Trajneri i West Hamit ia ndalon Adama Traores ngritjen e peshave
Trajneri i West Ham Unitedit, Nuno Espirito Santo, i ka vendosur një rregull të pazakontë lojtarit të tij të transferuar gjatë dimrit, Adama Traore, duke ia ndaluar atij ngritjen e peshave në qendrën stërvitore të klubit.
Spanjolli i fuqishëm mbërriti nga Fulhami dhe pritet të japë një kontribut kyç në luftën e West Hamit për të qëndruar në Ligën Premier.
Të dy kishin punuar tashmë me sukses së bashku në Wolverhampton Wanderers dhe dëshira për të punuar përsëri së bashku ishte e ndërsjellë.
Edhe pse Traore njihet për ndërtimin e tij mbresëlënës muskulor, të cilin e dominon në duele, trajneri i tij beson se puna e mëtejshme me forcën është e panevojshme.
“Muskujt e tij janë të pabesueshëm, është thjesht gjenetikë”, ka thënë fillimisht Espirito Santo në një konferencë për shtyp.
“Ai e ka pasur këtë gjenetikë për një kohë të gjatë dhe duhet ta shmangë palestrën. I thashë të qëndronte larg saj”.
“Mendoj se kjo është një nga gjërat që ai duhet ta kuptojë. Ai tashmë po mban mjaftueshëm peshë”.
“Ai do të punojë vetëm për parandalimin e lëndimeve në palestër, por nuk ka më ngritje peshash", shpjegoi trajneri portugez. /Telegrafi/


