!
Në shënimet e tij, Robert nuk na thotë se sa kohë qëndroi në Shqipëri. Përafërsisht, itinerari i tij, sipas atyre që ka shkruar, ka nisur nga bregdeti verior shqiptar, në Tivar e Kotorr, ku vinin anijet e para austriake të lundrimit, apo anije të ndryshme italiane. Që andej ai i është drejtuar Shkodrës, ku detyrimisht ka takuar guvernatorin turk të kësaj qendre të madhe dhe që andej ka nisur udhëtimin e tij drejt Kelmendit, Prizrenit, Mirditës, duke depërtuar gjithnjë e më shumë në jetën e trojeve shqiptare, për të përshkuar pastaj qytetet e njohura si Durrësin, Përmetin, Gjirokastrën, Janinën dhe duke krijuar kështu një imazh të plotë të krahinave shqiptare:
“Duke iu afruar Shkodrës, ne shohim ato fshatra të vogla anash rrugës, të ngjashme si shporta me shelgjishtër, ku një popull i fuqishëm e i pastër, punon e këndon, i frymëzuar nga ato male që ngrihen shkallë-shkallë gjer në lartësitë e dëborës. Pa çetat shkatërruese të malazezëve, këta njerëz punëtorë do ta bënin këtë vend të mbjellë me vreshta e ullinj si një Eden të vërtetë. Pamja e sipërfaqes së ujit të liqenit të Shkodrës është e mrekullueshme. Por, nëse duam ta kapërcejmë liqenin për të shkuar në qytet, bukuria e këtyre brigjeve humbet nga frika e udhëtarit për atë kaike, atë lundër të ndërtuar në hapësirën e një trungu të gërryer, pasi lëvizja më e vogël e gabuar, mund të sjellë përmbysjen e lundrës. Dhe, po të biesh në ujë, midis atyre barishteve që mbushin liqenin, edhe notari më i shkathët do kishte humbur në të. Nga larg, qyteti duket i këndshëm: janë pazaret dhe xhamitë që ngrihen me kupolat e tyre të shumta gjer afër majës së kodrinës, ku ngrihet kështjella e Rozafës. Edhe sot mund të ngjitesh tek kështjella, ku janë veçse nja dhjetë topa që funksionojnë ende, ndërsa ata që jetojnë aty, duke përbërë dhe garnizonin e Rozafës, janë veçse tremijë pleq e fëmijë. Pashai që rri aty është një njeri i qytetëruar: në selamllëkun e tij, apo sallonin e pritjes ai ka disa karrige, po dritaret e tij ende nuk kanë xhama. Poshtë fortesës është spitali dhe kazerma e re e nizamëve (ushtarëve)… Disa manifaktura në qytet prodhojnë armë dhe tregtojnë stofra, çka përbën industrinë e vetme të këtij qyteti prej 20 mijë banorësh…”!
Në tregun e Shkodrës, Roberti habitet me kostumet e tyre të shumëllojshme, veçanërisht të grave, jo vetëm katolike por dhe ato myslimane, apo atyre që zbrisnin nga malet, me rrobat e tyre të rënda, ndryshe nga rrobat e hijshme e elegante të grave të parisë së qytetit:
“Por më e habitshme është veshja e disa zonjave të bukura të disa fiseve, të cilat kanë hedhur përpara trupit katër përparëse, duke i lënë të tunden ato në ajër gjatë kohës që ecin”.
Shqipëria e mesme dhe e jugut, janë pothuaj në një gjendje letargjie, ku asgjë nuk ndodh dhe ku guvernatorët turq as që duan t’ia dinë për skamjen e madhe në të cilën jetojnë fshatarët dhe banorët e pakët të qyteteve. Ja ku i afrohet Durrësit, ku ndeshet me murin gjigand rrethues të kohës bizantine:
“Në vitin 1640, Franca ka patur këtu një konsull. ‘Varoshi’, lagja tregtare e qytetit shtrihet në këmbët e kështjellës, ku ka veç nja tremijë katolikë. Kisha e tyre i është kushtuar Shën Rrokut që në kohën e normanëve dhe është restauruar në sajë të ndihmës së një gjenerali francez në vitin 1809. Ajo kishte shërbyer dikur si katedrale e një arqipeshkvi latin. Persekutimet e turqve kanë bërë që arqipeshkvi të ikë në Kurbin, në zonën e Krujës, duke qënë kështu, në rast nevoje, nën mbrojtjen e pushkëve të mirditasve…”!
Pasi lë pas Petrelën, apo “kullën ajrore të Petralbas të cilës i ka mbetur veçse një kullë katrore që ngrihet mbi disa rrënoja, po në një lloj letargjie ai gjen dhe Elbasanin, ku në kështjellën e vjetër valëvitej flamuri i guvernatorit turk. Qyteti që dikur kishte 40 mijë banorë, tani kishte veçse katër frymë:
“Është kthyer në një lloj magazinë tregtare të portit të Durrësit. Tetëmbëdhjetë lega nga Ohri dhe dymbëdhjetë lega nga Berati, Elbasani ka një pozicion të këndshëm mbi lumin gjithë dredha të Shkumbinit, të quajtur dikur Genessus. Donzhoni ka katër turra të mëdha dhe ruhet tashmë nga bejlerë me mustaqe të bardha”.
Duke vazhduar udhën, ai mbërrin në Berat që, siç pohon ai, është “Albanopolis” për të cilin fliste dikur Ptolemeu, qendra ku rrinë një pasha dhe një arqipeshkv ortodoks:
“Ai ka 7000-8000 banorë dhe qyteti-fortesë duket si kulmi i kubesë qiellore që mund të formonin dy kryeqendrat e mëdha, Shkodra në veri dhe Janina në jug… Shqiptarët myslimanë i detyrojnë gratë ortodokse të ecin në rrugë me duart e kryqëzuara në gjoks, duke mbuluar kokën me shami ose me ferexhe”.
Pikërisht në Berat kishte udhëtuar dhe kronisti i famshëm turk Evlija Çelebi, i cili kishte lënë mjaft përshkrime e mbresa mbi qytetet shqiptare, ndër të cilët dhe për Beratin, ku ka ndaluar. Në librin e tij “Sehyatname” (Libri i udhëtimeve), ai shkruante:
“Në Berat ndodhen gjithsej 200 shtëpi të vjetruara, të mbuluara me tjegulla, shumica e shtëpive u takojnë të krishterëve. Bahçet janë të lëna pas dore. Ka mjaft sheshe të gjera. Gjithsej ka një xhami që mban emrin e Sulltan Bajazidit. Ajo është e gjerë dhe përbëhet nga një godinë e vjetër e stilit antik. Minarja është e ndërtuar prej guri. Xhamia, një xhami e vetmuar dhe e çuditshme, vizitohet nga pak besimtarë. Gjithsej ka tetë kisha. Njëra prej tyre, e madhe dhe e mbajtur mirë është shumë e stolisur. Të gjitha rrugët janë mbuluar me kalldrëm natyral (prej Perëndisë). Këtu shtëpitë janë të puthitura rreth mureve të Kalasë nga të katër anët. Por, përreth nuk ka aspak hendeqe, mbasi rreth e qark ka shkëmbinj të thepisur e gremina të tmerrshme. Nga ana jugore gjendet shkëmbi që quhet Çekbeni. Ky shkëmb dhe vendi rreth e rrotull është i rreptë, i tmerrshëm, është një humnerë shkëmbinjsh me kokë drejtuar nga qielli. Aty gjenden foletë e shpendëve grabitqarë si: petriti, gjeraqina, shqiponja, skifteri, zagnosi. Këta shkëmbinj janë aq të lartë dhe madhështorë, saqë njeriu nuk ka guxim të shikojë poshtë…”
Këto pamje do ta shtyjnë më pas Cyprien Robertin të rrëmonte dhe më shumë në historinë bizantine dhe anzhuine në Shqipëri, në aleancën e princave shqiptarë me anzhuinët për t’u mbrojtur nga ushtritë bizantine, kohën kur luftonin mes tyre garnizoni bizantin i Aleksit I, bazileus i Konstantinopojës dhe trupat e Charles I d’Anjou, atë kohë mbret i Mbretërisë së Napolit e Albanisë (“Royaume de Naples et Albaniae”). Në muret e asaj kështjelle ishte afruar me ushtrinë anzhuine kapiteni i famshëm Hygues i Madh, i cili ra rob në duart e bizantinëve.
Në Elbasan, pak vite më vonë se Roberti, një kujtim të bukur do të këndshëm dhe piktori anglez Edward Lear, i cili gjatë udhëtimit të tij kishte pikturuar shumë pamje interesante nga Shqipëria. Ai kishte ndaluar në Elbasan në 26 shtator të vitit 1848, siç e përshkruan dhe në ditarin e tij:
“Mëngjes i përhimët, i qetë dhe i këndshëm. Ajri duket dyfish më i nxehtë nga kontrasti midis fushave të ulëta dhe maleve të lartë, nëpër të cilët udhëtuam këto dy ditët e fundit. U nisa herët, për ta shfrytëzuar plotësisht ditën në Elbasan, një qytet me një pamje piktoreske të pashoqe, si vetë, ashtu edhe vendi ku është ngritur… Ende nuk kisha filluar mirë të vizatoja (nuk e kisha me vete as rojën, Beqirin), kur ia behën banorët e Elbasanit një nga një e dy nga dy, e shumë shpejt u mblodh një ushtri e tërë me nja tetëdhjetë, apo njëqind syresh, me kureshtjen e etur që u lexohej në sy. Mbarova së vizatuari ca prej ndërtesave kryesore, por kur i panë ato, nga turma shpërtheu njëzëri thirrja e përgjithshme ‘Shejtan’! Është pak e çuditshme të shpjegohet, por shumica e sehirxhinjve futën gishtat në gojë dhe filluan të fishkëllejnë si të xhindosur, siç bëjnë çirakët e kasapëve në Angli. Ndoshta ishte një lloj formule kundër magjisë sime, nuk e di, por papritur kuptova absurditetin e qëndrimit tim aty, duke vizatuar i ulur mbi një ledh, ndërkohë që një turmë e tërë më fishkëllente me sa fuqi kishte. Pa marrë parasysh pasojat, shpërtheva në të qeshur me gulçe, impuls që, me sa duket, u pëlqeu edhe gegëve, sepse filluan të gjithë njëzëri të lëshojnë britma kënaqësie, ndërsa ledhet përcillnin jehonën e atij gazi të hareshëm. Por, medet! Ky shend nuk zgjati shumë, sepse ia behu një nga ata dervishët e mërzitshëm – prej të cilëve ka sa të duash në Elbasan, me turbanët e tyre të gjelbër – që filloi të ulërinte me sa kishte në kokë mu në veshin tim: ‘Shejtan, shkrun! Shejtan’! (Shejtani vizaton). Ma morri bllokun, e mbylli gjithë inat dhe tregonte me gisht nga qielli, për të më treguar që perëndia nuk do ta lejonte këtë veprim të pafe. Pas kësaj nuk kishte kuptim të vazhdoja më. Thirrja ‘Shejtan’ u ngrit njëzëri në një kor të egër, pas së cilës vuajta edhe pasojat që kisha hequr festen nga koka (për të ndenjur më rehat), në formën e një rrebeshi të tmerrshëm gurësh, që më ndoqi nga pas edhe nëpër rrugët e mbuluara…”!
Por, fatmirësisht Roberti nuk ishte piktor. Në çdo qytet që ndalonte, ai shënonte përshtypjet e tij:
“Jo larg Vlorës ngrihet një qytezë e braktisur e Apolonisë që ‘Velleius paterculus’ e quante ‘një qytet të madh e të mrekullueshëm’… Nga tempulli i Apolonit, banorët kanë ngritur një kishë dhe një manastir kushtuar virgjëreshës Pollini. Pasuria e apoloniatëve të lashtë dëshmohet ende nga rrënojat e shumta, ku shpesh gjenden medaljone, vazo të shumta e të bukura, si dhe statuja. Në rrënojat e Apolonisë, ku dikur barinjtë e Homerit ruanin deshët e shenjtë të Hyjnisë së ‘dritës e të poezisë’, barinjtë e Mirditës vijnë këtu çdo vjeshtë të sjellin kopetë e tyre për kullota, por pa hyrë në rrethinat ortodokse të manastirit”.
Para syve të tij, Gjirokastra, me kështjellën e lashtë dhe akueduktin e famshëm, i ndarë brenda tij, i ngjan si një qytet me thepisje “ku urat i lidhin shtëpitë e fiseve të bashkuara”. Atij i duket “si qytetet e vjetra italiane të Mesjetës, ku qëllohej nga një shtëpi tek tjetra”: “Jo larg këtij qyteti, pikasim një fshat, i quajtur Goranxi, i cili ka një shpellë me guva dhe një liqen të nëndheshëm…”!
Ai shënon se në këtë zonë si dhe drejt Libohovës, apo Drinopolisit, ndodhen ndërtuesit e ustallarët e famshëm të burimeve dhe akueduktëve, ortakëria e quajtur e ‘terazëve’, të cilët janë të famshëm gjer në Kostandinopojë. Gjirokastra “ruan ende nja 4000 ustallarë të tillë, që gjenden më shumë në Hormovë, Nakovë, Dhoksat e gjetkë”. Ai shkruante se pas tempujve, “monumentet më të rëndësishme të qyteteve ishin krojet e ndërtuara nëpër burimet ujore”:
“Kjo bashkësi ustallarësh e ushtron këtë zanat në të gjithë Perandorinë. Ata kanë fituar zotësinë e sjelljes së ujërave nga distanca të gjata e pa shpenzime, duke i zëvendësuar akueduktët ajrore me kanale nëntokësore dhe ku për t’i dhënë forcën ngritëse, ata ndërtojnë ca piramida hidraulike të quajtura ‘taksim’, të cilat i ndeshim kudo në gadishullin ballkanik”.
Në këtë rrugëtim, ai kishte pikasur Kardhiqin, duke treguar njëkohësisht për historinë e dhimbshme të kohës së egërsisë së Ali Pashës, “çka të bën dhe sot të dridhesh”. Ai shkruan për derdhjen e Vjosës, pikëtakimin në Këlcyrë, “ku vendasit u tregojnë udhëtarëve një manastir të rrënuar që ka ekzistuar dikur e që ka qënë ndërtuar nga francezët, manastirin, ku Pouqueville kishte gjetur suliotët e fundit të përzënë nga Ali Pasha. Ata po vdisnin nga sëmundjet, para një prifti gjashtëdhjetë vjeçar, i cili parashikonte me dëshpërim se nuk do të mbeteshin gjallë”. Por, interes për të ka dhe Përmeti, ku që andej ai i drejtohet Thesprotisë, apo Çamërisë siç shkruan ai, duke përshkruar “Janinën me shtatë kisha e 14 xhami, një qytet i cili ka një spital, një bibliotekë të vogël dhe një kolegj grek”. Janina nuk ishte më ajo e kohës së Ali Pashës, e cila ishte bërë e njohur në gjithë Evropën.
Kur Cyprien Robert vizitoi zonën e Himarës dhe zbriti poshtë jugut shqiptar, nga Shën Vasia drejt Sarandës, Delvinës, Vurgut dhe brigjeve të Korfuzit, ai mahnitet nga peizazhet shqiptare, ku siç shkruan ai, “Shqipëria, ky kaos i potershëm shkëmbinjsh, çdo lloj pushtuesi i kundërvë malet Akrokeraune të Himarës”. Ai përshkruan gjithashtu dhe qytezën antike të Butrintit:
“Arkeologjia do të sillte zbulime të pasura në akropolin pellazgjik të Butrintit (Buthrotum), ku muri i dyfishtë rrethues, mban brenda vetes një grumbull të madh rrënojash pagane, kristiane, moreske, bizantine, normane, të cilat nuk janë eksploruar gjer më sot. Ky akropol ngrihet në një vend të shkretë, jo larg portit Butrot, apo Gerovoglia, që venecianët dhe pasuesit e tyre francezë të kohës së Republikës, e pushtuan pa u shqetësuar se çka në ato rrethina përreth… Banorët e Filatit e kishin kthyer dikur territorin e tyre në një oazë të vogël, me fusha ku mbillej mel, oriz, misër, duhan dhe që lulëzonte nga kopshtet. Para tridhjetë vjetësh, Filati ishte i zbukuruar me rrugë të shumta, akueduktë e burime. Por, tani është kthyer në një grumbull rrënojash”.
Robert na kujton se Franca ka patur konsujt e saj në kohëra më të largëta, duke na përmendur dhe shënimet e zëvendëskonsullit të Francës në Sajadhes (Konispol), z. Garnier, i cili përshkruante jetën në Janinë në fund të shekullit XVII, duke e krahasuar atë vend të begatë me Mersejin:
“Në shekullin XVIII, porti i Tulonit e merrte drurin nga Epiri. Anijet tona më të bukura janë ndërtuar me drurin e lisit të këtyre zonave, i cili është më i mirë dhe më i thatë, si druri i zonës së Baltikut. Druvarët suljotë e zagoritë, madje gjer në Arta, pasuroheshin me punën e tyre për konstruktorët francezë dhe ata betoheshin veçse për Francën dhe i bindeshin vetëm asaj… Pas qëndrimit të konsullit francez Dubroca, në Artë erdhi konsulli Boulle, i cili hapi një degë të re të konsullatës në Vlorë (Avlona), për të zëvendësuar kështu atë të Durrësit, që ishte shkatërruar dhe djegur nga ‘korserët’ piratë në shërbim të Venedikut, në vitin 1701. Gjatë vitit 1741, ai mundi të lehtësojë popullin e Parisit, duke dërguar grurë nga Epiri. Por, meqë Ministria e Jashtme franceze nuk e pagoi atë, ai u mbyt në borxhe dhe për t’i shpëtuar drejtësisë turke, e vetmja rrugë që gjeti ishte të bëhej turk. Por, letra e një renegati francez në vitin 1762, e dërguar nga Ténédos, e njoftonte mbretin e Francës se do të shkonte ta gjente atë martir. Në fakt, Boulle shkoi në Stamboll e më pas kërkoi para Divanit të bëhej kristian, duke e sharë Islamin, për çka dhe ia prenë kokën. Trupi i tij iu dha francezëve në Kostandinopojë. Por, një numër myslimanësh, në saj të shembullit të tij, kërkuan të bëhen të krishterë…”!
Roberti nuk harron të na kujtojë lidhjet e vjetra të shqiptarëve me frankët që në kohën e anzhuinëve. Madje, ai na kujton se mbreti i Francës dërgonte misionarë në Mirditë.
“Në vitin 1717, revoltat e gegëve bënë që konsulli francez i Durrësit të largohej. Duke u larguar, ai i la si detyrë një agjenti spanjoll që ndodhej aty, të kujdesej për misionet katolike”.
Dhe padyshim, veç interesimit, ishte dhe ndihma në para:
“A nuk duhet që Franca të zërë përsëri vendin e vet të dikurshëm mes shqiptarëve? Gjëja e parë që duhet bërë, është që konsullata të transferohet në Shkodër ose midis mirditasve. Prej kohësh është vërtetuar se kryeqyteti i vërtetë i shqiptarëve nuk është Janina, por Shkodra. Janina dhe konsullata e Përgjithshme e Francës atje janë bllokuar nga Anglia, e cila zotëron Korfuzin dhe ruan gjithë gjirin e Artës dhe bregun e Epirit. Pra, Franca duhet të largohet nga Epiri drejt Mirditës, e cili është gjithnjë e lirë. Megjithatë, tregtia jonë do të ndeshë veçse një konkurrente, Austrinë, e cila nuk do të jetë në gjendje që për një kohë të gjatë t’i bëjë luftë tregtare Francës”!
Ai e shikonte perspektivën e liqenit të Ohrit, me Drinin e Bardhë dhe Drinin e Zi, si një zonë që më vonë mund të kthehej si liqeni i Gjenevës dhe të ishte “Gjeneva e Evropës orientale”. Për Robertin, shqiptarët ishin jo vetëm njerëz të pushkës, por dhe të punës, veçanërisht ata që ai ndeshi në jug të Shqipërisë dhe në Epir:
“Shqiptari i Shqipërisë së Epërme kultivon vreshtat, ndërsa ata të Epirit kultivojnë ullinjtë. Ata presin gjithashtu lisat e pyjeve të tyre dhe i çojnë drejt bregut, ku ua shesin komisarëve të marinës austriake dhe angleze. Ndërsa, shqiptarët e disa qyteteve, veçanërisht të Janinës, ushtrojnë veçse zanate: ata janë artistët e ‘Turqisë së Evropës’. Ata shkojnë nëpër gjithë krahinat dhe shpesh, këta zanatçinj bredhës, duken si ato lutëset e çala të Homerit që ndjekin gjurmët e ‘l’Injure’. Janë ata që rindërtojnë qytetet e bashkëpatriotëve të tyre, ato që barinjtë luftëtarë kanë shkatërruar”.
Në mesin e shekullit XIX, Cyprien Robert ishte një nga intelektualët dhe njohësit më të mirë të Perandorisë Osmane dhe të historisë së popujve të Ballkanit e po kështu dhe një nga sllavistët më të mëdhenj. Madje, meqë Franca donte të ndihmonte revolucionin në Poloni, francezët dhe polakët e emigruar në Francë e zgjodhën atë si një nga drejtuesit e Komitetit Francez për Poloninë. Lidhje të ngushta ai krijoi ato kohë me një nga figurat më të ndritura të revolucionarëve polakë, Adam Mickiewicz. Roberti ishte një humanist i vendosur dhe një mbrojtës i lirisë së popujve të shtypur. Ja pse edhe në studimin e tij mbi shqiptarët, ai kërkonte çlirimin e tyre dhe qytetërimin social, si një shkallë vetëdije për fitimin e lirisë. Duke folur për të ardhmen e shqiptarëve, ai shkruante:
“Në Perandorinë Osmane, Shqipëria është padyshim vendi ku inteligjenca e këtij populli mund të krijojë. Të tillë ishin Aleksandri, Pirro, Skënderbeu, apo mund të jenë të tjerë shqiptarë me karakterin e tyre të pathyer, nëse tek ata do të shfaqej një hero për të zgjuar entuziazmin e tyre. Në paqe, ashtu si dhe në luftë, ky entuziazëm do të bënte çudira dhe shpejt gadishulli greko-sllav do të ndryshonte nën presionin e tyre. Por, në mungesë të këtyre njerëzve jo të zakontë, misionarë të thjeshtë mund t’i qytetëronin këta njerëz, ashtu siç është bërë tashmë me fisin e Kelmendit dhe që mund të bëhet po kështu me fiset e tjerë. Për këtë, atyre u duhen katër-pesë burra të lidhur vëllazërisht, që në marrëveshje me prijësit, të krijonin në Mirditë disa shkolla apo ndërmarrje industriale e bujqësore. Atëherë ne do të shikonim se ndjenja akoma më humane do të depërtonin brenda këtyre shpirtrave. Deri në malet e Himarës, rivalët e përbetuar do të mësonin të njihnin mëshirën dhe vlerën e pardonit, të faljes. Dhe, atëherë këto male ‘Acrocéraune’, aty ku fillon Perëndimi i errët dhe i egër, do të bëheshin si një fener i shndritshëm midis Orientit dhe Evropës. Dhe, fakte të reja do të zbuloheshin para historianëve, kur këto fise do të njiheshin më mirë. Ç’zbulime të mëdha do të bënin natyralistët, arkeologët, në këto vende që do të bëheshin më të lehta për t’i përshkuar. Çfarëdo që të sjellë shkenca, le të shpresojmë se një jetë më e lartë morale do të fillojë më së fundi për shqiptarët dhe që ata të mos jenë të dënuar nga indiferenca jonë…”!
Në vitin 1844, pas udhëtimeve të shumta nëpër Ballkan, ai përfundoi dhe botoi një nga librat e tij themelorë, “Sllavët e Turqisë”. Por një gjë është e habitshme: që në ato vite, Cyprien Robert e lidh fatin e Shqipërisë me Evropën, sikur Evropa të ishte një entitet i bashkuar, e padyshim, edhe pse e ndarë në mbretëri dhe e sfilitur nga luftërat nacionaliste, përsëri ai e shikonte Evropën si një të tërë, si histori dhe kulturë e përbashkët. E pra, ai nuk i ndante nga kjo as shqiptarët e harruar:
“Fatkeqësitë që kërcënojnë këtë popull mund të përballohen nga një drejtim paqësor i institucioneve. Konfliktet e përgjakshme që shpërthejnë çdo vit, midis katolikëve dhe ortodoksëve skizmatikë, mund të ktheheshin veçse në një betejë morale, por kjo do të bëhej veçse me një ndërhyrje evropiane, qoftë zyrtare, qoftë private…”!
Në vitet ‘50-’60 të shekullit XIX, një rëndësi të veçantë i kushtoi studimeve shkencore, historike e etnografike. Nga viti 1852 deri në vitin 1857, ai ishte shefi i katedrës së Letërsisë dhe Gjuhëve Sllave në “Collège de France” – institucioni shkencor më prestigjioz i Francës. Po kështu, vite me radhë punoi si redaktor i revistës më të njohur franceze të kësaj epoke, “Revue des Deux Mondes”, ku dhe botoi një sërë artikujsh studimorë mbi historinë dhe kulturën e popujve sllavë dhe atyre të Ballkanit. Duke iu referuar udhëtimeve të Robert nëpër Ballkan, Shqipëri dhe Evropën qendrore, interesant është dhe shkrimi i një akademiku francez, i cili në një studim për të, ka shkruar:
”Ai i eksploroi këto zona të mëdha me shkopin e pelerinit në dorë, me kureshtjen dhe shpirtin e filozofit dhe mëshirën kristiane në zemër. Ai u shkri në jetën e atyre njerëzve që t’i njihte mirë ata. Ndonjëherë u strehua në shtëpinë e ndonjë të pasuri, por zakonisht ai ndalej në shtëpitë e të varfërve. Fjeti nëpër tenda apo në qiell të hapët, në tokë, dhe shpesh u zgjua i mbuluar nga cipa e dëborës. Duke përballuar lodhje të tilla, ai mundi të vëzhgojë jetën e popujve, duke çmuar shkallën e qytetërimit të tyre. Dhe atëherë, ne e kuptojmë më mire, sesa pasuri morale e intelektuale i solli kjo gjë këtij udhëtari të mençur…”!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëASHIK QERIBI
Sekreti drejt zemrës së një gruaje!
Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Guri i Rozetës: Deshifruesit e vërtetë të kodeve të lashtësisë
Viti 1922: Në Shkodër lindi Marie Shllaku
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje