Zyrtarët doganorë gjejnë dy ora luksoze në valixhen e një udhëtari në aeroport, iniciohet procedurë për kundërvajtje doganore
Gjatë kontrollit rutinë të udhëtarëve në arritje, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, zyrtarët doganorë kanë identifikuar mallra të padeklaruara me vlerë të lartë.
Në njoftimin e Doganës së Kosovës bëhet e ditur se gjatë skanimit të bagazheve, në njërën nga valixhet e një udhëtari janë gjetur dy orë të reja luksoze, për të cilat personi nuk ka paraqitur faturë apo dokumentacion përcjellës, siç kërkohet sipas procedurave doganore.
“Mallrat në fjalë janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës rikujton të gjithë qytetarët dhe udhëtarët për detyrimin e deklarimit të mallrave me vlerë të lartë, duke theksuar se çdo mosdeklarim paraqet shkelje ligjore dhe mund të rezultojë në masa ndëshkuese. /Telegrafi/


