Tirana po e bën gati stadiumin gjigant për koncertin e Kanye West
Ka nisur ndërtimi i stadiumit provizor në Shqipëri për koncertin e shumëpritur të artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West, ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama.
Sipas njoftimit, artisti pritet të performojë në Tiranë më 11 korrik, ndërsa për këtë ngjarje të madhe muzikore po ndërtohet një hapësirë e veçantë që do të akomodojë dhjetëra mijëra fansa.
Stadiumi provizor po ngrihet në zonën e Kashar, ku tashmë janë publikuar edhe pamjet e punimeve intensive që po zhvillohen në terren. Projekti synon të krijojë kushte të përshtatshme për një koncert të përmasave të mëdha dhe me kërkesë të lartë publike.
Biletat për koncertin tashmë janë në shitje.
Kanye West është një nga artistët më të njohur dhe më me ndikim në industrinë globale të muzikës, me një audiencë të jashtëzakonshme në mbarë botën.
Koncerti i tij në Shqipëri pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të verës.


