Vuçiq kërcënon: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO
Kongresisti amerikan Keith Self, së bashku me Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë dorëzuar në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë që shpreh mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Megjithatë, kjo nismë është kundërshtuar ashpër nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka deklaruar se Beogradi do të angazhohet për ta penguar atë.
“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me NATO-n dhe jemi në bisedime me ta. Shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të përpiqemi që një gjë e tillë të mos kalojë. Mos harroni se katër vende anëtare të NATO-s, si dhe pesë shtete të BE-së, ende nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh si diçka që mund të kalojë lehtë, por mbetet të shihet”, tha Vuçiq për mediat, sipas agjencisë serbe “Tanjug”.
Në rezolutën e propozuar nga kongresistët amerikanë theksohen disa arsye pse Kosova duhet të bëhet pjesë e NATO-s. Aty thuhet se, përballë përpjekjeve të aktorëve që synojnë destabilizimin e rajonit, anëtarësimi i Kosovës do të shërbente si një kundërpeshë e rëndësishme për të frenuar veprime armiqësore dhe për të shmangur një krizë të re në Ballkan, shkruan NIN.
Aktualisht, katër vende të NATO-s - Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja - nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Rezoluta u bën thirrje këtyre shteteve që të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është vendimtare për të hapur rrugën drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që mund të shfrytëzohet nga kundërshtarët.
Sipas kongresistit Self, Kosova ka treguar përkushtim ndaj stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit me NATO-n, por procesi i anëtarësimit po pengohet nga mungesa e njohjes prej disa aleatëve.
Ai theksoi gjithashtu se SHBA-të duhet të inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që të rishikojnë qëndrimet e tyre, duke siguruar një rrugë të qartë dhe të realizueshme për anëtarësimin e Kosovës.
Në fund, në rezolutë nënvizohet se pranimi i Kosovës në NATO është i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore. /Telegrafi/


