Uji nga kondicioneri mund të bëhet shpëtim për lulet, xhamat dhe hekurin me avull
Një zgjidhje praktike dhe falas që shumë familje nuk e shfrytëzojnë, edhe pse klima mund të nxjerrë deri në 20 litra ujë në ditë
Gjatë ditëve të nxehta të verës, një kondicioner mesatar mund të nxjerrë nga 5 deri në 20 litra ujë në ditë. Në vend që ky ujë të pikojë në fasadë dhe t’ju shkaktojë probleme me fqinjët, mund ta shfrytëzoni në mënyrë shumë praktike për punë të ndryshme shtëpiake, sepse kondensati nga kondicioneri është kimikisht shumë i ngjashëm me ujin e distiluar.
Ky ujë nuk përmban klor, minerale apo gëlqere. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet pirë kurrsesi, pasi mund të përmbajë pluhur nga tubat, gjurmë metalesh, myk dhe baktere.
Ja disa mënyra të zgjuara si ta përdorni në shtëpi:
Shpëtim për bimët tuaja
Uji nga kondicioneri është i përkryer për lulet që nuk e durojnë gëlqeren në tokë, si orkidetë, zambakët aromatikë, fierët dhe kalateat. E preferojnë edhe barbarozat, lulet e oborrit dhe domatet në vazo.
Megjithatë, bimëve që kanë nevojë për ujë më të fortë dhe minerale, si sukulentët dhe kaktusët, është më mirë t’u jepni ujë të zakonshëm nga rubineti.
Larja e xhamave dhe veturës pa njolla
Meqë nuk përmban gëlqere, ky ujë nuk lë gjurmë të bardha pas tharjes. Është ideal për pastrimin e xhamave me leckë mikrofibre, por edhe për larjen e veturave të errëta, karrigeve plastike apo pllakave, pa pasur nevojë t’i fshini dy herë.
Zgjidhje falas për hekurin me avull
Hekurat shpesh dëmtohen nga grumbullimi i gëlqeres. Uji nga kondicioneri mund të përdoret si zëvendësim falas për ujin e distiluar që blihet në dyqan, sepse nuk lë asnjë mbetje në rezervuar.
Për pastruesit me avull dhe lagështuesit e ajrit
Për të njëjtën arsye, ky ujë është shumë i përshtatshëm edhe për pajisjet me avull dhe lagështuesit e ajrit në shtëpi.
Për mbushjen e akumulatorëve
Shoferët që përdorin ende akumulatorë të vjetër me plumb mund ta shfrytëzojnë këtë ujë për plotësimin e sigurt të qelizave të tyre.
Për shpëlarjen e tualetit
A e dini se një shpëlarje e vetme e tualetit shpenzon rreth gjashtë litra ujë të pijshëm? Nëse tubin e kondicionerit e drejtoni në një kovë më të madhe, mund të siguroni disa shpëlarje falas çdo ditë.
Për pastrimin e dyshemeve dhe pllakave
Për larjen e përditshme të shkallëve, dyshemeve apo pllakave të banjës, kondensati nga kondicioneri kryen të njëjtin funksion si uji nga çezma.
Si ta mblidhni siç duhet ujin nga kondicioneri?
Për të shmangur problemet me fqinjët, zgjidhja më praktike është ta zgjasni tubin e kondicionerit me një gyp PVC dhe ta drejtoni në një kovë ose bidon.
Është shumë e rëndësishme që ena të ketë kapak, në mënyrë që uji i ndenjur të mos bëhet vatër mushkonjash gjatë vapës. Nëse përdorni një shishe plastike në ballkon, zbrazni atë çdo mbrëmje. /Telegrafi/


