Please enter at least 3 characters.

Telegrafi i bashkohet Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka mirëpritur anëtarësimin e një prej mediave digjitale shqiptare më të konsoliduara, Telegrafi.

Sipas një njoftimi të Dhomës së Tregtisë thuhet se me rreth 20 vjet përvojë në hapësirën digjitale shqiptare, Telegrafi ka ndërtuar një audiencë të gjerë dhe një prani të fuqishme në Kosovë, rajon dhe diasporë.

"E themeluar në vitin 2006 me seli në Prishtinë, kjo kompani mediatike është zhvilluar vazhdimisht nga një portal informativ në një ekosistem të integruar medial dhe digjital, që përfshin portalin, aplikacionet, rrjetet sociale, videon, podcastet dhe formatet e reja të përmbajtjes", thuhet në njoftim.

Siç shkruajnë nga Dhoma e Tregtisë, sot, Telegrafi arrin mbi 1.5 milionë lexues unikë në muaj, ka mbi 1.7 milionë ndjekës në më shumë se 40 kanale të rrjeteve sociale dhe angazhon 55 profesionistë, me prani në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Zvicër.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se gjatë takimit, drejtori ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se anëtarësimi i Telegrafit në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë krijon mundësi të reja për bashkëpunim ndërmjet medias dhe komunitetit të biznesit, me fokus në promovimin e zhvillimit ekonomik, sipërmarrjes, inovacionit, investimeve dhe fuqizimin e sektorit privat.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë e vlerëson anëtarësimin e Telegrafit si një vlerë të shtuar për rrjetin e saj të bizneseve dhe beson se bashkëpunimi i ndërsjellë do të kontribuojë në krijimin e mundësive të reja për kompanitë anëtare dhe në fuqizimin e zërit të sektorit privat”, tha Ahmeti.

Ndryshe, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka për mision të përfaqësojë, promovojë dhe mbrojë interesat e bizneseve anëtare, duke ofruar shërbime profesionale dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat, institucioneve shtetërore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Me fokus në zhvillimin ekonomik, ngritjen e kapaciteteve të ndërmarrjeve, lehtësimin e qasjes në tregje dhe nxitjen e investimeve, ne punojmë për të përmirësuar klimën e të bërit biznes në Kosovë dhe për të nxitur rritje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. /Telegrafi/