“Trafik droge në vitet 2012-2013”
Duke iu referuar komunikimit mes insitucioneve pas shkresës së shërbimit sekret, kryetarja e komisionit hetimor, Ermonela Felaj, citoi shkresa të muajit prill nga Policia dhe nga Ushtria, që hedhin poshtë si të pabazuara informacionet e shërbimit sekret dhe akuzat e Partisë Demokratike për një aeroplan sportiv të ulur në Gjadër më 19 mars të këtij viti.
“Është këqyrur pista e aeroportit gjatë gjithë gjatësisë së saj më 19 mars dhe është parë se në të nuk kishte gjurmë të fërkimit të rrotave në pistë, gjë që ndodh gjatë uljes së aeroplanëve. Gjetjet e këtij komisioni hedhin poshtë akuzat për trafik droge nga Forcat e Armatosura dhe infrastrukturat e tyre pas 15 shtatorit 2013”, deklaroi Felaj.
Por, ky nuk është fundi i historisë. Sipas komisionit hetimor socialist, në Gjadër janë ulur aeroplanët sportivë dhe aeroporti është përdorur për trafik droge, por kjo ka ndodhur në kohën e mandatit të dytë qeverisës të Partisë Demokratike.
“Trafiku i drogës në rrugë ajrore është organizuar e fshehur në mënyra të ndryshme nga ish-strukturat e Forcave të Armatosura, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Aviacionit Civil”, nënvizoi Felaj.
Kjo akuzë, edhe më e rëndë se sa ajo e Partisë Demokratike, mbështetet kryesisht në deklaratën e një dëshmitari me gradë nënoficer, me inicialet S.Gj.
Dëshmitari që citon kryetarja e komisionit hetimor tregon se ulja në Gjadër ka qenë e përsëritur gjatë tetorit 2012 dhe se ai ka komunikuar me ta, duke marrë të njëjtën përgjigje se ishin të shërbimit sekret në stërvitje për luftën kundër drogës.
Kryetarja socialiste e komisionit thotë se, nëse do të ishin pjesë e stërvitjes të kujtdo shërbimi qoftë, veprimtaria e tyre do të ishte e shënuar në regjistrat përkatës, siç është shënuar një provë private për ndezjen e motorit të një aeroplani sportiv në tetor 2013 dhe një stërvitje po e kësaj kohe e forcave amerikane.
“Janë zhdukur të gjitha shënimet për hyrjet, daljet, lëvizjet e trupave, mjeteve dhe uljet e ngritjet e aeroplanëve në Gjadër”, theksoi Felaj.
Por, ky nuk është ende fundi. Komisioni hetimor ka bërë pjesë të raportit të tij importimin e dy aeroplanëve sportivë në vitin 2009 dhe përdorimin e njërit prej tyre në hapësirën ajrore shqiptare pa u regjistruar askund.
Opozita nuk merr pjesë në këtë komision që prej ngecjes së aeroplanit në Divjakë, por kjo nuk e pengoi mazhorancën të miratonte raportin përfundimtar të komisionit hetimor dhe të dërgojë në prokurori të gjitha të dhënat që disponon. /Top Channel/


