Transferimet nga Anglia po "ndezin" - Bayern Munich tani pas yllit që vlerësohet 88 milionë euro
Newcastle United thuhet se është gati të hyjë në negociata për shitjen e Anthony Gordon, nëse Bayern Munich pranon të paguajë klauzolën e lirimit prej 88.5 milionë eurosh.
Sulmuesi anglez është një nga objektivat kryesorë të gjigantëve bavarezë dhe “Laraskat” mund të jenë të hapur për ta lënë të largohet, me synimin për të mbledhur fonde për një rindërtim gjatë verës, raporton Goal.com.
Bayerni e sheh Gordonin si përforcim kyç
25-vjeçari i ka lënë mbresa drejtuesve të Bayern Munich, të cilët duan ta sjellin atë në Bundesligë për të forcuar repartin ofensiv.
Edhe pse ende nuk ka pasur kontakt zyrtar mes klubeve, Newcastle është në dijeni të interesimit nga Bavaria. Bayern Munich ka pasur sukses me afrimet e fundit nga Liga Premier, si Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Diaz, dhe kjo i ka shtyrë të kthehen sërish në tregun anglez.
Gordon është bërë titullar i rregullt me Anglinë që prej transferimit nga Evertoni në vitin 2023. Megjithatë, vlerësimi fillestar i gjermanëve besohet të jetë rreth 65 milionë euro, dukshëm më i ulët se shifra që kërkon Newcastle.
Situata financiare e detyron Newcastle të mendojë shitjen
Sipas The Times, Newcastle ka vendosur çmimin 88.5 milionë euro si pikënisje për negociatat zyrtare. Klubi thuhet se është i detyruar të shesë lojtarë të rëndësishëm për të financuar afrimet e veta dhe për të rifreskuar skuadrën, në një periudhë ku rezultatet dhe forma kanë pasur luhatje.
Kufizimet financiare dhe nevoja për t’u përshtatur me Rregullat e Rentabilitetit dhe Qëndrueshmërisë (PSR) e kanë ndryshuar strategjinë e klubit, duke e bërë shitjen e lojtarëve një domosdoshmëri.
Gordon, i cili ka kontratë deri në vitin 2030, përmendet si kandidati më i mundshëm për t’u shitur për të siguruar të ardhura të rëndësishme në afatin kalimtar të verës. Nëse marrëveshja mbyllet për 88.5 milionë euro, ajo do të ishte ndër shitjet më të mëdha në historinë e Newcastle.
Gordon i hapur për transferim në Gjermani
Vetë lojtari besohet se është i hapur për një kalim në Bundesligë. Edhe pse ka rinovuar kontratën në “St James’ Park”, mundësia për të luajtur te një klub që është i rregullt në Ligën e Kampionëve si Bayern konsiderohet shumë joshëse.
Pritet që përfaqësuesit e tij të zhvillojnë së shpejti takime me drejtuesit e klubit gjerman.
Bayern shihet si një nga favoritët në garë, teksa interesim është përmendur edhe nga klube të tjera angleze. /Telegrafi/


