Valdet Hashani shpjegon regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore në QMF-të e Prishtinës
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Valdet Hashani, ka dhënë detaje mbi mënyrën se si funksionon regjistrimi dhe ofrimi i shërbimeve shëndetësore për qytetarët, duke sqaruar edhe procedurat për banorët që nuk janë të regjistruar në lagjet përkatëse dhe për ata që punojnë në kryeqytet - por janë të komunave të tjera.
Në një intervistë për Telegrafin, Hashani tha se mënyra e pagesave të pacientëve është e rregulluar me ligj, ndërsa hapi i parë që duhet bërë është caktimi i “Mjekut Familjar”.
"Ofrimi i shërbimeve në kujdesin parësor shëndetësor përcaktohet përmes Ligji për Shëndetësi (Nr. 04/L-125), UA 04/2020- KPSH, si dhe Plani i veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në KPSh si UA për bashkëpagesat. Po ashtu, financimi për KPSh bëhet përmes Grantit Specifik për shëndetësinë primare i cili caktohet për kokë banori bazuar në regjistrin e popullsisë. Mjeku familjar është profesionist shëndetësor i specializuar, i cili ofron shërbime shëndetësore gjithëpërfshirëse, efikase dhe në vazhdimësi individit dhe familjes në të gjitha fazat e jetës, bazuar në të dhënat shkencore. Si mjek i përzgjedhur, ai është portë hyrëse për të gjithë kërkuesit e shërbimeve në sistemin shëndetësor dhe njëherit pikë referuese për specialistët konsultantë në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor", tha ai.
Hashani po ashtu shtoi se: "Bazuar në këto që u cekën më lart, shërbimet duhet të merren tek mjeku familjar brenda zonës së banimit".
Duke iu referuar Nenit 18 të Ligjit për Shëndetësi, Hashani potencoi se çdo qytetar duhet të caktojë fillimisht zonën ku banon, më pas edhe mjekun familjar.
"Çdo qytetar dhe banor me vështirësi shëndetësore është i obliguar të lajmërohet fillimisht tek mjeku familjar, me përjashtim të rasteve emergjente. Prej çdo qytetari dhe banori do të kërkohet të përcaktohet për një mjek familjar”, deklaroi ai.
“Çdo qytetar dhe banor ka të drejtë të përzgjedhë mjekun familjar në komunën ku jeton, brenda zonës së përfshirjes të përcaktuar nga komuna, dhe ka të drejtë ta ndërroj atë", vijon Hashani.
Për pyetjen se si funksionon qasja e studentëve dhe punonjësve që jetojnë në Prishtinë, por janë të regjistruar në komuna të tjera, Hashani tha për Telegrafin: "Bazuar në legjislacionin në fuqi, QKMF në Prishtinë me të gjitha njësitë përbërëse në vazhdimësi po promovon rëndësinë e përzgjedhjes së mjekut familjar për të përcjellë gjendjen në përgjithësi, për ofrimin e shërbimeve gjithëpërfshirëse."
Ai u shpreh edhe për mundësinë që qytetarët të marrin shërbime alternative.
"Duke marrë parasysh që buxheti ndahet për secilin qytetar në komunën ku është i regjistruar, atëherë shërbimet e mjekësisë familjare merren në komunën përkatëse, duke përjashtuar shërbimet emergjente", bëri të ditur Drejtori i QKMF-së në Prishtinë.
Sa i përket planeve për një rishikim të sistemit, Hashani theksoi: "BHIS – Ëeb aplikacioni/sistemi elektronik me të cilin punohet në QKMF është i lidhur me regjistrin civil dhe automatikisht dalin të dhënat e regjistrimit për secilin qytetar. Shërbimet në kujdesin parësor janë të qasshme për secilin banor, qytetarët duhet të paraqesin dëshmi që banojnë/jetojnë në Prishtinë dhe, varësisht nga lagja ku banojnë, të drejtohen në institucionet përkatëse të KPSh-së për marrje të shërbimeve dhe përzgjedhjen e mjekut familjar".
"Shërbimet në kujdesin parësor shëndetësor janë të qasshme për çdo banor, me kusht që të respektohet regjistrimi dhe procedurat e përcaktuara ligjore”, përfundoi Hashani.
Andaj, qytetarët që nuk janë banorë të Prishtinës, por veprojnë në këtë komunë, në raste emergjente mund të trajtohen në QMF-të, pasi për banorët e kësaj komunë, është ndarë buxheti për shërbime minimale të kushtueshme. /Telegrafi/


