Coppola, gjatë xhirimit të filmit, u kishte thënë disa herë miqve të tij që filmi “Apocalypse Now” do të jetë i pari i cili do të fitojë Çmimin Nobel për Paqe, sepse do të tregojë, më mirë se gjithçka tjetër, absurditetin e luftës. Në prezantimin e filmit Coppola u kishte thënë gazetarëve: Filmi im nuk është film. Filmi im nuk bën fjalë për Vietnamin. Filmi im është Vietnami.
Shkrim nga Blerim Shala, i publikuar më 2002 në Javoren Politike Shqiptare – Zëri
Të pakta janë fjalitë filmike që kanë siguruar paharrueshmërinë te publiku dhe te kritikët.
Të tilla janë, ta zëmë, “Play it again, Sam”, në “Casablanca”, “Bond, James Bond”, në “Dr. No”, filmin e parë të Agjentit 007 (këtë prezantim Bondi do ta përsërisë në të gjithë filmat e serialit) , “Rosebud”, në “Citizen Kane” (fjala e fundit para vdekjes e Kanet, të cilin e luan Orson Walles), “Nobody is perfect” në “Some like it Hot” dhe gjithsesi, “I love the smell of napalm in the morning” (“E dua aromën e napalmit në mëngjes”), të cilën e thotë Koloneli Kilgore (e luan shkëlqyeshëm Robert Duvall), në “Apocalypse Now” të Francis Ford Coppolas.
Secila prej këtyre fjalive është emblematike për këta filma antologjik. Kjo e Kolonelit Kilgore, dëfton sa afër çmendisë ishte lufta amerikane në Vietnam.
CONRAD DHE “HEART OF DARKNESS”
“Apocalypse Now” i Coppolas i edituar këtë vit (2002) si “Redux”, është, sipas vlerësimeve të pesëdhjetë kritikëve më të njohur anglezë të filmit, në revistën “Sight and Sound”, filmi më i rëndësishëm në njëzet e pesë vjetët e fundit. Të njëjtit rikonfirmuan më parë që “Citizen Kane” i Wallesit është më i miri në historinë e filmit. Të rrallë janë ata që e dinë që Walles ishte shumë afër realizimit të ekranizimit të romanit “Heart of Darkness” të Joseph Conradit, i cili do të jetë shtytës për xhirimin e “Apocalypse Now”. Walles kishte bërë adaptimin e suksesshëm për radio të romanit të Conradit, të botuar për herë të parë në vitin 1902, por nuk kishte arritur kurrë të xhirojë filmin. Në vend të tij, Walles kishte bërë filmin “Citizen Kane” për të siguruar kështu vendin në çdo antologji të mundshme të filmave më të rëndësishëm. Një film për smirën, suksesin, fuqinë e medias, manipulimin, çfarë ishte “Citizen kane”, kishte zënë vendin e atij bazuar në “Heart of Darkness”, ku Walles, ashtu si Coppola, shumë vjet më vonë, do të përpiqej të shpjegonte sekretin e të keqes në Njeriun, apo atë të “keqen metafizike”.
Shkrimtari polak, Joseph Conrad pra, me emrin e vërtetë Jozef Teodor Konrad Korzeniowski (1857-1924), do të jetë, me romanin e tij të shkurtër “Heart of Darkness” (“Zemra e errësirës), burim parësor i skenarit për filmin “Apocalypse Now”, të cilin do ta bëjnë bashkë John Milius dhe Francis Ford Coppola.
Conrad, autor i veprave të njohura si “Lord Jim”, “Nostromo”, “The Secreat Agent”, ishte detyruar të braktisë atdheun i ri dhe të bëhet detar. Siç do të theksojë në “Heart of Darkness”, detarët nuk kanë probleme të mëdha me shtëpinë dhe me atdheun. Shtëpia e tyre është anija, e deti është atdhe që gjithmonë është aty pranë. Një udhëtim i Conradit në Congo të Afrikës, do t’i lërë atij përshtypje të thella, të cilat pastaj do të provojë t’i sipërfaqësojë në “Heart of Darkness”. Congo ishte koloni e Beligjikës, e mbretit Leopoldit II. Kur Leopoldi II kishte dërguar ushtrinë e vet për të kolonizuar Congon, një vend dhjetë a më herë më i madh se Belgjika, kishte përmendur domosdoshmërinë e ngadhënjimit të dritës së qytetërimit evropian mbi errësirën e barbarisë afrikane. Qytetërimi evropian kështu, do të depërtojë në xhunglat e Afrikës, ashtu si edhe në Amerikë, në Azi dhe gjetiu: Me dhunë, me luftë, me nënshtrim, me vrasje.
Si askund më parë, Conrad do të shohë me sytë e tij në Congo pasojat e këtij kolonizimi, ballafaqimin subordinues të Afrikës ndaj Evropës, të shumësisë së zotërave, magjive dhe besëtytnive të afrikanëve ndaj monoteizmit evropian dhe fuqisë së teknologjisë evropiane.
Në fillim të “Heart of Darkness”, Conrad, përmes personazheve të tij, bën një krahasim sinjifikativ midis këtij kolonizimi dhe atij të Perandorisë Romake, kur u nënshtrua Britania e atëhershme, e cila tashti ishte bërë perandoria më e madhe në historinë e njerëzimit.
Përvoja e Conradit si detar në Congo, spikati kundërshtinë e madhe, mbase habitëse për të, midis përparimit dhe të mirës morale. Conrad s’ishte as i pari dhe as i fundit i cili do të gjejë veten të pafuqishëm para pyetjeve që adresonin origjinën e së keqes në Njeriun, posaçërisht tashti, në vitet e progresit të madh shkencor dhe teknologjik. Mbase, e keqja absolute njerëzore dhe e mira absolute hyjnore, mbesin të pakapshme për njeriun.
FEJA SI SHKURORËZIM MIDIS NJERIUT DHE NJËMENDËSISË
Në “Heart of Darkness”, një detar, që quhet Marlow, shkon të gjejë Kurtzin, një ish-detar, ish-tregtar dhe ish-evropian, i cili kishte braktisur misionin e tij dhe ishte lidhur me afrikanët, të cilët atë e trajtonin si zot. Kurtz kishte dalë “jashtë sistemit”, ishte bërë problematik dhe i rrezikshëm. Marlow udhëton drejt xhunglës, e cila fsheh enigmën e Kurtzit dhe atë të gjendjes së parë njerëzore, të armiqësisë dhe urrejtjes. Marlow takohet me Kurtzin pak para vdekjes së tij, sa për të kuptuar që ky më nuk ishte në gjendje të përfaqësojë qytetërimin në xhungël, sepse më nuk besonte në vlerat e qytetërimit, të cilat për të fshehnin të vërtetën dhe favorizonin rrenën.
Fjalët e fundit të Kurtzit, para vdekjes, ishin: “Tmerr…Tmerr…”.
Pas një periudhe kohore, Marlow takohet me të fejuarën e Kurtzit. Marlow, për të dëshmuar në këtë mënyrë përkatësinë e tij qytetërimit evropian, do ta gënjejë atë për fjalët e fundit të Kurtzit. Kështu, Marlow, i prekur nga mërzia e të fejuares së Kurtzit e cila e kishte dashuruar shumë atë, do t’i thotë asaj që emri i saj ishte fjala e fundit e Kurtzit. Asaj i duhej kjo fjali a gënjeshtër e Marlow-it për të mbajtur gjallë iluzionin e dashurisë së pafund të Kurtzit.
Në shpjegimet që i dha vetë Conrad romanit “Heart of Darkness”, shkrimtari do të thotë që ky është i bindur që nocioni i të keqes nuk mund të definohet kurrë në plotëni, prandaj edhe romani i tij ka paqartësi të theksuara. Pastaj, Conrad mendonte se shoqëria njerëzore është, në themel, kriminele, që krimi është “parakusht i domosdoshëm i jetës së organizuar”, që njeriu është një “shtazë e keqe”, që është në gjendje gjithmonë të gënjejë. Fjalët tona, sipas Conradit, nuk janë në gjendje të përshkruajnë këtë realitet të mirëfilltë të njeriut. Feja, besimi, për Conradin, është një mit, një shkurorëzim midis njeriut dhe njëmendësisë. Conrad, i cili njëherë kishte dështuar në përpjekjen për të vrarë veten (plumbi i kishte shkuar anësh zemrës), ishte i sigurt që e keqja dhe urrejtja nuk mund të zhduken me metoda të cilat ne i quajmë qytetërim dhe kulturë. Mënyra e vetme për t’i dalë në ballë disi të keqes, është vetë përmbajtja, efiçenca në punë, etika e punës, e detyrës dhe e kontrollit. Pastaj, Conrad thoshte që fiksioni letrar, është në gjendje t’i afrohet më shumë të vërtetës sesa historia, sepse letërsia bazohet në realitetin, ndërsa historia, në shkrimet dhe dokumentet zyrtare.
Sidoqoftë, Conrad nuk gjente vend për njeriun e mirëfilltë as në fiksionin letrar. Individi, sipas tij, ishte një hije, një pikë uji në oqean, krejtësisht i parëndësishëm në kohën e re.
XHUNGLA DHE LUFTA
“Heart of Darkness” si një synim, si kërkim i Conradit, pati ndikim të madh te John Milius, skenaristi dhe regjisori i njohur, i cili në vitin 1969, teksa lufta në Vietnam po mbërrinte zenitin e saj, gatiti skenarin për një film lufte, në të cilin, ishte i bindur ai, mund të ritheksoheshin mëdyshjet e Conradit për të keqen njerëzore si enigmë të pazbulueshme në përpjekjet e përhershme të vetë njeriut. Natyrisht, konteksti këtu ishte tjetërfare: Lufta në Vietnam ishte largë atij imponimi kolonizues të Belgjikës në Kongo.
Pastaj, Indokina ishte djep i një civilizimi të lashtë, dhe këtu, nuk mund të krahasohej me Afrikën. Megjithatë, shumëçka tjetër ishte e përbashkët: Xhungla, e keqja si “gjendje natyrore” njerëzore, lufta si raport themelor, urrejtja e thellë midis njerëzve dhe një njeri (Kurtzi, i cili këtu është Kolonel i Ushtrisë Amerikane), i cili, si prodhim i gjithë Evropës te Conradi, apo, si rezultat i Perëndimit të pas Luftës së Dytë Botërore, të obsesionuar me rrezikun nga komunizmi, kishte bërë atë kalimin prej racionalizmit perëndimor te çmendia (vështruar nga kuti perëndimor). Vetë titulli i skenarit (dhe i filmit), “Apocalypse Now”, ishte, siç do të thotë Milius, rezultat i një replike të tij ndaj një mesazhi të hipi “flower-power” lëvizjes të të gjashtëdhjetave, i cili porositte: “Nirvana Now”. Po ashtu, përdorimi i nocionit të apokalipsit, i referohej trashëgimisë biblike, ku apokalipsi, në fakt, ka dy domethënie: atë të popullarizuar në masë, për fundin e botës, për kataklizmën, por edhe atë të zbulesës, të përndritjes.
Duket që kjo dykuptimësi e vetë nocionit të apokalipsit, do të reflektohet në tërë filmin “Apocalypse Now”: Kurtz në sytë e oficerëve amerikanë, të sistemit të luftës, të botëkuptimit perëndimor, është njeri i kijametit, prishës i rendit, ithtarë i rrëmujës. Ndërsa, vetë Kurtz, preferon të përqafojë atë domethënien e njohjes së vetvetes, të zbulesës, të përndritjes, të cilën gjë ky e arrin përmes luftës dhe tmerrit. Establishmenti amerikan mendon që fuqia është dituri, është burim i të vërtetës, i gjithçkafes, rregullues i rendit të gjërave, Kurtz, përkundrazi, mendon që dituria është fuqi dhe burim i vetëm i së vërtetes.
Sipas Miliusit dhe Coppolas, shumë ngjarje të përshkruara në film, duke u nisur nga vetë Kurtzi, janë të bazuara në ndodhi të vërteta. Kurtzi i vërtetë ishte një tjetër Kolonel, që quhej Robert Rheault. Në një emision dokumentar anglez, dilte që Kurtzi i vërtetë i kishte shpëtuar vdekjes dhe jetonte në Los Anxhelos. Kurtzi i njëmendtë, pos tjerash, i kishte dërguar ambasadorit amerikan në Sajgon (kryeqytet i Vietnamit të Jugut) veshë të prerë të robërve të tij. Ky kishte krijuar një ushtri të vogël dhe kishte luftuar kundër vietnamezëve ashtu si kishte ditur, pa përfillur komandën amerikane. Më në fund, kishte ikur. Kur gazetarët e pyetën Kurtzin e vërtetë se a pendohet fare për mënyrën e egër të luftimit, ai ua kishte kthyer: Jo, fare.
Të jesh vrasës i pamëshirshëm në Vietnam, siç do të theksojë edhe Kapiteni Willard (Marlow i Miliusit dhe Coppolas), kryeprotagonisti i filmit, të cilin e luan Martin Sheen, ishte diç e zakonshme dhe e natyrshme. Por lufta amerikane në Vietnam kurrë nuk ishte prezantuar si diç e tillë para opinionit amerikan. Statistikat për këtë luftë tregojnë që në vitin 1960 SHBA-ja kishte vetëm nja 900 “këshilltarë” në Vietnamin Jugor, i cili nuk pajtohej me regjimin komunist të vendosur në veri të vendit, pas përfundimit të sundimit francez. Në vitin 1961 ishin bërë 3000 veta. Në vitin 1962 numri i trupave kishte mbërritur në 11000 veta. Në vitin 1965, kur Lyndon Johnson ishte kryetar i SHBA-së, ndodh shtimi marramendës në 181 mijë veta, një vjet më pas, në 385 mijë ushtarë.
577 KILOGRAMË MUNICION PËR NJË KOKË BANORI
Maja arrihet në vitin 1969, me 541,500 ushtarë amerikanë. Në këtë vit vdes Ho Chi Minh, lideri vietnamez. Po ashtu, në vitin 1969 ishin bërë përpjekjet e para për xhirimin e filmit “Apocalypse Now”.
Në Vietnam, forcat amerikane kanë hudhur më shumë bomba sesa gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore: 7093 milionë tona bomba të hedhura prej aeroplanëve, 7,016 milionë tona bomba prej armëve tokësore, 156 milionë tonë prej forcave detare, gjegjësisht 577 kilogramë municion për kokë banori. Në këtë luftë u vranë 56 mijë ushtarë amerikanë dhe së paku gjysmë milionë ushtarë vietnamezë.
Ishte kjo lufta e parë dhe e fundit e humbur nga Ushtria amerikane.
Njëra prej njësive elite amerikane që mori pjesë në këtë luftë ishte ajo “Green Baret” (me të cilën lidhet Koloneli Walter Kurtz), e cila përshkruhej në këtë mënyrë prej vetë luftëtarëve të saj: “Nëse vret për para, ti je mercenar. Nëse vret për kënaqësi, ti je sadist. Nëse vret për para dhe për kënaqësi, ti je beretë e gjelbërt…”
Helikopteri i kolonelit Kilgore në “Apocalypse Now”, i cili vret e pret vietnamezët në përcjellje të muzikës së Wagnerit, kompozitorit të madh gjerman i cili adhurohej prej Nietzches dhe prej Hitlerit, ka të shkruar në pjesën e përparme: “Death from above” (“Vdekja nga lart”). Njëri ndër kryeprotagonistët e filmit tjetër dedikuar luftës në Vietnam, “Full Metal Jacket” të regjisorit të madh amerikan Stanley Kubrick, ka në helmetën e tij të shkruar: “Born to Kill” (“I lindur për të vrarë”). I njëjti, nëse ju kujtohet, njëkohësisht bartë distinktivin me simbolin e paqes.
Janë këto disa statistika të përgjithshme dhe detale të veçanta të cilat tregojnë çfarë ishte lufta në Vietnam. Këto ndikuan që Milius dhe Coppola të bashkohen rreth idesë të xhirimit të një filmi të madh, i cili njëkohësisht do të ishte spektakular dhe domethënës, ku do të bashkëdyzoheshin e vërteta për luftën, të cilën nuk e dinte opinioni amerikan dhe kërkimi i shkaqeve të së keqes te njeriu. Zatën, Coppola, i cili tashmë ishte bërë regjisor shumë i njohur pas suksesit me dy filmat “Godfather” (“Kumbara”), gjatë xhirimit të “Apocalypse”, u kishte thënë disa herë miqve të tij dhe bashkëpunëtorëve që filmi “Apocalypse Now” do të jetë i pari i cili do të fitojë Çmimin Nobel për Paqe, sepse do të tregojë, më mirë se gjithçka tjetër, absurditetin e luftës. Pastaj, ai do të deklarojë shpesh që filmi i tij, para se gjithash, është një film kundër gënjeshtrës, kundër dyftyrësisë, sepse ai kishte kuptuar që një kulturë, ai ajo amerikanja në atë kohë, njëmend mund të rojë mbi rrenën për një luftë brutale çfarë ishte ajo në Vietnam. Milius si kryeskenarist do të shkruajë që ushtria amerikane i mësonte djelmoshat e ri se si duhet kallë njerëzit, ndërsa, në anën tjetër, ua ndalonte të shkruajnë fjalën “fuck” në aeroplanët e tyre të cilët bënin shkrumb e hi vendbanimet vietnameze.
Coppola nuk do të merr Çmimin Nobel, por filmi i tij, vërtet si asnjë më parë dhe më pas, do të dëshmojë tmerret e luftës në Vietnam. Shumë vjet më pas, një tjetër film, “Schindler’s List” i Steven Spielbergut do të arrijë të tregojë më mirë se kushdo para tij përmasat e Holokaustit.
SHUMË PARA, SHUMË TEKNIKË DHE ÇMENDI
Vetë xhirimi i filmit “Apocalypse Now” do të jetë rrëfim në vete. Coppola do të pohojë me një rast që filmi “Apocalypse Now”, xhirohej ashtu si kishte luftuar Amerika në Vietnam: Coppola (ashtu si Ushtria amerikane) kishte shumë para, shumë teknikë, ishte në xhungël dhe gradualisht po çmendej. Që Coppola kishte arritur rrëzë çmendisë, dëfton edhe storja e ardhjes së tij në Festivalin e filmit të Cannesit, në vitin 1979. Coppola kishte marrë një jahtë dhe rinte larg turmës. Në konferencën për shtyp, në prezantim të filmit, Coppola u kishte thënë gazetarëve: Filmi im nuk është film. Filmi im nuk bën fjalë për Vietnamin. Filmi im është Vietnami…Më vonë, Coppola do të pohojë që xhirimi i filmit ishte një kërkim i tij për katarzë, ashtu siç Marlow e kërkonte Kurtzin te Conradi, apo Kapiten Willardi Kolonelin Kurtz në filmin e tij.
Është interesant të theksohet këtu që Milius, në variantin e parë të skenarit, kishte planifikuar që filmi të xhirohej në Vietnam, gjatë luftës! Regjisori i paraparë për “Apocalypse Now” në fillim ishte George Lucas, atëbotë mik i Miliusit dhe Coppolas. Lucas, i cili në fillim ishte i entuziazmuar me skenarin dhe përkrahte idenë për të xhiruar filmin në Vietnam, do të heqë dorë nga “Apocalypse…” dhe do të jepet pas xhirimit të një filmi tjetër, i cili do t’ia ndërrojë plotësisht karrierën e tij dhe kinematografinë amerikane: Ishte ky filmi “Star Wars”. Sipas interpretimit të Lucasit, të cilin e ka hedhur poshtë Milius, “Star Wars” është në të vërtetë një “Apocalypse Now” i bartur në Gjithësi dhe në një kohë tjetër: Një fis, në “Star Wars”, i kundërvihet një Perandorie të fuqishme, ashtu si në Vietnam, një popull nuk iu dorëzua Perandorisë amerikane. Duket që Milius këtu ka të drejtë. Pra, Lucas artificialisht mundohet të tërheqë paralelet midis këtyre dy filmave të suksesshëm. Tekefundit, “Star Wars” është një përrallë filmike.
Xhirimi i filmit “Apocalypse Now” do të kushtojë 32 milionë dollarë, gjë që ishte një shumë marramendëse për vitet e shtatëdhjeta në Hollivud. 16 milionë dollarë këtu ishin të vetë Coppolas, i cili do të mbetej pa gjë prej gjëje, po të dështonte filmi. Ndërtimi i venbanimit të Kurtzit kishte zgjatur tetë muaj të plotë. Xhirimi i filmit ishte paraparë të përmbyllej për katër muaj, ndërsa zgjati 15 muaj, më së shumti në xhunglat e Filipineve. Për mëdyshjet e Coppolas dëfton edhe e dhëna që shpeshherë ndodhte që Coppola të ndërrojë skenarin një ditë para xhirimit. Coppola kishte përdorur helikopterët e armatës së Filipineve, të cilët, në disa raste, ishin tërhequr shpejtë nga qeveria për të marrë pjesë në luftimet e njëmendta kundër forcave rebele.
Ishin xhiruar krejtësisht 370 orë material, prej të të cilave varianti final ishte shtatë orë e gjysmë!!! Natyrisht, si i tillë nuk mund të shkonte në kinema, prandaj u dasht të shkurtohej në dy orë e gjysmë. Në variantin “Redux”, të përgatitur në vitin 2000, filmi zgjat mbi tri orë, apo 49 minuta më shumë sesa në atë versionin e vitit 1979. Një kuriozitet tjetër lidhet me Martin Sheenin, i cili luante rolin kryesor të kapitenit Willardit. Ky do të përjetojë infrakt të rëndë gjatë xhirimit. Ai madje ishte i bindur që do të vdesë, prandaj do t’i rrëfehet një prifti lokal katolik. Gjashtë javë pas këtij sulmi, Sheen, i ndihmuar edhe nga psikëterapisti i tij i cili kontaktonte me te përmes telefonit, do t’i kthehet xhirimit të filmit!
FILMI MË I ARRIRË PËR LUFTËN NË VIETNAM
Përkundër të gjitha vështirësive, “Apocalypse Now”, inkasoi 100 milionë dollarë, kishte tetë nominime për çmimin “Oscar” në vitin 1980, fitoi dy “Oscarë” (për fotografinë dhe zërin më të mirë), por jo edhe për filmin më të mirë dhe për regjinë (“Kramer vs.Kramer” i mori këto shpërblime). Megjithatë “Apocalypse Now” u laurua me Palmën e Artë në festivalin e Kanës, në vitin 1979. Më në fund, shumica dërrmuese e kritikëve të filmit pajtohen që në mesin e filmave për Vietnamin, ku janë edhe “Deer Hunter” i Michael Ciminos, “Platoon” i Oliver Stonet, “Full Metal Jacket” i Kubrickut, “Coming Home” i Hal Ashbyt dhe së fundit “We wers soldiers” i Randall Wallace, “Apocalypse Now” mbetet filmi më i arrirë. Natyrisht, ka edhe kritikë të cilët mendojnë se filmi i Coppolas është “emocionalisht i zbrazët”, që Coppola ka mbetur peng i fajësisë dhe veturrejtjes amerikane, apo edhe i një ambicie të madhe të xhirojë një film, ku, pos idesë bazike të luftës midis të mirës dhe të keqes, për burimin e të së keqes te njeriu, do të përpiqet të përfshijë referenca të nduarnduarta nga librat, muzika, historia etj.,etj. Dihet se filmi i Coppolas ringjalli interesimin për Jim Morrisonin dhe grupin “The Doors”, sepse kënga antologjike “The End” e Morrisonit, qëmoti të vdekur, ishte vendosur në fillim të filmit dhe i rrinte shkëlqyeshëm skenave të kalljes së xhunglës nga helikopterët amerikanë dhe vetë titullit të filmit.
Pas skenës së parë vjen prezantimi i kapitenit Willard, një oficer i lidhur me CIA-n, i cili i shtrirë në një hotel të Sajgonit, i mërzitur dhe i frustruar, pret për një mision tjetër special, tashti kur më nuk mund të paramendojë jetën e tij jashtë luftës dhe tej Vietnamit. Misioni i tij, siç i tregojnë oficerët e lartë, është të vrasë kolonelin Walter Kurtz, dikur një oficer të jashtëzakonshëm, i cili kishte vrarë katër oficerë vietnamezë lojalë Qeverisë së Sajgonit të cilën e përkrahte SHBA-ja, sepse ishte i bindur se ata ishin spiunë të dyfishtë. Pastaj, Kurtz kishte krijuar një ushtri private, të përbërë nga fise të ndryshme vendore, në xhunglat, në thellësi të Kamboxhias. Ata e llogaritnin Kurtzin si Zot. Sipas oficerëve të lartë amerikanë, Kurtz, të cilin e luan Marlon Brando i jashtëzakonshëm, tashmë ishte çmendur, qëndrimet e tij ishin të sëmura, të pabazuara (“unsound”) dhe dëshmia për këtë ishte edhe një incizim sekret, ku Kurtz dëgjohej duke thënë: “Kam parë kërmillin duke u zvarritur në maje të briskut. Kjo është ëndrra ime, makthi im. Kërmilli zvarritet në teh të briskut dhe shpëton…”. Kurtz në këtë incizim i thotë edhe këto fjalë: “Çfarë duhet thënë kur vrasësi akuzon vrasësin? Ata rrejnë. Ata rrejnë dhe ne duhet t’i mëshirohemi gënjeshtarëve…Unë i urrej ata. Unë i urrej ata…”
Gjenerali amerikan Corman, i cili e urdhëron vrasjen e Kurtzit, kështu shpjegon gjendjen e kolonelit të rebeluar: “Në secilën zemër njerëzore ndodh konflikti midis racionales dhe iracionales, midis të mirës dhe të keqes. Dhe e mira nuk ngadhnjen gjithmonë. Nganjëherë ana e keqe nënshtron ata që Lincolni (presidenti i njohur amerikan, vër.ime) i quan ‘engjujt e mirë të natyrës sonë’. Atëherë, njeriu përballet me atë pikën e thyerjes. Unë dhe ju e kemi atë pikë. Walter Kurtz tashmë e ka mbërri atë pikë. Dhe siç po shihet, ai është çmendur…”
WAGNERI, ROKU DHE VRASJET
Kapiteni Willard pa mëdyshur fort misionin e tij, edhe pse kësaj here duhet të vret një oficer të lartë amerikan, me një anije të vogël dhe ekipazh ushtarësh e oficerësh amerikanë që përziejnë Disneylandin, rok’n’rollin (kjo ishte lufta e parë e rok’n’roll brezit, do të pohojë Coppola), skijimin në ujë, bukuroshet e Playboyit dhe luftën në Vietnam, ia mësynë vendqëndrimit të Kurtzit, diku thellë në xhungël. Rruga e Kapitenit Willard i përngjet, me ndodhitë e tij, asaj të Uliksit të Homerit, tek kthehej në Itakë, në shtëpi. Por Willard tashmë kishte humbur çdo shpresë që ka ku të kthehej, ishte shkurorëzuar nga gruaja dhe nga atdheu dhe pushtimi i kampit të Kurtzit dhe vrasja e tij ishte bërë domethënia e jetës së tij. Sidoqoftë, në këtë rrugë që gjithnjë njeh ngjitjen në lumë kah Kurtzi, ekuipazhi i anijes së tij do të vrasë kot së koti disa vietnamezë, do të pësojë në disa raste humbje në njerëz, do të vizitojë një plantazh francez ku jetohet si në sallonet e Parisit (nuk duhet harruar që francezët ishin sundues të Vietnamit deri në vitet e pesëdhjeta), do të sulmohet me shigjeta thuajse është në fillet e kolonizimit të Amerikës, do të marrë pjesë në një paraqitje të misave të “Playboyit” para ushtarëve amerikanë, do të ballafaqohet me një betejë ku njësitë amerikane kishin mbetur pa komandantë dhe, më në fund, do të mbërrijë tek Kurtzi, i cili qysh në takimin e parë me Willardin, i tregon që e di se çfarë misioni ka ky, gjegjësisht që Willard ka për detyrë të vrasë atë.
Rrugës për te Kurtzi, pra, Willard dhe ne së bashku me të, kuptojmë që lufta amerikane kishte rrëshqitur në çmendi, prandaj, fenomeni Kurtz ishte konkludim i saj e jo përjashtim dhe kundërshtim i kësaj lufte. Zatën, skenat me kolonelin Kilgore janë të paharrueshme në ekstravagancën çmendurake të Kilgoret, i cili, siç tham më parë, sulmon një fshat vietnamez i përcjellë nga muzika e Wagnerit, kallë fshatin me napalm, shpërndan letrat e vdekjes mbi trupat e kufomave (për t’ju treguar vietnamezëve kush i ka vrarë), dhe mundohet të krijojë valë për të lundruar mbi to me dërrasë, thuajse është diku në plazhet e Kalifornisë. Ky Kilgore, megjithatë, është autor i njërës prej fjalive më normale në këtë film: “Një ditë kjo luftë do të marrë fund…”.
Në bisedat e Kurtzit me Willardin, të cilat zhvillohen pasi që Kurtz ia falë jetën Willardit, koloneli amerikan i tregon shkaqet pse ka vendosur të braktisë Armatën amerikane dhe të krijojë ushtri të veten. Ai çasti i thyerjes së madhe tek ai lidhej me një ngjarje në një fshat vietnamez. Njësia e Kurtzit së pari kishte hyrë në fshat për të vaksinuar kundër polios fëmijët e vegjël. Pasi që ishin larguar nga fshati, një plak me lotë në sy i kishte thirrë të kthehen prapa për të parë çfarë kishte ndodhur në ndërkohë. Ushtarakët vietnamezë kishin prerë duartë e të gjithë fëmijëve të vaksinuar dhe i kishin paluar në një vend. Porosia ishte e qartë: Prej amerikanëve, vietnamezët nuk duan as vaksina. Një zotim i këtillë i luftës, i cili nënkuptonte gatishmërinë për të vrarë me gjakftohtësi, pa pasion, pa gjykim, kishte befasuar shumë Kurtzin, dhe ky kishte kuptuar që lufta këtu nuk mund të fitohet pa pasur një kundëpërgjigje të ngjashme prej vetë amerikanëve. Pasi që ky e dinte që kjo nuk është e mundshme, edhe pse, sipas Kurtzit, “ekstremizmi në mbrojtje të lirisë nuk është ves”, atëherë, Kurtz kishte braktisur ushtrinë dhe ishte futur thellë në xhungël, në kërkim të kuptimit të së keqes njerëzore.
Skena me duart e prera të fëmijëve është e vërtetë, sipas Miliusit.
As në variantin e zgjeruar të filmit “Apocalypse Now” (në “Redux”, i cili është për 49 minuta më i gjatë) nuk janë përfshirë fjalët e Kurtzit në bisedën me kapitenin Willard, kur mundohet të elaborojë, të shpjegojë pikëpamjet e tij, tashti, kur për qytetërimin perëndimor ishte një i çmendur, për vietnamezët ishte një vrasës dhe okupator, ndërsa për ithtarët e tij në kamp ishte zot. Në këtë pjesë të filmit i cili fatkeqësisht nuk është përfshirë në versionet e edituara për publikun, Kurtz (ashtu si Nietzche një shekull më parë) thotë se shikimi i patrembur mbi greminë është pikënisje e mësimit të tij që vetëm ata që janë në gjendje të përballen me ankthet e ndryshme janë të aftë të kuptojnë sekretin e jetës. Shtaza njerëzore, vazhdon Kurtz më tej, nuk ka kufi dhe ajo do të jetë në gjendje të arrijë gjëra që sot duken të paimagjinueshme.
EPILOGU: ÇMENDI OSE VDEKJE
Edhe pse e dinte mirë pse ka ardhur tek ai, Kurtz, jo vetëm që nuk e vret Willardin, por, për më tepër, e josh atë ta kryejë misionin. Kështu edhe ndodh: Në skenën antologjike përfundimtare, në dy rrafshe, zhvillohet akti i flijimit: Në një anë, sakrifikohet gjedhi, në ritualin vietnamez të flijimit, në prani të qindra ithtarëve të Kurtzit, ndërsa Willard vret me thikë Kurtzin, i cili i flijohet rrenës për çmendinë e tij pasi që nuk mund të bashkëjetojë me të vërtetën e mësuar gjatë luftës në Vietnam. Fjalët e fundit të kolonelit Kurtz, janë po ato të Kurtzit të Conradit në “Heart of Darkness”: “Tmerr…tmerr…”.
Vdekja e tmerrshme kështu, për Kurtzin, është shtegdalje e pranueshme karshi jetës në shoqëri me tmerrin. Të vërtetat që zbulohen në luftë (dhe duket vetëm në luftë), kanë peshën e papërballueshme për njeriun.
Vrasësi i Zotit (Kurtzit), Kapiteni Willard, del pastaj nga vendstrehimi i Kurtzit dhe atij i përkulen të gjithë, si një zotit të ri. Ky, megjithatë, nuk mbetet aty, por i hyp anijes dhe braktis vendin e krimit.
Kështu përfundon filmi “Apocalypse Now”.
Coppola pohon që fundi i filmit ka qenë po aq problematik për të sa edhe fillimi i tij. “Apocalypse Now”, në esencë, ishte film luftarak, por këtu nuk mund të kishte përfundim klasik të një filmi të tillë, ku ndodhte beteja finale dhe ushtria amerikane fitonte luftën. Dihet si ka përfunduar lufta në Vietnam. Pastaj, në filmin, i cili pretendon të shfaqë në një vend dhe një kohë të caktuar përballjen e amshueshme të së mirës dhe të keqes, rrëfimi nuk merr konkludim të happy endit, aq shumë të preferuar nga Hollivudi dhe publiku. E mira dhe e keqja nuk përfaqësohen dot nga Kurtz dhe Willard në atë trajtën e pastër. Gjithçka këtu relativizohet: edhe racionaliteti, çmendia, e mira, e keqja.
Coppola kështu arrin tek ajo paqartësia e Conradit në definimin e të keqes, e shprehur në “Heart of Darkness”. Ai i përngjet, me lodhjen e tij me xhirimin e filmit, vetë Kurtzit, në çastet e fundit të jetës.
Filmi duhej të përfundonte, qyshdoqoftë, ose ky (Coppola) do të çmendej. Zatën, këtu, në shqyrtimin e këtyre temave të mëdha, as që mund të ketë farë përfundimi, farë rrumbullakimi.
Pas përfundimit të filmit, Coppola, me kërkesë të autoriteteve të Filipineve, ishte detyruar që të shkatërrojë me eksploziv vendbanimin e Kurtzit. Kështu, edhe në realitet, jashtë filmit, Coppola u detyrua të sillet si gjatë xhirimit të tij.
“Apocalypse Now”, si një vepër artistike, si një fiksion, flet më shumë për një histori sesa dhjeta libra të historisë.
Këtu Coppola vërteton mësimet e Conradit. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje