Please enter at least 3 characters.

Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot në ora 13:30 u bë shpallja e aktgjykimit ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt janë bashkëshorti i saj, Naim Murseli dhe dy persona tjera, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Murseli dhe Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërkaq i akuzuari i tretë Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim.

Prokuroria në fjalët përfundimtare ka kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, pasi sipas tyre vrasja ishte organizuar dhe kryer në mënyrë të planifikuar dhe në prani të fëmijëve.

Mbrojtja e të akuzuarve ka kundërshtuar akuzat.

Ekipi i Telegrafit nga vendi i ngjarjes ka raportuar për të gjitha zhvillimet në seancën ku u shpall aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve.




21/04/2026 15:30- Haxhiu: Drejtësia dha përgjigje të fortë për krimin mizor ndaj Liridona Ademajt

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt, duke e cilësuar vendimin si një përgjigje të merituar ndaj një krimi që tronditi vendin.

“Sot, me dënimin me burgim të përjetshëm të përgjegjësve për vrasjen e Liridona Ademajt, drejtësia dha një përgjigje të merituar dhe të fortë ndaj një krimi të rëndë që tronditi mbarë vendin", ka shkruar Haxhiu.

Lajmi i plotëKËTU

21/04/2026 15:29- Avokati: Do ta çojmë në Apel dënimin me 30 vjet për Kokallën

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla ka paralajmëruar se do të apelojë dënimin prej 30 vjetësh burgim ndaj Kushtrim Kokallën, pas shpalljes së aktgjykimit nga gjykata.

Pas vendimit ku Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, Syla tha se vendimi është marrë në përputhje me provat e paraqitura gjatë procesit gjyqësor.

Lajmi i plotë KËTU

21/04/2026 15:07-Brenda sallës së gjyqit - pamje nga momenti i shpalljes së dënimit për vrasjen e Liridona Ademajt


Në ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë është shpallur sot aktgjykimi për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur opinionin publik në Kosovë.

Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “vrasje e rëndë”, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim për “ndihmë në kryerjen e veprës penale”.

21/04/2026 15:04-

Pas shpalljes së aktgjykimit në rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ka reaguar vëllai i saj, Leonard Ademaj, i cili tha se vendimi gjyqësor konfirmon qëndrimet e familjes që nga fillimi i rastit.

Ai u shpreh se vendimi i gjykatës përbën një formë drejtësie për Liridonën dhe fëmijët e saj të mitur.

“Ajo që u vërtetua sot është ajo që ne kemi thënë prej fillimit, që Naimi së bashku me Kushtrimin duke zgjedhur Granitin si vrasës kanë realizuar këtë krim”, deklaroi Ademaj.

Ai theksoi se vendimi ka rëndësi të madhe emocionale për familjen dhe shoqërinë.

“Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën dhe fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre", tha ai.

21/04/2026 13:52- Naim Murseli dhe Granit Plava dënohen me burgim të përjetshëm, Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti për Krime të Rënda e ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

Murseli është shpallur fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”.

Me burgim të përjetshëm është dënuar edhe i akuzuari tjetër Granit Plava. Ai është shpallur fajtor për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “vrasje e rëndë”.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.

Kokalla është shpallur fajtor për veprën penale “ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

21/04/2026 13:35- Të pranishëm në seancën babai dhe vëllai i Liridona Ademajt

Në seancën ku do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt të pranishëm janë babai dhe vëllai i Liridonës.

21/04/2026 13:30- Aktgjykimi ndaj Murselit, Plavës dhe Kokallës – tre të akuzuarit nuk janë në seancë seancë

Sot shpallet aktgjykimin ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.

Të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla nuk janë të pranishëm në seancën ku do të shpallet aktgjykimi.

21/04/2026 12:57- Çfarë kishte thënë Murseli në seancën e 17 prillit?

I akuzuari për vrasjen e Liridona Ademaj, Naim Murseli, në seancën e fundit të 17 prillit, ku u thanë fjalët përfundimtare ka mohuar pretendimet për komunikim të papërshtatshëm me fëmijët e tij.

Murseli ishte shprehur se e vetmja arsye pse nuk ka komunikim të rregullt me fëmijët është sepse gjendet në masën e paraburgimit dhe jo pse fëmijët siç tha "nuk dëshirojnë me fol apo diçka të tillë".

“Madje është shumë e ultë që të citohen fëmijët e mi rrejshëm kinse kanë deklaruar kështu e ashtu. Natën e vrasjes unë ia dorëzova fëmijët familjes së Ademajt. Po të kisha për të fshehur diçka nuk e kisha pas atë guxim. Natën e vrasjes fëmijët e mi janë intervistuar edhe me polici. Dhe njëri polic ka pyet: a po deklarojnë fëmijët kështu, njëjtë? Tjetri i tha: po”, ka thënë Murseli.

21/04/2026 12:45- Çfarë tha prokurorja Perlinqeviq në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare?

Prokurorja Javorka Perlinqeviq në seancën ku u thanë fjalët përfundimtare që u mbajt më 17 prill ka kërkuar dënim maksimal, burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Perlinqeviq ka thënë se provat kanë vërtetuar se Naim Murseli për shkak të raporteve bashkëshortore dhe fitimit financiar ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes.

Prokurorja tutje ka thënë se provat vërtetojnë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale, ndërkaq, vrasja e Liridona Ademajt ka ndodhur në prani të fëmijëve të saj, që në kohën kur ka ndodhur ngjarja tragjike ishin 4 e 6 vjeç.

“Në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar që në muajin qershor 2022, familja Murseli ka paguar policën e sigurimit në emër të Liridona Murselit. Menjëherë pas, Naimi ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që ta gjejë mënyrën që ta vrasë Liridonën, që do të thotë që me vetëdije është paguar polica e sigurimit jetësor për Liridonën”, është deklaruar Perlinçeviq.

21/04/2026 12:21- Çka thuhet në aktakuzë?

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe ndaj Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Lajmin për aktakuzë mund ta lexoni KËTU: