Bajrami: Deputetët që mbajnë pozita qeveritare po kryejnë vepra penale

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar ashpër ndaj disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët sipas saj po mbajnë njëkohësisht edhe pozita në Qeverinë në detyrë, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi.
Në një postim në Facebook, Bajrami tha se “lëndë në Gjykatë Kushtetuese mund të dërgojnë vetëm deputetët që kanë fituar mandatin, që janë certifikuar, që janë betuar dhe që votojnë në Parlamentin e Kosovës”.
Ajo theksoi se “nëse nuk je deputet, nuk mund të votosh në Parlament”.
Duke iu referuar Nenit 70 të Kushtetutës dhe vendimeve të mëhershme të Gjykatës Supreme, ajo nënvizoi se “deputeti nuk mund të jetë në dy funksione”.
Sipas Bajramit, nëse një ministër në detyrë është zgjedhur deputet, duhet të japë dorëheqje para certifikimit të rezultateve zgjedhore, ashtu siç e përcakton edhe Neni 26 i Ligjit për Qeverinë.
“Qeveria në dorëheqje NUK lejohet të miratojë as strategji dhe madje as koncept dokument”, shtoi Bajrami, duke e cilësuar të paligjshëm çdo vendim të tillë nga një ekzekutiv pa legjitimitet të plotë.
Ajo akuzoi Vetëvendosjen për “sfidim të rendit ligjor dhe kushtetues të Kosovës”, duke thënë se deputetët e kësaj partie “po e bllokojnë Kuvendin dhe po e rëndojnë jetën e qytetarëve çdo ditë”.
Sipas saj, në vend që të respektojnë ligjin, përfaqësues të Vetëvendosjes kanë nisur “një fushatë viktimizimi dhe propagande, duke pretenduar se po përgatitet arrestimi i ‘ministrave’ në llogari të partive të tjera”.
“Të veprojnë, të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën dhe të vlejë parimi për të gjithë: ASKUSH MBI LIGJIN!”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/


















































