Please enter at least 3 characters.

Supremja shfuqizon pjesërisht Rregulloren e Universitetit të Prishtinës për procedurat e avancimit të personelit akademik

Gjykata Supreme e Kosovës, në çështjen juridike të konfliktit administrativ sipas padisë së Organizatës Joqeveritare “Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)” kundër të paditurit, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë për shqyrtimin e ligjshmërisë së dispozitave të Rregullores Nr. Prot. 1/282, datë 03.06.2025, për Procedurat Përzgjedhëse lidhur me Emërimin, Avancimin dhe Rizgjedhjen e Personelit Akademik në Universitetin e Prishtinës.

Me aktgjykimin e saj, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar nenin 18 paragrafi 7 të kësaj rregulloreje, i cili i rezervonte Senatit të Universitetit të Prishtinës të drejtën që “në çdo moment ta tërheqë njohjen e publikimit në revistat e dyshimta ose botuesit e dyshimtë, por para vlerësimit përfundimtar të kandidatit”.

Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë nuk mbështetet në autorizim të mjaftueshëm ligjor apo statutar, tejkalon kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës, si dhe cenon parimet e sigurisë juridike, parashikueshmërisë dhe pritshmërisë legjitime të kandidatëve në procedurat akademike.

Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme thekson se nocionet “revista të dyshimta” dhe “botues të dyshimtë” nuk janë të përkufizuara qartë në legjislacionin në fuqi, ndërsa dispozita e kontestuar nuk përcakton kritere objektive, procedura vendimmarrëse apo mjete juridike mbrojtëse për kandidatët, duke krijuar hapësirë për arbitraritet administrativ.

Vlerësimi i publikimeve shkencore duhet të bazohet në statusin e revistës dhe indeksimit në momentin e publikimit të punimit shkencor, ndërsa zhvillimet e mëvonshme lidhur me statusin e revistës nuk mund të prodhojnë pasoja retroaktive për kandidatët, për aq kohë sa nuk provohet shkelje nga vetë autori.

Sa i përket pjesës tjetër të kërkesëpadisë, Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për shpalljen e paligjshme dhe shfuqizimin e fusnotës 16 të së njëjtës rregullore. Gjykata ka vlerësuar se fusnota, në aspektin juridik, ka karakter shpjegues dhe jo normativ, rrjedhimisht nuk përbën dispozitë të pavarur juridike me efekt detyrues. /Telegrafi/