Talenti i Bayern Munich, Erblin Osmani, viziton Kombëtaren e Kosovës dhe FFK-në
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka bërë të ditur se sot, në ambientet e FFK-së, është pritur futbollisti i ri kosovar Erblin Osmani, i cili është pjesë e gjigantit gjerman Bayern Munich.
Osmani po qëndron në Kosovë gjatë pushimeve verore dhe e shfrytëzoi këtë vizitë për të qenë më afër futbollit kosovar, duke u njohur nga afër me punën që zhvillohet aty.
Gjatë ditës, Osmani ka ndjekur edhe seancën stërvitore të Kombëtares së Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku u njoh me atmosferën brenda ekipit kombëtar dhe me përgatitjet e “Dardanëve”.
Ademi e cilësoi vizitën e Osmanit si një dëshmi të lidhjes së fortë që talentët kosovarë, të cilët po zhvillohen dhe po afirmohen në arenën evropiane, vazhdojnë ta kenë me vendlindjen dhe me futbollin e Kosovës.
“Erblini është shembull i gjeneratës së re që po e çon emrin e Kosovës në nivelet më të larta të futbollit botëror”, ka shkruar Ademi, duke nënvizuar rëndësinë që këta futbollistë të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre dhe të jenë inspirim për të rinjtë në Kosovë.
Në fund, Federata e Futbollit e Kosovës i ka uruar Erblin Osmanit suksese të vazhdueshme dhe arritje të mëdha në karrierën e tij me Bayern Munich. /Telegrafi/


