Please enter at least 3 characters.

“Të qenit nënë është superfuqia ime”, Meghan Markle tregon se si Lilibet e bën të ndihet e guximshme

Meghan Markle ka folur hapur për rolin e saj si nënë dhe ndikimin që vajza e saj, Lilibet, ka në jetën e saj, teksa po promovon dokumentarin e ri “Cookie Queens”.

Në një intervistë me revistën InStyle, Dukesha e Sussex-it, 45 vjeçe, u pyet se cila është “superfuqia” e saj dhe përgjigjja ishte e menjëhershme: “Të jesh nënë”.

Meghan tha se beson se nënat kanë një forcë të veçantë, pasi përpiqen të balancojnë shumë role njëkohësisht, me “hir dhe vendosmëri”.

Kur u pyet se çfarë e bën të ndihet e guximshme në momentet kur dyshon te vetja, Meghan përmendi vajzën e saj pesëvjeçare.

“Unë them: ‘Lili do ta bënte’”, tregoi ajo, duke zbuluar se e bija i jep motivimin për të përballuar situatat e vështira.

Biseda u zhvillua në kuadër të promovimit të dokumentarit “Cookie Queens”, i cili ndjek katër vajza skaute teksa përpiqen të bëhen shitëset më të suksesshme të biskotave, duke mësuar njëkohësisht për ambicien, punën në grup dhe përgjegjësinë.

Meghan foli gjithashtu për atë që e ka frymëzuar nga vajzat e përfshira në projekt, duke i përshkruar ato si “shumëdimensionale dhe të ndershme”.

Ajo theksoi veçanërisht mënyrën se si vajzat janë afruar me njëra-tjetrën dhe kanë mësuar të mbështesin njëra-tjetrën gjatë këtij procesi.

Dokumentari është realizuar nga Archewell Productions, kompania e prodhimit të Meghan dhe Princit Harry, në bashkëpunim me Beautiful Stories dhe AJNA Films.

Filmi pati premierën në Festivalin e Filmit Sundance në vitin 2026 dhe tashmë pritet të marrë vëmendjen e publikut me historitë e vajzave të reja që ndërthurin fëmijërinë me ambicien. /Telegrafi/