Please enter at least 3 characters.

Të bësh një hartë të mendjes së Bob Dylanit

Illustration

Nga: Prashant Gargi / AEON
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Për gjashtë dekada, Bob Dylan ka sfiduar dëgjuesit me këngë që shpërblejnë angazhimin intelektual. Kritikët dhe adhuruesit kanë studiuar për një kohë të gjatë fjalët e tij, duke i trajtuar ato si tekste letrare të denja për lexim reflektues dhe të përkushtuar - rresht pas rreshti, imazh pas imazhi. Në vitin 2016, Dylani fitoi madje Çmimin Nobel për Letërsi. Siç u shpreh Akademia Suedeze, çmimi e nderoi atë për “krijimin e shprehjeve të reja poetike brenda traditës së madhe të këngës amerikane”. Por, çfarë mund të zbulojmë më tepër nëse, në vend të një studiuesi njerëzor, i kërkojmë një inteligjence artificiale [IA] të shqyrtojë çdo fjalë që Dylani ka shkruar ndonjëherë? Çfarë modelesh, lidhjesh ose zhvillimesh në morinë e teksteve të Dylanit mund të shfaqen përmes analizës së një makinerie dhe çfarë mund të na thonë ato për njeriun dhe muzikën e tij?

Këto pyetje nuk janë aq të pabesueshme sa dukeshin dikur. Sistemet aktuale të IA-së, sidomos modelet e mëdha gjuhësore (LLM) që janë të afta për të "lexuar" dhe analizuar tekste në shkallë të gjerë, ofrojnë mënyra të reja për të studiuar artin dhe letërsinë. Mendoni për të si një formë të “leximit në distancë” - qasje e përkrahur nga studiuesi letrar Franco Moretti, e cila përdor algoritme për të shqyrtuar koleksione të mëdha tekstesh nga një perspektivë e përgjithshme. Një kompjuter mund të përpunojë qindra këngë dhe të identifikojë modele ose tema të cilat asnjë lexues individual nuk mund t’i përcaktojë lehtë në sasi. Përparësia ndaj kritikës klasike qëndron në mbulimin e gjerë, matje të qëndrueshme dhe aftësinë për t’i gjurmuar ndryshimet me kalimin e kohës.

Tekstet e Dylanit na ftojnë të kthehemi vazhdimisht te to; çdo dëgjim zbulon një kuptim apo nuancë të re. Filmi biografik A Complete Unknown (2024) rigjallëroi interesin publik, por arsyet e mia për një zhytje të thellë ishin personale dhe teknike. Kërkimi im përdor IA-në për të gjurmuar mesazhet kulturore nëpër rrjete, dhe doja të testoja nëse të njëjtat mjete mund të ndriçonin edhe veprën e Dylanit. A është e mundur që analiza, përmes makinerive, të masë cilësitë që e bëjnë muzikën e Dylanit të jehojë - si shfaqet kompleksiteti, si përzihen imazhet e reja me ato të njohura, si përvijohet dykuptimësia nëpër këngë?

Kështu që, në një model të madh gjuhësor (LLM) unë futa diskografinë zyrtare të Dylanit nga viti 1962 deri më 2012, duke ndërtuar një rrjet të koncepteve dhe lidhjeve në këngët e tij. Modeli shqyrtoi çdo tekst, duke nxjerrë çifte idesh ose imazhesh të ndërlidhura. Për shembull, mund të zbulonte një marrëdhënie midis “wind” [erës] dhe “answer” [përgjigjes] në Blowin’ in the Wind (1962), ose midis “joker” [shakaxhiut] dhe “thief” [hajnit] në All Along the Watchtower (1967). Duke mbledhur këto marrëdhënie, mund të ndërtojmë një rrjet të mënyrës se si fjalët dhe motivet kyçe të Dylanit lidhen nëpër këngët e tij.

Për të ndërtuar atë rrjet, e kalova çdo këngë të Dylanit - një nga një - nëpër një LLM. Modeli trajtoi çdo koncept të dallueshëm që hasi (si “wind”, “answer”, “joker”, “thief” etj.) si një nyje (njësi individuale ose koncepte që shfaqen në këngë). Dy nyje lidheshin me një skaj që përfaqësonte marrëdhënien midis tyre. Për shembull, LLM-ja tërhoqi një lidhje midis “wind” dhe “answer” në vargun The answer is blowin’ in the wind [Përgjigjen era e fërfëllon]. Çdo skaj më pas u kategorizua si i fjalëpërfjalshëm ose metaforik, dhe toni emocional i saj u etiketua si pozitiv, negativ ose neutral.

Meqenëse modeli përpunon çdo varg në mënyrë të njëtrajtshme, ai na lejon të matim (jo thjesht të pretendojmë) se sa shpesh, ku dhe me çfarë ngarkese emocionale shfaqen dy ide bashkë - diçka që asnjë analizë njerëzore apo lexim i detajuar nuk e ka realizuar ndonjëherë në këtë shkallë. Pas më shumë se 500 këngësh, procesi prodhoi rreth 6 000 nyje unike të lidhura me afro 9 000 skaje. Harta e përftuar nga kjo perspektivë e gjerë tregon, për shembull, se si një metaforë në A Hard Rain’s a-Gonna Fall (1963) lidhet me një aludim të mëvonshëm në Not Dark Yet (1997), ose se si rishfaqet një emër i vetëm biblik, por mund të lidhet me një koncept tjetër dhe me një gjendje tjetër shpirtërore.

Mjetet e shkencës së rrjeteve, të ngjashme me ato që përdoren në epidemiologji apo analizë të rrjeteve sociale, janë gjithnjë e më të zakonshme në laboratorët e shkencave humane, por Dylani paraqet një rast të rrallë testimi - një autor i vetëm me një prodhimtari të gjerë - poetike dhe të llojllojshme. Pa kufizimet e kujtesës së çdo lexuesi, kjo teknikë ofron një kornizë objektive për të gjurmuar ndryshimet në ton, përsëritjen e temave dhe dendësinë metaforike përgjatë gjithë morisë së këngëve. Qëllimi ynë nuk është të zëvendësojmë aktin e leximit të detajuar, por të ofrojmë një këndvështrim të ri, në mënyrë që të shohim çdo tekst si në vetvete ashtu edhe si pjesë e një strukture të pasur e të ndërlidhur të cilën përndryshe mund ta kishim anashkaluar.

Për ta bërë më konkrete, këtë ide abstrakte, merrni parasysh këngën e Dylanit, Jokerman (1983), një nga këngët e tij më të njohura të viteve ’80 të shekullit XX. Figura 1 më poshtë është një diagram rrjeti për këtë këngë. Çdo nyje paraqitet si një rreth rozë, madhësia e të cilit pasqyron se sa shpesh shfaqet ai koncept në tekst, ndërsa shigjetat tregojnë skajet që përfaqësojnë lidhjet mes ideve. Në qendër, vetë “Jokerman” [shakaxhiu] lidhet me një grup interesant nyjash: “prince” [princi], “preacherman” [predikuesi], “Sodom” [Sodoma], “Gomorrah” [Gomora] dhe “Michelangelo” [Mikelanxhelo].

Figura 1. Një shembull i diagramit të rrjetit: nyjat përfaqësojnë entitete ose koncepte abstrakte; madhësia e nyjës = frekuenca; skajet (shigjetat) përfaqësojnë lidhjet ndërmjet nyjaveaeon.co

Diagrami aludon larminë marramendëse të këngës: “Jokerman” përfshin imazhe nga një “fiery furnace” [furrë e zjarrtë] biblike, një “loyal little dog” [qenush besnik], Librin e Levitikut, një “lurking rifleman” [pushkatarin në pritë], një “preacherman” [predikues], dhe pafund detaje të tjera. Këto gjetje vërtetojnë lidhjet të cilat adhuruesit e vjetër të Dylanit i kanë vërejtur prej kohësh. Kritikët kanë vënë shpesh në dukje aftësinë e Dylanit për të përzier Biblën me të përditshmen, duke futur në mënyrë të natyrshme një referencë nga Besëlidhja e Vjetër në një këngë që përmend gjithashtu mjetet për trazira moderne dhe zogj tropikalë.

Duke u tërhequr nga kjo pamje e fragmentuar, këngë për këngë, ndërtuam të njëjtin rrjet për çdo këngë në katalogun e Dylanit dhe më pas bashkuam të gjitha nyjat dhe skajet, dekadë pas dekade. Çdo skaj - si ai që lidh “Jokerman” me “Michelangelo” - shënon një moment kur një ide tekstuale lidhet me një tjetër. I kërkuam LLM-së të etiketonte çdo lidhje si të fjalëpërfjalshme (p.sh., the pump don’t work ’cause the vandals took the handles [pompa s’punon sepse vandalët ia kanë marrë dorezat]) ose metaforike (p.sh., a hard rain’s a-gonna fall [një shi i rrëmbyeshëm ka me ra]).

Figura 2 më poshtë i bën të pagabueshme ndryshimet në kohë: tekstet e Dylanit kalojnë nga një ekuilibër mes shprehjeve të fjalëpërfjalshme dhe atyre metaforike në vitet ’60 të shekullit XX, në një katalog ku metafora gjithnjë e më shumë merr drejtimin. Në vitet ’60 të shekullit XX, rreth 60 përqind e skajeve janë metaforike dhe 40 përqind të fjalëpërfjalshme. Në vitet ’80 të shekullit XX, metafora kalon mbi dy të tretat. Deri në vitin 2010, ajo shkon përtej 75 përqindëshit, duke lënë lidhjet e fjalëpërfjalshme në më pak se një të katërtën. Prirja është e qartë: gjatë gjashtë dekadave, shkrimi i Dylanit bëhet më figurativ, metaforat e tij lënë pas të folurën e drejtpërdrejtë. Kritikët e kishin ndier prej kohësh se Dylani ishte bërë më i tërthortë, por IA-ja na lejon të vendosim një shifër për këtë: pjesa e metaforave rritet me 1-2 pikë në përqindje për çdo album, një ndryshim shumë i ngadaltë për t’u kuptuar nga perceptimi i lirë.

Figura 2. Përqindja e skajeve (lidhjeve midis entiteteve në tekstet e Dylanit) që janë metaforike rritet vazhdimisht; pohimet e fjalëpërfjalshme bien gjatë gjashtë dekadaveaeon.co

Pse ka rëndësi kjo? Metafora është shpesh vendi ku del në pah e vërteta emocionale e një artisti. Interesante është se unë vërej që shprehjet metaforike të Dylanit priren të mbartin, në mesatare, një ton më negativ emocional sesa deklaratat e tij të fjalëpërfjalshme. Për shembull, kur Dylani këndon the emptiness is endless, cold as the clay [zbrazëtia është e pafund, e ftohtë si argjila], nga Mississippi (2001), ose evening’s empire has returned into sand [perandoria e mbrëmjes është rikthyer në rërë], nga Mr Tambourine Man (1965), LLM-ja i etiketon këto si skaje metaforike dhe zbulon se ato përcjellin melankoli ose humbje. Në të kundërtën, vargjet më të fjalëpërfjalshme, si may God bless and keep you always [Zoti të bekoftë dhe të ruajt gjithmonë], nga Forever Young (1974), priren, sipas modelit, të jenë më pozitive ose neutrale.

Shprehja e përgjithshme emocionale e Dylanit ndryshon ndërsa jeta dhe arti i tij zhvillohen. Këngët e tij protestuese në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX, shpeshherë përziejnë zemërimin ndaj padrejtësisë me një shpresë të heshtur; merrni si shembull Blowin’ in the Wind e cila thekson dhimbjen (how many times must the cannonballs fly [sa herë duhet të fluturojnë xhylat e topit]), por gjithashtu ngul këmbë se përgjigjja ende fërfëllon në erë. Nga mesi e deri në fund të viteve ’60 të shekullit XX, tekstet e Dylanit në këngët si All Along the Watchtower ose Desolation Row (1965) ishin bërë më surreale dhe cinike, duke pasqyruar trazirat e epokës me imazhe të shakaxhinjve dhe hajnave dhe të një bote të çoroditur. Në vitet ’70 të shekullit XX, pas një tërheqjeje nga himnet politike, Dylani shkroi më shumë për marrëdhëniet personale. Albumi Blood on the Tracks (1975) është me kënaqësi dhe hidhërim, i sinqertë dhe i ngopur me metafora të motit dhe ujit për të përshkruar zemrën e thyer. Pastaj erdhi periudha e rilindjes së krishterë rreth viteve 1979-1981, që merr një ton këmbëngulës dhe predikues për shpëtimin dhe mëkatin (ndonëse edhe këto janë të mbështjella me metafora biblike). Deri në vitet ’90 të shekullit XX, vepra e Dylanit u bë më e errët dhe introspektive, me kryevepra plot pikëllim si Not Dark Yet. Fundi i viteve ‘90 të shekullit XX sheh një rritje të koncepteve të lidhura me vdekshmërinë dhe një mbizotërim të fjalëve me ndjesi negative (dark [errësirë], cold [ftohtë], end [fund] etj.), që korrespondojnë me moshën e Dylanit dhe prirjen reflektuese, ndonjëherë të zymtë, të albumeve si Time Out of Mind (1997). Dhe, megjithatë duke iu përshtatur natyrës së paparashikueshme të Dylanit, pas vitit 2000 vijnë gjithashtu disa fitore interesante (ai fitoi një Oscar për ironinë Things Have Changed në vitin 2000) dhe saga historike (kënga 14-minutëshe Tempest më 2012 rrëfen mbytjen e Titanikut në detaje).

Komentuesit shpesh e ndajnë karrierën e Dylanit në epoka të veçanta: trubaduri i ri i folkut në fillim të viteve ’60 të shekullit XX, poeti i rokut mes viteve ’60 të shekullit XX, këngëtari i kantrit në fund të viteve ’60 të shekullit XX, autori introspektiv i viteve ’70 të shekullit XX, predikuesi pasionant ungjillor rreth vitit 1980, dhe urtaku reflektues nga vitet ‘90 të shekullit XX e më tej.

Ndryshe nga këto ndarje të rregullta që ofron kritika tradicionale, grafikët e IA-së, më poshtë, drejtohen nga të dhënat: ato burojnë nga 9 000 lidhje midis koncepteve, jo nga paragjykimet e mia. Duke ndjekur modelet tematike gjatë këtyre fazave, me ndihmën e një LLM-je ne zbulojmë se si shqetësimet e Dylanit, që ndryshojnë, lidhen me moshën e tij, përvojat dhe rrymat më të gjera kulturore të kohës së tij.

Në fund, modeli e shndërron ndjesinë në një grafikë kohore me ngritje dhe rënie. Emocioni në muzikën e Dylanit ka qenë gjithmonë dinamik, jo statik, dhe analiza e ndjesisë nga LLM-ja e pasqyron këtë, duke treguar ngritje dhe zbritje në ndjesinë mesatare të këngëve që përputhen me kapitujt kryesorë të jetës dhe karrierës së tij brenda gjashtë dekadave (shih Figurën 3 më poshtë).

Figura 3. Evoluimi, ndër vite, i temave në tekstet e Dylanitaeon.co

Në mesin e viteve ’60 të shekullit XX, gazetarët e shpallën Dylanin si zërin e një brezi. Ky reputacion mbështetet nga të dhënat: tema protestuese/politike rritet ndjeshëm gjatë asaj dekade, nxitur nga këngët ikonike si Masters of War (1963) dhe The Times They Are A-Changin’ (1963). Tema e dhunës, siç pritet, ecën paralelisht me trazirat e epokës. Por, në fund të dekadës, kalimi i Dylanit te roku elektrik dhe tërheqja e tij nga komentimi i hapur përkojnë me një rënie të theksuar të imazherisë protestuese. Në vend të saj, në qendër dalin temat e dashurisë/romancës dhe emocionit, duke pasqyruar si kthimin e Dylanit drejt vetes, ashtu edhe një ndryshim më të gjerë kulturor - nga lëvizjet masive drejt reflektimit personal.

Ndihmon jashtëzakonisht shumë të shohësh vëllimin e veprës së Dylanit dhe rrjetet që ato krijojnë, dekadë pas dekade. Diagramet më poshtë tregojnë 50 nyjat më të shpeshta për çdo dekadë, së bashku me skajet ndërmjet tyre. Kur i shikoni këta diagramë, mbani mend se madhësia e nyjës tregon nivelin e lidhjes, dhe ngjyrat tregojnë lloje të ndryshme nyjash - nga abstrakte te persona të veçantë. Qëllimi është të krahasojmë ndryshimet me kalimin e kohës. Rrjeti i viteve ‘60 të shekullit (shih Figurën 4 më poshtë) tregon protestën dhe reportazhin si nyjë qendrore, me një kolazh surreal që përshkon disa koncepte ndërlidhëse.

Figura 4. Rrjeti i 50 koncepteve kryesore, në vitet ’60 të shekullit XX: modeli tregon dy grumbuj dominues: një grumbull proteste (“masters of war” [zotët e luftës], “Oxford town” [Oksfordi], figura të emëruara si Hattie Carroll dhe William Zantzinger) dhe një grumbull surreal letrar (“desolation row” [rruga e rrënojave], Ofelia). Një grup i vogël i urave të nyjave lidh këto botë, si “death” [vdekja], “highway” [autostrada], dhe wind → answer [era → përgjigjja]. Kjo e bën të dukshme mënyrën se si reportazhi dhe miti janë të ndërlidhur në veprën e hershme, në vend që të jetojnë në regjistra të ndarë


Ndërkohë, vitet ’70 të shekullit, siç paraqitet në Figurën 5 më poshtë, e gjejnë Dylanin të zhytur plotësisht në temat personale. Vazhdon rënia e imazherisë politike dhe e dhunës së drejtpërdrejtë, duke përkuar me tërheqjen e Dylanit nga sytë e publikut drejt jetës familjare dhe reflektimit personal (ai u martua me Sara Lowndsin në 1965 dhe u vendos në Vudstok). Temat romantike dhe emocionale arrijnë kulmin në mesin e viteve ’70 të shekullit XX, veçanërisht të dallueshme në albumin Blood on the Tracks (1975) - i interpretuar gjerësisht si i frymëzuar nga problemet martesore të Dylanit - duke prodhuar këngë intime klasike si Tangled Up in Blue dhe Shelter from the Storm. Po ashtu, rritet edhe përdorimi i imazherisë së natyrës, duke reflektuar kthimin introspektiv të Dylanit dhe përdorimin gjithnjë e më të madh të metaforave pastorale dhe mjedisore.

Në fund të viteve ‘70 dhe në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, Dylan përjetoi një përmbysje tematike dramatike. Temat e protestës dhe dhunës rikthehen fuqishëm rreth vitit 1980, të lidhura me kritika politike, si Union Sundown (1983) dhe Neighborhood Bully (1983). Njëkohësisht, imagjinata mitike/biblike rritet ndjeshëm teksa Dylani futet në fazën e tij të krishterë ungjillore, e dokumentuar në albumet si Slow Train Coming (1979) dhe Saved (1980). Gjatë kësaj periudhe, temat e lëvizjes dhe udhëtimit arrijnë pikën më të ulët - ndoshta si pasqyrim i një udhëtimi të brendshëm shpirtëror, në vend të endjes së jashtme.

Ky zhvendosje, nga dashuria dhe introspeksioni emocional drejt shqetësimeve më të gjera shoqërore dhe shpirtërore, përcakton këtë periudhë të trazuar. Në fakt, qendra lëvizi në vitet ‘70 të shekullit XX drejt adresimit në vetën e dytë dhe temave intime (shih Figurën 5 më poshtë). Në vitet ’80 të shekullit XX, fjalori religjioz bëhet qendror dhe lidhet drejtpërdrejt me gjuhën gjeopolitike (shih Figurën 6 më poshtë).

Figura 5. Rrjeti i 50 koncepteve kryesore, vitet ’70 të shekullit XX: qendra e gravitetit zhvendoset te adresimi në vetën e dytë dhe te jeta private. Një nyje e vetme rreth “you” [ti] tërheq dashurinë, jetën, të vërtetën, dritën, paratë, dhe figurat e emëruara si Sara; grupe tregimesh të veçanta (“Hurricane” [uragani], “Idiot Wind” [idioti i fërfëlluar], “Jack of Hearts” [fani i zemrës]) varen rreth kësaj nyje. Topologjia sasiore tregon kthimin e dekadës drejt brendësisë: më shumë lidhje përqendrohen te termat e adresimit dhe marrëdhënies sesa te temat publike - një ndryshim që është i lehtë për t’u anashkaluar pa një “makroskop”telegrafi.com


Figura 6. Rrjeti i 50 koncepteve kryesore, vitet ’80 të shekullit XX: fjalori fetar në mënyrë strukturore bëhet qendror (“Jesus” [Jezusi], “lord” [Zoti], “covenant woman” [murgesha], “resurrection” [ringjallja], “righteous king” [mbretëria e drejtë]) dhe lidhet drejtpërdrejt me nyje të përvojave si “licence to kill” [leja për të vrarë] dhe “neighbourhood bully” [mujshari i lagjes], si dhe me grumbullin e pasur me metafora të “Jokerman”-it. Rrjeti tregon jo dy fjalorë të ndarë, por një rrjet të bashkuar. Ai gjithashtu zbulon se termat fetarë veprojnë si ura, jo si ishuj - duke lidhur gjuhën morale me kritikën politike përmes një shkalle të lartë ndërlidhjeje aeon.co

Në vitet ‘90 të shekullit XX, ndodh një tjetër ndryshim tematik - kësaj here i shënuar nga rikthimi i Dylanit në rolin e vëzhguesit endacak. Temat protestuese bien sërish, ndërsa rikthehen udhëtimi dhe imazhet nga natyra. Kjo ringjallje ilustrohet në këngët si Tryin’ to Get to Heaven (1997) dhe Highlands (1997), ku lëvizja, udhëtimet dhe imazhet natyrore janë në qendër. Imazhet romantike zbuten duke vazhduar rënien nga intensiteti emocional i viteve ’70 të shekullit XX. Këngët për dashurinë arrijnë pikën më të ulët, ndërsa rrëfimet e Dylanit marrin gjithnjë e më shumë ton të shkëputur dhe reflektues, ndoshta duke pasqyruar fazën e tij personale të jetës dhe introspeksionin kulturor në fund të mijëvjeçarit.

Së fundi, në vitet 2000-2012, Dylani hyri në një fazë të definuar nga reflektimi dhe kompleksiteti emocional. Imazhet e dashurisë dhe romancës rriten ndjeshëm në nivelet më të larta - tregues i një hapjeje, në fund të karrierës, ndaj reflektimit personal dhe sinqeritetit emocional, e dukshme kjo në albumet si Modern Times (2006) dhe Together Through Life (2009). Në të njëjtën kohë, zbehen imazhet mitike, së bashku me temat e tjera si protesta dhe dhuna, duke sugjeruar një angazhim të reduktuar me polemikat e jashtme ose zellin shpirtëror. Lëvizja dhe udhëtimi mbeten vazhdimisht të larta: Dylani nuk ndaloi kurrë së lëvizuri, si në mënyrë figurative ashtu edhe fjalë për fjalë (ai ka bërë turne të pandërprera që nga vitet ‘80 të shekullin XX, me turneun e tij Never Ending Tour).

Veçanërisht, nga vitet ’90 të shekullit XX, rrjeti fragmentohet në grupe më të vogla të lidhura me kujtesën dhe vetanalizën (shih Figurën 7 më poshtë). Pas vitit 2000, qendra zbutet sërish në një amerikana modulare, me përralla dhe imazhe historike që informojnë zërin e narratorit (shih Figurën 8 më poshtë).

Figura 7. Rrjeti i 50 koncepteve kryesore, vitet ’90 të shekullit XX: rrjeti fragmentohet në module më të vogla të lidhura me tema të brendshme: vetëmashtrimi, pasiguria, fantazma e dashurisë sonë së vjetër, shënuesit kohorë si sot/dje, dhe imazhe të një ecjeje të gjatë nga “Highlands” [Malësi]. Humbja e një qendre të vetme drejtuese dhe ngritja e nyjave të kohës dhe kujtesës përcaktojnë kthesën introspektive të dekadës dhe ndihmojnë në shpjegimin e arsyes se pse ndjenja e skajeve metaforike anon këtu te më e errëtaaeon.co

Figura 8. Rrjeti i 50 koncepteve kryesore, vitet 2000-2012: struktura vendoset në një amerikana modulare. Grumbuj të tillë si “Tweedle Dum and Tweedle Dee” [çifte të padallueshme], “high water” [batica] dhe një qendër e përgjithshme narrative ndodhen pranë arketipave (“thief”, “captain” [gardiani], “poor boy” [varvanjaku]) dhe etiketave filozofike (e vërteta fisnike). Rrjeti tregon një rikthim te kolazhi, por me një qendër më të lirshme se qendra e adresimit të viteve ’70 të shekullit XX, dhe me motive më të ngushta se përhapja e viteve ’60 të shekullit XX, gjë që është e lehtë të mos vihet re pa një matje të qëndrueshme ndër dekadaaeon.co

Një temë që ngrihet vazhdimisht gjatë gjithë periudhës: koha. Ngritja e saj e qëndrueshme ndër dekada përputhet në mënyrë intuitive me plakjen e vetë Dylanit dhe preokupimin e shtuar ndaj trashëgimisë dhe kalimit të viteve.

Ajo që bie në sy është se si valët tematike të Dylanit pasqyrojnë si fazat e jetës së tij, ashtu edhe ndryshimet më të gjera kulturore: Lufta e Ftohtë dhe trazirat për të drejtat civile në fillim të viteve ’60 të shekulli XX, kthimi drejt temave familjare dhe romantike në mesin e viteve ’70 të shekullit XX, rritja e imazheve ungjillore rreth vitit 1980, dhe toni reflektues, i përqendruar te trashëgimia, i viteve ’90 të shekullit XX.

Në themel të të gjitha këtyre modeleve qëndron ajo cilësi e qëndrueshme e artit të Dylanit: rikrijimi. Ai nuk mbetet kurrë i njëjtë. Shprehja a complete unknown [krejtësisht i panjohur] - marrë nga kënga Like a Rolling Stone (1965) dhe titull i biopikut të vitit 2024 - është një epitet i përshtatshëm për një artist të paparashikueshëm si ai. Në mes të vitit 1965, këngëtari në ngritje i folkut - që përcaktoi muzikën protestuese në Festivalin Folk të Njuportit - tronditi puritanët e folkut duke dalë në skenë me një grup me instrumente elektrike. Disa vite më vonë, pikërisht kur shumëkush priste një tjetër album rok, ai i habiti sërish adhuruesit me Nashville Skyline (1969), një album i lehtë kantri. Në fund të viteve ’70 të shekullit XX, kaloi nga një poet laik në një të krishterë të rilindur, për t’u kthyer më vonë te roku, bluzi i dhe flirti me hip-hopin në fund të viteve ’80 të shekullit XX. Çdo kalim shkaktoi reagime të forta nga disa adhurues dhe kritikë, megjithatë Dylan gjithmonë vazhdonte tutje.

Në esenë e tij On Bob Dylan (2022), juristi Cass Sunstein e përshkruan këtë ndryshueshmëri të vazhdueshme si “ç’zakon” [dishabituation]: prishja e qëllimshme e pritshmërive që mban një audiencë zgjuar dhe të vëmendshme për atë që vjen më pas. Meqenëse stimujt e paparashikueshëm nxisin çlirimin e dopaminës, ky shpërblim neurokimik mund të shpjegojë pse fazat më të egra të Dylanit mbeten aq tërheqëse.

Sunstein vë në dukje shprehjen e kënaqësisë së Dylanit për të qenë jashtë rendit, ose siç e thotë vetë Dylani, këngët e tij janë për “trëndafila që rriten nga truri i njerëzve dhe të të dashuruarve që në të vërtetë janë pata dhe mjellma që shndërrohen në engjëj”. Dylani, thekson Sunstein, tallet me “të zakonshmen ose rutinën”, dhe refuzon të duartrokasë me bindje ndaj sloganeve të protestës. Ajo mungesë nderimi, argumenton Sunstein, shpjegon gjithçka - që nga refuzimi i Dylanit për t’u bërë maskotë e një lëvizjeje të viteve ’60 të shekullit, deri te gjallëria pa rrënjë e Like a Rolling Stone [Si endacak].

Të dhënat mbështesin këtë interpretim. Mendo për rrjetin e nyjave si një hartë metroje të mendjes së Dylanit: me stacione qendrore të quajtura Love [Dashuri], Time [Kohë], God [Zot] në qendër; dhe ndalesa të linjave dytësore si Nightingale [Bilbil] ose Fiery Furnace [Furrë e zjarrtë] në periferi. Në teorinë e rrjetit, lëvizja rreth çdo stacioni (nyje) quhet qendra e saj: sa më shumë lidhje që ka një nyje me nyje të tjera, aq më “qendrore” është ajo.

Tani, imagjino të matësh se sa shumë endet një këngë mes ideve të saj qendrore. Nëse imazhet rrotullohen vetëm rreth disa qendrave të njohura, ndryshueshmëria është e ulët. Nëse ato kalojnë papritur mes të zakonshmes dhe të rrallës, ndryshueshmëria është e lartë. Kjo shpërndarje shërben si një “indeks i përafërt ç-zakoni”: ndryshueshmëri e lartë do të thotë që Dylani na trondit me përzierje të së njohurës dhe të papriturës, ndërsa ndryshueshmëri e ulët do të thotë se ai po lëviz në terren të shkelur më parë. Masa të ngjashme të ndryshueshmërisë janë përdorur madje për të kapur elementin e befasisë në solot e xhazit, duke sugjeruar një urë mes eksperimentimeve lirike të Dylanit dhe improvizimit muzikor.

Kur hartohet dekadë pas dekade (shih Figurën 9 më poshtë), indeksi i ndryshueshmërisë arrin kulmin në vitet ’80 të shekullit XX, pikërisht kur Dylan po kalonte nga roku ungjillor te rilindja e folkut dhe te popi me sintetizator. Pas kësaj, ai bie gradualisht, duke treguar zërin më të unifikuar që shfaqet në albumet si Time Out of Mind (1997) dhe më pas. Pas vitit 1997, ai stabilizohet - jo i zbutur, por i përmbajtur - në një improvizues që gjen ritmin e vet.

Figura 9. Indeksi i ç’zakonit ndër vite: sa më i lartë të jetë indeksi, aq më shumë Dylani përzien nyjat qendrore (ato me qendër të lartë) me ato periferike.aeon.co

Përcaktimi sasior i së paparashikueshmes mund të tingëllojë paradoksale, por rezultati ofron konfirmimin e parë me shifra për diçka që adhuruesit e tij kanë ndier prej kohësh: oreksi i Dylanit për befasi arriti kulmet më të mëdha në vitet ’80 të shekullit XX, pastaj u stabilizua gradualisht në një pjekuri të përvojës, por ende të paqëndrueshme. Muzikologët prej kohësh e kanë quajtur dekadën e viteve ‘80 të shekullit si më të sertë për Dylanin; indeksi i ç’zakonit është prova e parë numerike.

Skeptikët mund të pyesin: a na duhet vërtet një IA për të na thënë se Dylani shkroi këngë proteste në vitet ’60 të shekullit XX, këngë ungjillore në vitet ’80 të shekullit XX, dhe gospel introspektiv në vitet ’90 të shekullit XX? Në një nivel, jo. Por, siç argumentojnë historianët Jo Guldi dhe David Armitage në The History Manifesto (2017), provat sasiore dhe vizualizimi lejojnë historianët të testojnë urtinë e trashëguar dhe të nxisin debatin publik me argumente që qarkullojnë përtej botës akademike, duke ndihmuar në ndarjen mes të pavërtetës, mitit dhe zhurmës.

Vlera qëndron në detaj dhe në konfirmim. Modeli mund të përcaktojë saktësisht cilët emra biblikë rriten në periudhën ungjillore, sa shpesh përsëritet fjala “rain” [shi] në gjashtë dekada, ose se si imazhi i trenit rishfaqet në incizimet e Dylanit në shekullin XXI. Ai tregon, për shembull, se vargjet me etiketa si dashuri/romancë bëhen më ambivalente në tonin emocional, me kalimin e moshës, duke përcaktuar një kalim nga idealizmi rinor te ndërlikimi i pjekurisë. Këto shenja empirike nuk zëvendësojnë interpretimin njerëzor; ato nxisin pyetje të reja. Pse u shumuan kaq papritur metaforat e Dylanit? Ishte një strategji artistike, ndikimi i moshës, apo thjesht kultura e epokës së MTV-së që e shtynte lirikën drejt abstraksionit?

Kthesat personale të Dylanit shpesh pasqyrojnë rrymat më të gjera kulturore: këngët e tij protestuese pasqyrojnë epokën e të drejtave civile; faza ungjillore përkon me një ringjallje fetare në të gjithë vendin; meditimet e tij në fund të karrierës reflektojnë një brez që përballet me trashëgiminë. Ky vëzhgim, të cilin zakonisht e kuptojmë në mënyrë anekdotike, bëhet më i qartë kur vizualizojmë prirjet poetike ndër dekada. Studiuesit e shkencave humane dixhitale, si Ted Underwood, paralajmërojnë se të dhënat nuk e zëvendësojnë leximin e kujdesshëm, por mund të ofrojnë një “makroskop” duke riformuluar veprat e njohur në mënyra të habitshme dhe ndriçuese.

Sigurisht, asnjë algoritëm nuk mund të na tregojë pse Like a Rolling Stone ende na jep të dridhura, apo të deshifrojë dykuptimësinë morale të to live outside the law you must be honest [Për të jetuar jashtë ligjit duhet të jesh i ndershëm]. Në aspektin më kritik, skeptikët na kujtojnë se modelet e mëdha gjuhësore mund të sillen thjesht si “papagaj stokastikë” që përsërisin modelet sipërfaqësore pa kuptim të vërtetë. Megjithatë, kur përdoren si lente dhe jo si orakull, të njëjtat modele mund t’i nxjerrin edhe kritikët me përvojë nga ngërçet interpretuese dhe t’i zbulojnë temat të cilat mund t’i kenë humbur. Larg nga reduktimi i Dylanit në numra, kjo qasje vë në pah se sa qëllimisht e ndërlikuar është lirika e tij: një mendje e shqetësuar që kthehet te disa imazhe herë pas here, duke i rikombinuar ato në mozaikë gjithnjë të rinj. Me pak fjalë, inteligjenca artificiale na lejon të testojmë folklorin rreth Dylanit, duke ndarë teoritë të cilat të dhënat i konfirmojnë nga ato që i hedhin poshtë në heshtje.

A do ta aprovonte Dylani vetë këtë? Me shumë gjasa, me një buzëqeshje ironike. Karriera e tij na mëson, mbi të gjitha, vlerën e këndvështrimeve të reja. Çdo rikrijim i detyron dëgjuesit të lënë mënjanë supozimet dhe të dëgjojnë me veshë të freskët. Pak vepra, si ato të tij, ta japin shpërblimin e këtij shikimi të dyfishtë. Analiza me makinë nuk mund të prekë jehonën emocionale të këngëve, por mund të ndjekë arkitekturën e tyre në ndryshim - duke na kujtuar se, pavarësisht zbulimeve, fuqia kulturore e Dylanit qëndron ende, edhe sot, te fakti se ai mbetet krejtësisht i panjohur. /Telegrafi/