Vendoset gurthemeli për Palestrën Multisportive në komunën e Podujevës
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në vendosjen e gurthemelit të Palestrës Multisportive në komunën e Podujevës.
Me këtë rast, kryeministri Kurti tha se investimi në vlerë afër 4.8 milionë euro për këtë palestër, është dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për sportin dhe njëkohësisht e vendimit që edhe Podujeva të jetë e integruar në mesin e komunave që do të jenë nikoqire të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
“Natyrisht përtej Lojërave Mesdhetare ajo do t’i shërbejë sportistëve e sportdashësve të Llapit, por gjithashtu në veçanti rinisë, të cilën ne e inkurajojmë që sa më shumë të merren me sport, me aktivitet fizik, sepse sporti është ai i cili si askush tjetër na mëson korrektësinë e garës dhe njëkohësisht i kontribuon shëndetit të gjithsecilit”, tha kryeministri Kurti.
Lexoni më poshtë deklarimin e kryeministrit në detyrë Kurti:
Jemi këtu bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pastaj me zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arton Konushevcin, me përfaqësues të operatorit ekonomik, punëkryesit, “Bini”, me rastin e vendosjes së gurthemelit për Palestrën Multisportive, këtu në Podujevë.
Sporti është aktivitet fizik, sporti është garë fer, sporti është shëndet publik dhe ky investim prej afër 4. 8 milionë euro këtu në komunën e Podujevës, është dëshmi e përkushtimit tonë për sportin dhe njëkohësisht e vendimit tonë që edhe komuna e Podujevës të jetë e integruar në mesin e komunave që do të jenë nikoqire të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.
Përafërsisht për tri vjet do të kryhen punimet dhe në këtë mënyrë Palestra Multisportive, e cila do t’i ketë 2,500 ulëse do të jetë e gatshme për Lojërat Mesdhetare. Natyrisht përtej Lojërave Mesdhetare ajo do t’i shërbejë sportistëve e sportdashësve të Llapit, por gjithashtu në veçanti rinisë, të cilën ne e inkurajojmë që sa më shumë të merren me sport, me aktivitet fizik, sepse sporti është ai, i cili si askush tjetër na mëson korrektësinë e garës dhe njëkohësisht i kontribuon shëndetit të gjithsecilit.
Pasiviteti fizik është shkaku i shumë sëmundjeve, andaj popullsia, në veçanti rinia duhet ta shndërrojnë sportin në kulturë.
Faleminderit kryetarit. Faleminderit të gjithë atyre të cilët kontribuuan dhe do të jemi pranë operatorit ekonomik, punëkryesit “Bini” që gjithçka të shkojë mbarë e mirë dhe të kryhet sipas standardeve më të larta. /Telegrafi/


