Please enter at least 3 characters.

Ujitja e thellë që i shpëton lulet nga vapa e verës

shutterstock

Nuk mjafton vetëm ta lagni tokën sipër, sepse sekreti fshihet disa centimetra më poshtë

Ujitja e bimëve gjatë verës është një nga detyrat më të rëndësishme në kopsht, por edhe një ekuilibër që nuk është gjithmonë i lehtë për t’u arritur. Nëse i ujitni shumë pak, bimët mund të fishken; nëse e teproni, rrezikoni që rrënjët të kalben dhe bima të dëmtohet plotësisht.

Nëse dëshironi të shpenzoni më pak ujë dhe njëkohësisht ta ujitni më rrallë kopshtin, zgjidhja mund të jetë ujitja e thellë.

Ujitja e thellë është një teknikë e njomjes së ngadalshme dhe të gjatë të bimëve në ambient të jashtëm. Qëllimi është që uji të depërtojë thellë në tokë dhe ta ndihmojë sistemin rrënjor të zhvillohet dhe të forcohet siç duhet.

Ekspertët e kopshtarisë shpjegojnë si funksionon kjo metodë, pse është e rëndësishme të njihni llojin e tokës në kopshtin tuaj dhe si ujitja e thellë i forcon bimët në mënyrë afatgjatë.

Çfarë është ujitja e thellë?

“Ujitja e thellë nënkupton njomje të ngadalshme dhe të plotë të tokës, në mënyrë që lagështia të kalojë shtresën sipërfaqësore dhe të arrijë deri te zona e rrënjëve”, shpjegon Ashley Thomas, autore librash për kopshtari.

Kur uji depërton më thellë në tokë, rrënjët nxiten të rriten poshtë, në vend që të mbeten afër sipërfaqes, ku toka thahet më shpejt. Ujitja e shpeshtë dhe e shkurtër mund ta mbajë të lagësht vetëm sipërfaqen e tokës, por në këtë mënyrë uji shpesh nuk arrin deri te baza e rrënjëve.

Kontrolloni çfarë lloji toke keni në kopsht

Lloji i tokës në kopshtin tuaj ndikon drejtpërdrejt në atë se sa shpejt dhe sa lehtë toka e thith ujin. Përbërja e saj përcakton sa me efikasitet lagështia arrin te rrënjët dhe sa gjatë qëndron aty.

Toka e pasur me lëndë organike e ruan më së miri lagështinë, ndërsa njëkohësisht lejon qarkullim të mirë të ajrit dhe ujit.

Nga ana tjetër, toka argjilore dhe ajo ranore sillen krejt ndryshe. Toka argjilore e thith ujin shumë ngadalë dhe ka prirje ta mbajë lagështinë më gjatë se duhet, ndërsa toka ranore e lëshon ujin jashtëzakonisht shpejt, prandaj kërkon ujitje të thellë më të gjatë ose më të shpeshtë, transmeton Telegrafi.

Së pari kontrolloni lagështinë, pastaj ujitni

Para se të vendosni për ujitje të thellë, kontrolloni patjetër gjendjen e tokës. Sipërfaqja e saj shpesh mund të mashtrojë: ndonjëherë duket krejtësisht e thatë, ndërsa disa centimetra më poshtë ka ende mjaft lagështi. Po ashtu, sipërfaqja mund të duket në rregull, ndërkohë që zona e rrënjëve është plotësisht e thatë.

Mënyra më e thjeshtë e kontrollit është testi me gisht. Futeni gishtin rreth pesë deri në shtatë centimetra në tokë, afër rrënjës. Nëse toka nën sipërfaqe është e freskët dhe e lagësht, ujitja ende nuk është e nevojshme. Nëse në atë thellësi është e thatë, atëherë është koha për ujitje të thellë.

Te bimët më të vogla, rrënjët ndodhen menjëherë poshtë tyre, prandaj mjafton ta kontrolloni tokën në disa centimetra thellësi. Te pemët dhe shkurret më të mëdha, rrënjët shkojnë shumë më thellë dhe përhapen përtej bazës së trungut, prandaj edhe kontrolli duhet të bëhet më thellë dhe në një hapësirë më të gjerë.

Ky qasje ju ndihmon të kuptoni kur bimët kanë vërtet nevojë për ujë, në vend që t’i përmbaheni verbërisht një orari të fiksuar.

Bimët e zhvilluara dhe fidanët e rinj

Ujitja e thellë zbatohet kryesisht te bimët tashmë të zhvilluara dhe të rrënjosura mirë, te shkurret dhe pemët. Fidanët e rinj kërkojnë ujitje më të shpeshtë, por me sasi më të vogël uji përnjëherë, sepse rrënjët e tyre ende nuk kanë depërtuar thellë në tokë dhe nuk kanë qasje në lagështinë e shtresave më të ulëta.

Sasia e tepërt e ujit, sidomos nëse hidhet menjëherë dhe me vrull, mund t’i shpëlajë fidanët e rinj, ta zhvendosë tokën dhe të krijojë kushte tepër të lagështa, të cilat e dëmtojnë rrënjën e re.

Kur duhet zbatuar ujitja e thellë?

Kjo metodë është më e dobishme gjatë muajve të verës, në periudha me temperatura të larta, si edhe gjatë sezonit të rritjes intensive, lulëzimit dhe formimit të fryteve. Po ashtu, është mbështetje e mirë për fidanët e rinj të pemëve dhe bimët shumëvjeçare, në mënyrë që të lidhen më lehtë me tokën përreth.

Rregulli kryesor i kësaj metode është që ta lini tokën të thahet mes dy ujitjeve. Nëse toka është vazhdimisht e lagësht dhe me baltë, kjo favorizon shfaqjen e kërpudhave dhe sëmundjeve. Ndërsa, kur periudhat e njomjes dhe tharjes ndërrohen natyrshëm, bima nxitet të bëhet më rezistente ndaj thatësirës.

Një përparësi tjetër e ujitjes së thellë gjatë verës është se lagështia grumbullohet thellë në zonën e rrënjëve, kështu që bima ka rezerva më të qëndrueshme uji gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.

Si mjetin më të mirë për ujitje të thellë, ekspertët rekomandojnë sistemet “pikë-pikë” ose tubat porozë për njomje. Ato mundësojnë që uji të rrjedhë ngadalë, drejtpërdrejt në tokë dhe afër rrënjëve, pa spërkatje të panevojshme dhe pa lagur tepër pjesët e tjera të bimës. /Telegrafi/