Vandalizohen pajisjet e shënjimit dimëror në Kodrën e Diellit, reagon Ambasada e Austrisë
Ambasada e Austrisë ka reaguar pas dëmtimit dhe largimit të një pjese të konsiderueshme të pajisjeve të reja për shënjimin dimëror të shtegut të Majës së Titos në Kodrën e Diellit, në gjatësi prej rreth 11 kilometrash.
Sipas njoftimit, më shumë se 45 nga gjithsej 112 shtylla janë shkatërruar, dëmtuar ose larguar, ndërsa dëmi financiar vlerësohet në të paktën 8 mijë euro, apo rreth 500 mijë denarë.
Shënjimi dimëror është realizuar në kuadër të projektit “Slavkov – Shënjimi i shtigjeve malore në Maqedoninë e Veriut”, i mbështetur financiarisht nga Ambasadat e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë, si dhe nga Birraria e Shkupit. Në realizimin e projektit kanë marrë pjesë më shumë se 25 vullnetarë lokalë dhe biznese të vogla nga Tetova dhe Bogovina.
Nga Ambasada theksojnë se dëmi nuk është vetëm financiar, pasi shkatërrimi i shënjimeve mund të rrezikojë drejtpërdrejt sigurinë e alpinistëve, veçanërisht gjatë kushteve të vështira dimërore me borë, mjegull, erëra të forta dhe dukshmëri të reduktuar.
Rasti është raportuar në Stacionin Policor. Më 19 gusht 2026, një ekip profesional i policisë, në prani të përfaqësuesve të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ka kryer inspektim në terren dhe ka dokumentuar lokacionet ku është konstatuar dëmtimi dhe largimi i pajisjeve.
Ambasada pret që institucionet kompetente të zbardhin të gjitha rrethanat dhe të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Shënjimi i shtigjeve malore nuk është vetëm një shtyllë apo një shenjë. Në kushte me borë, mjegull dhe stuhi, ai mund të bëjë dallimin ndërmjet kthimit të sigurt dhe humbjes në mal”, thuhet në reagim.


