Kurti: Rezultatet e Exit Polleve për Mitrovicën duhet të hetohen
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për media ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve të 12 tetorit janë dëshmi që LVV është ngritur si forca kryesore politike në Kosovë në nivel lokal.
Ai shtoi se nga sot do t’i përvishen punës për balotazh, derisa falënderoi qytetarët për mbështetjen.
“Synimi ynë është i qartë që kandidatët tonë të fitojnë edhe në këto komuna që të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë të cilën qytetarët e meritojnë dhe që komunat tona të ecin përpara”, tha Kurti.
Sa i përket rezultateve të Exit Polleve të publikuara mbrëmë për Mitrovicën, Kurti kërkoi që të hetohen.
“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar, nuk bëhet fjalë vetëm për një huqje por për një ingjenerik të paramenduar për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më shumë nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk ishte vetëm huqje por cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe integritetit e sigurisë së shtetit”, tha Kurti, derisa i ftoj organet e drejtësisë të merren me këtë.
Kurti u shpreh i bindur se do të fitojnë si subjekt në komunat të cilat ka shkuar në balotazh.
Vetëvendosje (VV) ka fituar 3 komuna pa balotazh: Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.
Në 12 komuna të tjera shkon në balotazh: Gjakovë (kundër AAK), Gjilan (kundër LDK), Fushë Kosovë (kundër LDK), Mitrovicë (kundër PDK), Kaçanik (kundër PDK), Obiliq (kundër LDK), Rahovec (kundër AAK), Pejë (kundër LDK), Prishtinë (kundër LDK), Prizren (kundër PDK), Viti (kundër LDK) dhe Vushtrri (kundër PDK). /Telegrafi/


