Nga: Bahri Beci
Kontributet e dhëna deri më sot për gjuhësinë ballkanike janë të shumta dhe, vetëm duke u nisur prej tyre dhe duke u mbështetur tek ata, mund të shkohet përpara në këtë problematikë me interes, jo vetëm për marrëdhëniet gjuhësore ballkanike, po edhe më gjerë, për marrëdhëniet e popujve ballkanikë në përgjithësi.
I. Studiuesit e derisotëm për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike
Lidhur me qëndrimin e studiuesve të derisotëm për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike janë përvijuar dy drejtime, një drejtim i parë që pranon rolin përcaktues të ilirishtes ose të parashqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike dhe një drejtim i dytë që e mohon mundësinë e rolit të shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike.
Fran Miklosich është i pari studiues që e shihte ilirishten a parashqipen si çelës për sqarimin e shumë fenomeneve ballkanike. Më 1861 Miklosich shkruante: “Jemi të bindur, se, nëse jo të gjitha afritë, shumica e tyre duhet të shihen si të dala nga elementi i vjetër autokton. Besojmë se ai element do të ketë qenë i njëjtë me atë prej nga ka dalë shqipja e sotme, që, sipas mendimit tonë, është pasardhëse e ilirishtes”.
Pikëpamjen e Fr. Miklosich-it e ka mbështetur edhe H. Schuchard, po ai e konsideronte shqipen si vazhduese të trakishtes. Edhe G. Weigand e kërkonte burimin e dukurive gjuhësore të përbashkëta ballkanike tek veprimi i substratit të përbashkët trako-shqiptar, duke e konsideruar shqipen, në ndryshim nga Fr. Miklosich, si vazhduesen e trakishtes. Sipas R. G. Solta-s “Gjuhë vendimtare e ballkaneve duhet të jetë pikërisht shqipja, pranë së cilës mund të vendosen rumanishtja dhe bullgarishtja”.
Edhe V. Friedman ka shkruar se “(…) Ballkani është qendër me vetveten, dhe gjuha shqipe merr një vend qendror atje” W. Schaller i ka klasifikuar gjuhët ballkanike në gjuhë ballkanike të shkallës së parë (shqipja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe rumanishtja), të shkallës së dytë (greqishtja, serbo-kroatishtja) dhe të shkallës së tretë (turqishtja, sllovenishtja dhe hungarishtja). Origjina e ballkanizmave, sipas tij, duhet kërkuar në gjuhët e shkallës së parë.
Në dallim prej tyre Kr. Sandfeld dhe J. Feuillet e mohonin rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike. Lidhur me këtë problem, Kr. Sandfeld-it ka shkruar: “është paimagjinueshme që një gjuhë kulture si greqishtja të këtë mundur të pësojë (…) ndikimin e një gjuhe barbare që nuk mbështetet në asnjë autoritet politik… “. “(…) gjurmët e ndikimit të shqipes në greqishte, sipas tij, janë shumë të pakta dhe të vërtetuara deri tani vetëm në fushën e leksikut”.
Edhe J. Feuillet ka shkruar që “ndikimi i shqipes mbi gjuhët e tjera është i dobët dhe, ka rëndësi vetëm për rumanishten”. Ai, duke folur për origjinën e formimit të numrave 11-19, ka shkruar se “Sa për gjuhën shqipe, e cila ka ushtruar shumë pak ndikim mbi gjuhët e tjera të Ballkanit, është shumë pak e mundshme të jetë në bazën e këtij fenomeni”.
II. Pikëpamja jonë për rolin e shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike
Dukuritë gjuhësore të përbashkëta të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike mund të grupohen në tipare ballkanike të shtrira në “mbarë shqipen” dhe në tipare ballkanike të shtrira vetëm në “krahinën dialektore të jugut” ose toskërishten.
Nga pesë dukuritë gjuhësore ballkanike të shtrira në mbarë shqipen:
1. prapavendosja e nyjës shquese;
2. bashkëpërkimi i rasave gjinore dhe dhanore;
3. rimarrja e kundrinave;
4. formimi i së ardhmes me ndihmën e foljes “dua”;
5. formimi i numërorëve 11 deri në 19 me ndihmën e një parafjale), vetëm dy dukuri, bashkëpërkimi i gjinores me dhanoren dhe formimi i së ardhmes me ndihmën e foljes “dua” shtrihen në mbarë gjuhët ballkanike, pra, edhe në greqishte, rumanishte, bullgarishte e maqedonishte, të tjerat kanë një shtrirje më të kufizuar.
Kështu, p.sh., prapavendosja e nyjës shquese, karakteristike për shqipen, rumanishten, bullgarishten dhe maqedonishten, po edhe formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale karakteristikë për gjuhën shqipe, rumanishten, bullgarishten, maqedonishten dhe serbo-kroatishten, po edhe format e mënyrës habitore karakteristike për shqipen, bullgarishten dhe maqedonishten mungojnë në greqishte.
Habitorja mungon edhe në rumanishte, kurse rimarrja e kundrinave nuk është përgjithësuar në rumanishte, ajo ndeshet më së shumti në shqipen, në të folmet maqedone dhe më e qëndrueshme në bullgarishten jugperëndimore, kurse më e rrallë në bullgarishten lindore.
Ndeshet edhe në disa të folme periferike serbe dhe kroate. Në greqishte ndeshet vetëm në dialektet e saj veriore. Siç shihet, këto dukuri dobësohen ose zhduken sa më në veri, lindje dhe jug të gjuhëve ballkanike të shkojmë; më të përgjithësuara paraqiten në viset perëndimore të Ballkanit, pra, në Shqipëri dhe Maqedoninë perëndimore. Mendoj se ky është një tregues që ndoshta nuk duhet nënvleftësuar ose harruar.
Nga sa jemi ne të informuar, në asnjë gjuhë tjetër ballkanike dukuritë e përbashkëta ballkanike nuk paraqiten të grupuara në dukuri të shtrira në mbarë gjuhën dhe në dukuri të shtrira në një dialekt të caktuar.
Një grupim dhe shtrirje e tillë e dukurive ballkanike në shqipen vështirë se mund të shpjegohet si rezultat i ndikimit e gjuhëve të tjera mbi shqipen; nga ana tjetër, vjetërsia e madhe ose shumë e madhe e këtyre dukurive në shqipen flet për nje zhvillim të pavarur të tyre në shqipen, po direkt a indirekt edhe për vjetërsinë e mbartësve të tyre në këto territore.
Pra, nuk mund të përjashtohet apriori mundësia e një rol më të madh se ç’është menduar deri tani, të shqipes në procesin e formimit të bashkësisë gjuhësore ballkanike. Këtu duhet shtuar që nga dukurit ballkanike që shtrihen në mbarë shqipen dhe në “krahinën dialektore të jugut” ose toskërishten (nëntë dukuri), në greqishte shtrihet vetëm një dukuri: bashkëpërkimi i gjinores me dhanoren.
Dy dukuri të tjera: 1. formimi i numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale, 2. rimarrja e kundrinave nuk janë përgjithësuar në greqishte, shtrihen vetëm në dialektet veriore të saj. Është, pra, një gjendje që e përjashton mundësinë e ndikimit të greqishtes në formimin dhe shtrirjen e nëntë dukurive gjuhësore të përbashkëta në tërësinë e territorit ballkanik. Për pasojë përjashtohet edhe mundësia e ndikimit të greqishtes në praninë e këtyre dukurive në shqipen.
Kjo e bën të papranueshme pikëpamjen e Kr. Sandfeld-it mbi rolin përcaktues të greqishtes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike C. Poghirc, duke folur për dukurit e përbashkëta ballkanike, shkruante se “Këto fakte autoktone karakterizojnë së pari shqipen e rumanishten; bullgarishtja hyn aty shpesh, por ajo ruan dukuri specifike që mungojnë në gjuhët e tjera ballkanike; greqishtja ka gjithnjë një pozitë të veçantë, duke qenë e prekur sidomos në dialektet veriore”. Të dhënat gjeografike dhe historike dëshmojnë që, në bazën e këtyre zhvillime të gjuhëve ballkanike është më e mundshme të jetë gjuha shqipe.
III. Kushtet gjeografike dhe historike që kanë përcaktuar krijimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike
“Ballkanizimi” besoj se duhet konceptuar si një proces gjuhësor dhe, si i tillë, ai nuk ka dhe nuk mund të ketë një moment të përcaktuar kohor të formimit të tij. Procesi i ballkanizimit, me sa duket, ka nisur para dyndjeve sllave, si kontakt ndërgjuhësor ndërmjet gjuhëve të veçanta, dhe fillimisht ndërmjet shqipes dhe rumanishtes. Pra, pyetja që shtrohet është se çfarë përfaqësojnë tiparet e përbashkëta ndërmjet shqipes e rumanishtes, përfshirë edhe ato me karakter ballkanik ose ballkanizmat dhe kur e ku janë zhvilluar ato në këto dy gjuhë? Këtë pyetje e ka shtruar edhe Kr. Sandfeld më 1930.
Është e sigurt, shkruante Kr. Sandfeld, që “afritë ndërmjet shqipes e rumanishtes nuk mund të jenë të rastësishme. (…), duhet të pranohet që në një kohë ata ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, dhe në ditët e sotme vështirë se dikush mund ta vërë në dyshim këtë (…)”. “Për t’i shpjeguar këto dukuri të përbashkëta të këtyre dy gjuhëve që nuk kanë kontakt gjeografik duhet të ngjitemi në një epokë të largët kur ato kanë qenë në kontakt”.
“Sido që të jetë, shkruante ai, është e sigurt që të gjitha këto afri ndërmjet shqipes e rumanishtes nuk mund të jenë të rastësishme. (…) duhet të pranohet që në një kohë ata ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me njëra-tjetrën, dhe në ditët e sotme vështirë se dikush mund ta vërë në dyshim (…). “Për t’i shpjeguar këto tipare të përbashkëta të këtyre dy gjuhëve që nuk kanë kontakt gjeografik duhet të ngjitemi në një epokë të largët kur ato kanë qenë në kontakt.
Sa kohë që nuk kemi asnjë dëshmi historike për marrëdhëniet midis popullit shqiptar dhe popullit rumun në të kaluarën e largët, mund të supozojmë, ose që shqiptarët fillimisht kanë banuar në rajone të vendosura më në veri, ose që rumunët kanë ardhur për të banuar nga rajone shumë më jugore në vendin që ata zotërojnë sot”. “(…) pjesa më e madhe e gjuhëtarëve të huaj (…) kanë mbrojtur pikëpamjen që kombësia rumune u zhvillua në shekujt e parë të epokës sonë, në jug të Danubit, në kontakt të ngushtë me shqiptarët dhe që shtrirja e tanishme e Rumanisë është për shkak të një emigracioni të mëvonshëm”.
“Kjo hipotezë, vijon Kr Sandfeld, e cila mund të mbështetet nga shumë argumente të tjera, pajtohet me faktin se një popullatë rumune, arumunët, është përhapur sot edhe në jug të Danubit. Tani dihet përgjithësisht që Daco-Rumanët dhe Arumunët, me Meglo-Rumunët dhe Istro-Rumanët në origjinë formonin një unitet, popullin primitiv rumun – gjuha e tregon këtë s’ka më qartë – dhe mënyra më e mirë për të shpjeguar shpërndarjen e tij në disa grupe është të supozosh se këto grupe janë nisur nga një vendbanim i përbashkët qendror, çka na çon përsëri në rajonet jug-danubiane (…)”.
Ajo që është thelbësore është se kjo popullatë duhej të jetë shtrirë larg në jug për të qenë në kontakt me shqiptarët ose paraardhësit e tyre (…). Konkluzioni në të cilin arrinte Kr. Sandfeld ishte se “asgjë nuk na pengon të pranojmë ashtu si Jerièek, që shqiptarët në një epokë të mëparshme, të kenë banuar edhe më në veri” dhe jepte si vend kontakti midis shqipes e rumanishtes trekëndëshin midis Nishit, Shkupit dhe Sofjes.
Sipas E. Çabej, për sa i përket kohës së kontakteve të shqipes me rumanishten, vlen ky arsyetim: “Me qenë se tiparet që afrojnë shqipen me rumanishten, shumica gjenden në të katër dialektet e rumanishtes, do të pranojmë se ato tipare janë të një kohe kur këto dialekte të pakën gjeografikisht nuk ishin shkëputur nga njëri-tjetri, i përkasin, pra, periodës së rumanishtes së përbashkët.
Kjo periodë mendohet se ka zgjatur afërsisht nga shekulli VI gjer në IX, të erës së re (…)”. Lidhur me vendin ku u formuan marrëdhëniet rumune-shqiptare, E Çabej shkruante se “shqiptarët shtriheshin në një trevë gjeografikisht mjaft të hapët të anës ballkanike perëndimore. Brenda kësaj treve, ndër të tjera Naissus-Nish, Scupi-Shkup e Astibos-Shtip (…) dëshmojnë që Dardania bashkë me viset kufitare të Maqedonisë e të Peonisë bëjnë pjesë në territorin e formimit të shqipes.
Edhe H. Mihaesku shkruante se “shqiptarët ishin fqinj, në verilindje me popullatën romane të luginës së Danubit dhe të Dakisë; në jug ata ishin në kontakt me grekët; në perëndim ata kishin raporte me detin Adriatik dhe popullatën romane të bregut; në veri, më në fund, ata shkonin përtej majave të malit Durmitor”.
Për djepin e Rumunëve do të veçoja mendimet e Ovid Densu’ianu (1873-1938). Sipas tij së paku deri në sh. VII-VIII, rumanishtja do të jetë zhvilluar në Ballkan, në jug të Danubit. “Ndodhi sidomos në jug të Danubit që ndikimi ilir mund të ushtrohej më lehtë, dhe pikërisht aty do kërkuar prejardhja e ndonjë prej veçorive të rumanishtes që e afrojnë atë me shqipen”.
Edhe Alexandru I. Philippide (1859 – 1933) mendonte se, së paku deri në sh. VII-VIII, rumanishtja do të jetë zhvilluar në Ballkan, në jug të Danubit. Edhe Sextil Pușcariu (1877 – 1948) ka shkruar se përkimet e rumanishtes me shqipen, na bëjnë të sigurt një gjë: “stërgjyshërit tanë kanë banuar bashkë me stërgjyshërit e shqiptarëve aktualë.
Meqë nuk kemi as shënime as indicie që shqiptarët të kenë jetuar në veri të Danubit, jemi të shtrënguar të pranojmë se së paku një pjesë e romanëve të vjetër ka banuar në jug të lumit”. Sipas S. Pușcariu-t, shqiptarët janë qysh në lashtësi në hapësirat ku jetojnë sot: shfaqen vonë në dokumente historike.
Ai theksonte idenë që “paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, do të kenë huazuar nga trakasit dhe e kundërta. Kështu mendonte se mund të shpjegoheshin përkimet midis dy gjuhëve aktuale, sidomos në aspektin fonetik (…)”. Besoj se edhe kaq mjafton për ta bërë të besueshme tezën mbi mundësinë e ndikimit të shqipes në formimin e tipareve të përbashkëta ndërmjet shqipes e rumanishtes në periudhën para dyndjeve sllave.
IV. Situata gjuhësore në Ballkan pas dyndjeve sllave
“Nga fundi i shek. V fiset turanike-bullgare dhe sllave (…) filluan të sulmonin dhe të plaçkitnin krahinat bizantine. “Katër provincat jugore ilire nuk shpëtuan nga dyndjet e barbarëve. Sipas Euagrit, avarët të pasuar nga sllavët, arritën në vitin 584 deri në dyert e Durrësit (Dyrrachion) dhe më 592 deri në qytetin e Lezhës (Lissos), por përsëri u tërhoqën drejt Veriut” “Rrjedha e ngjarjeve nuk ndodhi njësoj në mbarë trevat ilire.
Ndërsa në krahinat ilire veriore dhe në viset lindore të Gadishullit Ballkanik sllavët u vendosën me lejen që u dha perandori bizantin Herakli (610- 640) si banorë të përhershëm, katër provincat jugore ilire, pasi u çliruan nga administrata perandorake bizantine, nuk duket se u kolonizuan nga banorët sllavë.
Konkluzioni i matur që mund të nxirret për këtë çështje nga analiza e burimeve letrare bashkëkohore është ky: katër provinca perëndimore të Gadishullit Ballkanik (Prevalitania, Epiri i Ri, Epiri Vjetër, Dardania) nuk i shpëtuan stuhisë barbare, por me përjashtim të pjesës veriore të Prevalitanisë, ato qëndruan të paprekura, nga kolonizimi skllaven të paktën gjatë shekujve të hershëm mesjetarë.
Kjo do të thotë se banorët e katër provincave jugore ilire qenë, si dhe më parë, ilirë. Pavarësisht se në burimet historike të këtyre shekujve nuk përmendet as emri i ilirëve, as ai i arbërve (shqiptarëve), banorët vazhduan të ishin iliro-shqiptarët. Në pjesën lindore të Ballkanit “Sllavët u dyndën masivisht në jug të Danubit, në Dalmaci, Maqedoni, Thrakë, Moesia dhe madje edhe në Greqi, të joshur nga zonat e pasura urbane të Perandorisë bizantine.
Me vendosjen e sllavëve në këto territore ndryshoi tërësisht struktura etnike e Ballkanit. Gjuhët sllave jugore, kam parasysh këtu bullgarishten dhe maqedonishten, në këtë situatë të re, jo vetëm ndikuan te gjuhët që gjëllinin në këto territore, po edhe fituan prej tyre tipare të reja të ndryshme nga ato të gjuhëve sllave lindore a perëndimore, po të njëjta ose pjesërisht të njëjta me gjuhët e tjera ballkanike (1. humbjen e kundërvënies sipas hundorësisë; 2. zanoren ë- të theksuar; 3. prapavendosjen e nyjës shquese; 4. bashkëpërkimin e gjinores me dhanoren; 5. formimin e së ardhmes me ndihmën e foljes “dua”; 6. mënjanimin e paskajores; 7. formimin e numërorëve 11-19 me ndihmën e një parafjale; 8. rimarrjen e kundrinave), pra, u ballkanizuan.
Si rezultat i rrethanave të reja gjeografike dhe historike krijohet edhe një qendër rrezatimi e dukurive të përbashkëta ballkanike. Sipas M. Pavloviæ, ky territor është Epiri Grek dhe Shqiptar, kurse sipas Zb. Go³ab kjo zonë qendrore e Ballkanit është Maqedonia JugPerëndimore. P. Asenova ka shkruar se nyjën e proceseve konvergjente në Ballkan e formojnë dialektet jugore të shqipes, dialektet serbe të Prizren-Timokut, dialektet bullgare jugperëndimore, dialektet greke veriore (Epir, Maqedoni) dhe arumanishtja.
Sipas saj, rolin e një qendre ballkanike e ka luajtur pjesa jugperëndimore e gadishullit ndërmjet luginave të lumenjve Vjosa e Vardar, domethënë jugu i Shqipërisë, Epiri dhe Maqedonia perëndimore. Për M. Pavloviæ, ritheksonte ajo, kjo zonë ballkanike qendrore është Epiri grek dhe shqiptar. Edhe O. J. Nasteva ka ngulur këmbë që qytetet Ohër, Elbasan, Voskopojë, Korçë, Janinë, Kostur, Lerin dhe Sollyn paraqesin rajonin ekonomik e politik nga janë nisur gjatë shekujve shumë ballkanizma në dialektet dhe zonat gjuhësore fqinje. Është pikërisht ajo pjesë e territorit ballkanik ku kanë banuar e banojnë edhe sot, pothuajse tërësisht, shqiptarë. Pra, ka arsye të pranohet më shumë se deri tani roli i shqipes në formimin e bashkësisë gjuhësore ballkanike.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPema gjenealogjike e familjes së Skënderbeut
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
GJUHA SHQYPE
Thënie të Platonit: Ky qytet është ai që është, sepse qytetarët tanë janë ata që janë!
Tipare të prozës poetike te Migjeni
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Laert Haxhiu dënohet me burgim të përjetshëm
Drenusha zbulon testin e ADN-së që e ka bërë në SHBA, habit me rezultatet
Arne Slot befason të gjithë me përforcimin e fundit te LIverpooli
Vrasja e dyfishtë në Klinë, prokurorja dhe drejtori i Policisë japin detaje
Mike Tyson bëri kërkesë të pazakontë për rregulloren në luftën ndaj Jake Paul
Gjigantët brazilian kanë konfirmuar interesimin për Sergio Ramos – ndërsa raportimet për Real Madridin vazhdojnë