Nga: Rosalind Jana (titulli origjinal: Scott Covert: Why one artist has made it his life’s mission to hunt down dead celebrities) / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Çka përmban emri? Zhuljeta mund të ketë menduar se trëndafili ka erë të këndshme, pavarësisht se si quhet, por në aspektin e punës së Scott Covertit emri na flet për gjithçka. Për dekada me radhë, artisti amerikan ka udhëtuar nëpër botë duke i mbledhur ata emra. Frank Sinatra. Marilyn Monroe. Andrew Cunanan. Valerie Solanas. Sammy Davis Jr. Judy Garland. Candy Darling. Shahu i Iranit. Edith Bouvier Beale. Yjet, figurat e kultit, liderët, vrasësit, miqtë e rastit: Coverti i ndjek emrat që flasin për diçka, pavarësisht nëse ajo “diçka” është talent, tragjedi apo turp. Metodat e rezultateve të Covertit janë jokonvencionale dhe intime, si dhe shumë të prekshme. Vë material mbi gurët e varreve dhe shtyp me ngjyrë.
Këto realizime përbëjnë bazën e serisë së pikturave të tij, Monumentet: vepra të dendura, shpesh masive, ku ngjyra përballet me tekstin. Te disa nga to, emrat ngatërrohen dhe turbullohen në atë që duket thuajse qindra njerëz e ndajnë të njëjtën kanavacë, si një ngastër toke. Në të tjerat theksohen në mënyrë më të mprehtë – Charlton Heston, Humphrey Bogart dhe Groucho Markx janë të dallueshëm, por të vendosur afër njëri-tjetrit. Mund të kalojnë vitet që një vepër të përfundojë, duke pritur vendosjen e duhur të emrave. Kjo mund të përfshijë armiqtë e përbetuar (Bette Davis dhe Joan Crawford), aleanca të pamundura (Amy Winehouse dhe William Blake) ose kontraste befasuese (është duke punuar në një vepër që kombinon trupën e Magjistarit të Ozit me viktimat e vrasjeve të Mansonit). Datat dhe epitafet gjithashtu shfaqen dhe ndërthuren. “Mbretëresha e fotove që varen në mur”. “Aktor, shkrimtar dhe superyll”. “Nëna e dashur”. “Me Zotin, në kënaqësinë e së bukurës dhe rinisë”. “Të gjithë ndonjëherë e duan dikë”.
Pikturat e Covertit janë aktualisht të ekspozuara në galerinë Studio Voltaire të Londrës. C’est la Vie është ekspozita e tij e parë personale jashtë ShBA-së, por ai e bën këtë punë për gati 40 vjet. Në vitin 1985 e bëri realizimin e tij të tillë të parë – të varrit – kur ishte në fillim të të tridhjetave: Supremja e vdekur i bënte homazh anëtares themeluese të grupit Supremes, Florence Ballard, e cila vdiq në vitin 1976 kur ishte 32 vjeçe. “Kam qenë gjithmonë person i Supremes”, shpjegon ai për BBC, përmes bisedës telefonike nga Nju-Jorku. “E dini, e bëj këtë shaka. Jam mik me Theodora Richardsin, vajzën e Keith Richardsit, dhe ajo më pyeti: ‘Kë preferon: Rolling Stones apo Beatles’? Dhe, unë i thashë: ‘Supremes’”. Nuk ishte i sigurt se çfarë saktësisht bënte kur e vizitoi për herë të parë varrin e Ballardit – në varrezat e Parkut Memorial të Detroitit – por, e dinte se donte të bënte diçka të tillë. “Kur e bëra, [kanavaca] rrëshqiti. Kështu që e bëra përsëri, me një tjetër ngjyrë. Dhe, atëherë më lindi ideja”. Më pas atë ia tregoi shoqes së tij, aktores dhe shkrimtares Cookie Mueller, e cila i tha Covertit që të hiqte dorë nga përpjekjet për aktrim – ku ai kishte synuar të krijonte karrierë dhe ta përqendrojë artin e vet.
Që atëherë, Coverti ka udhëtuar në të gjithë botën në kërkim të vendeve të fundit të pushimit të njerëzve. Nga Los Anxhelosi në Moskë, nga Egjipti në Angli ka ndjekur madhështoren, të mirën, të trishtuarën dhe të shëmtuarën. Është proces i thjeshtë. E zgjedh një emër – ose më mirë, “pushtohet” nga një emër. E bën gati një makinë ose valixhe me pëlhurë, letër, lapsa qymyri, pastel dhe ngjyrë. Ndoshta edhe disa piktura në proces pune. “Pyes veten çka dreqin do të bëj me këtë?”, thotë ai. “Dhe, pastaj marrë rrugën”. Udhëtimi është një formë e pritjes së pezulluar. Duhet të shkojë atje për të parë se çfarë do të dalë – cilin lloj të bisedës dëshiron ta bëjë me këtë figurë të heshtur, reputacioni i të cilit e ka mbijetuar ekzistencën trupore.
Mbiemri i tij [Covert] është i përshtatshëm për këtë, duke pasur parasysh se herë pas here i është dashur të jetë mjaft tinëzak në këtë proces. Do t’ju tregojë historinë rreth shokut që shpërqendron rojën e sigurisë jashtë varrit të Elizabeth Taylorit ose se si është dëbuar nga Egjuerbëri ku është varrosur Amy Winehouse. “Dua të them se tash jam më i vjetër… Por, jam ngjitur mbi gardhe, në mes të natës me një elektrik dore”, qesh ai. Pavarësisht nga vitet e kaluara, është i përcaktuar në këtë kërkim. E vetmja gjë që do ta ndalojë është mungesa e vërtetë e një varri. “Shumë njerëz janë djegur dhe hiri është shpërndarë”, psherëtin ai. “[Kjo] më zemëron”.
Magjepsja e Covertit me varrezat shtrihet që nga rinia e tij. “Jetoja pranë një varreze koloniale në Nju-Xhersi dhe ne shkonim atje dhe shtypnim, e dini, kafkat dhe gjërat e tjera … në klasën e katërt dhe të pestë”, shpjegon ai. Për të kjo nuk kishte të bënte vetëm me varret apo atë që ato përfaqësonin, por me mjedisin. I pëlqente vetmia. “Jam vetmuar”, thotë ai me kënaqësi. Sot ai ende punon, kryesisht i vetëm; shumë kohë kalon nëpër autostrada, në kërkim të varrezave të largëta. Aktualisht planifikon një udhëtim në varrin e piktores, skulptores dhe artistes kubano-amerikane, Ana Mendieta – në Parkun Memorial Sidër të Ajovës. Gjithashtu mund të ndalet në varrin e artistit gotik amerikan, Grant Wood – po ashtu në Ajovë. Nëse kalon nëpër Detroit, do të shkojë te varri i Aretha Franklinit. Në Çikago mund të vizitojë muzikantët e ndryshëm të bluzit, përfshirë Chester Burnettin. Pas Mendietas; ndoshta do të shkojë gjithashtu në jug, në Kanzas-Siti, për saksofonistin Charlie Parker dhe mbështetësen e prohibicionit, Carrie Nation.
Udhëtimet shpeshherë përfshijnë krijimin e një harte personale. Qoftë nëse dikush është duke shkuar në kërkim të burimeve të shenjta, vendndodhjeve të filmave të kultit, zogjve të rrallë ose të bëmave të inxhinierisë viktoriane, ai ofron një seri fijesh lidhëse që mbivendosen në kufijtë dhe terrenet e zakonshme. Dikush mund të ndiej se e gjithë bota e Covertit është e orientuar nga varrezat – secili si sinjal, potenciali i të cilit varet nga fakti se kush është varrosur aty. Është punë më e lehtë tashti me hartat e Google-it dhe me regjistrimet në internet, por dikur varret ishin të vështira për t’u gjetur. Coverti tregon se si e takoi njërin që u bë mik i dashur e që qëndroi pranë varrit ku pushonte Rita Hayworth në Kalvër-Siti. Ishte pjesë e të ashtuquajturit Nëntoka e Hollivudit, një grup i përkushtuar për gjetjen e varreve të të famshmëve, vendndodhjet e të cilëve janë mbajtur fsheht. Ai ishte burim i paçmuar informacioni.
Edhe pse e gjithë kjo mund të tingëllojë si diçka makabre, ka një cilësi të gjallë e kureshtare në punën dhe qëndrimin e Covertit: një ndjenjë e përkushtimit dhe obsesionit të sinqertë. Është përshkruar si Warholian në qasjen e tij ndaj kulturës pop dhe ndaj të famshmëve, por ka diçka jashtëzakonisht të sinqertë në këto piktura. Disa prej tyre mund të jenë të këqija dhe të tjerat të errëta (thotë se varret e Perry Smithit dhe Richard Hickockut të dënuar për vrasjen e familjes Clutter dhe që janë fokus i veprës Në gjakun e ftohtë të Truman Capotes, e bënë atë të ndihej “i neveritur”), por shumë nga to janë respektuese – madje të dashura. Coverti thotë se e zhvilloi mënyrën e tij të punës sepse donte të bënte piktura abstrakte. Një emër është thjesht një lloj tjetër shenje – një emër në të cilin “çdo prekje peneli” e bart gjithë jetën. Bëhet gjithashtu dëshmi se keni qenë diku. Vetë pikturat janë harta. Duke u realizuar, ato dëshmojnë se krijuesi ka udhëtuar gjatë gjithë rrugës, duke vozitur për 14 orë ose duke hipur në një aeroplan për të arritur në atë varr të veçantë dhe te personi i veçantë që ai e përkujton. Është, siç i tha dikur një mik tjetër, e kundërta e grafitit. Ai nuk lë gjurmë. Në vend të kësaj, ai e fiton atë me zell, duke grumbulluar një sërë numrash dhe shkronjash që përmbledhin një histori të tërë.
Në librin e saj Rezidencat e heshtura: Një jetë e tërë në varreza, poetja Jean Sprackland shkruan për mungesën e interesit të saj për gurët e varreve të të famshmëve. Në vend të kësaj, ajo tërhiqet nga “të pavërejturit dhe të harruarit, emrat e të cilëve nuk mund të deshifrohen më”. I pëlqen ato, thotë ajo, sepse ia kujtojnë “kohëzgjatjen e jetës njerëzore – se si njëri mund të jetë më jetëgjatë se tjetri, por se të gjithë e kanë një fund – dhe se si unë dhe të gjithë rreth meje jemi pjesë e modelit të përsëritur e të pashmangshëm të shfaqur kaq qartë këtu”. Ka diçka përulëse te të qenit në varreza, në kujtimin e brishtësisë së jetës dhe të pashmangshmërisë së vdekjes. Gjithçka duhet të marrë fund, përfshirë edhe neve. Vepra Në përkujtim e artistit britanik Nathan Coley (e vitit 2010), paraqiste një seri gurësh varresh që, për shumë arsye misterioze, ishin hequr nga vendi ku duhej të qëndronin. Në secilën prej tyre, emri ishte i gdhendur: një katror i zbrazët në vendin e tij, duke lënë pas mesazhe të prehjes dhe të kujtesës për më të dashurit. Në anonimitetin e tyre, ata u bënë diçka që mund t’i përkiste babait të dashur ose gruas së dashur të kujtdo. Të shkëputur nga funksioni i tyre specifik përkujtimor, u shndërruan – sipas shënimeve shoqëruese të veprës – përsëri në objekte: forma të latuara dhe të gdhendura nga guri ose graniti, në vend të kujtimeve të veçanta të dikujt; një jetë e tërë e ngjeshur mes dy datave.
Edhe nëse – si Spracklandi – dikush preferon të endet në mbretërinë e të vdekurve të zakonshëm, duke spekuluar për jetën e tyre (kush ishte Manuel M De Morentin që vdiq më 1895? Cila dhembje qëndron pranë varrit të Leander S.-së që jetoi vetëm për një vit?) ose duke u përpjekur të dallojmë shkronjat e shpërbëra, një emër na lidh me faktin se dikur atë e ka pasur një person, se e ka zotëruar atë. Por, me veprën e Covertit, këta janë emrat që i janë nënshtruar një alkimie simbolike, jo më thjesht si emër, por diçka që evokon një rrjetë të gërshetuar asociacionesh, të reputacionit, imazheve, ndjenjave të forta dhe të kujtimeve kolektive. A ishte humorist që i bënte njerëzit të qanin nga të qeshurat, një muzikant që ishte pionier i një tingulli të ri, një vrasës gjyqi i të cilit u mbulua gjerësisht, apo një aktore talenti i së cilës për të luajtur rolin e “biondes budallaqe” ishte aq i madh sa që njerëzit ende e ngatërrojnë? A njihet vetëm në qarqet më të përkushtuara, meqë tashmë janë zbehur nga interesi publik?
Të qenit i famshëm mund të jetë gjë e paqëndrueshme, vezulluese, mashtruese në premtimin për t’i “dhënë emër” dikujt, i pamëshirshëm në sakrificat që kërkon në këmbim të privilegjit për të mos u harruar. Por, të jesh i njohur dhe i përkujtuar mund të jetë gjithashtu dhuratë e madhe – një formë pavdekësie përtej varrit, që ruhet nga dashuria dhe nga admirimi i të tjerëve. Nëse një gur varri është një fjalë për të vdekurit që kanë ekzistuar dikur, atëherë është gjithashtu një pikë referimi për të gjallët, një vend pikëllimi, kujtimi, për biseda të njëanshme, për pelegrinazhe të veçanta, për vizita të përsëritura. Siç e pranon vetë Coverti, ai thjesht dëshiron të “bëjë diçka të bukur”. Por, duke e bërë këtë, shtron pyetje të ndërlikuara rreth asaj se si i kujtojmë të vdekurit – pyetje këto që dalin dalëngadalë në sipërfaqe, si një emër që shfaqet në një pëlhurë të hollë që ngjitet në një reliev prej bronzi. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme