Please enter at least 3 characters.

Sllovakia dhe Hungaria kërcënojnë Ukrainën

Sllovakia dhe Hungaria akuzojnë Ukrainën se po e ndalon qëllimisht kalimin e naftës ruse përmes naftësjellësit “Druzhba”. Ato kërcënojnë me bllokimin e furnizimit me energji elektrike dhe të ndihmave të BE-së.

Prej disa javësh drejt Sllovakisë nuk rrjedh më naftë ruse përmes Ukrainës.

Shkaku është dëmtimi i tubacioneve të naftësjellësit "Druzhba”.

Tani kryeministri sllovak, Robert Fico, e kërcënoi Kievin me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për Ukrainën nëse furnizimi me naftë ruse përmes Ukrainës nuk rifillon deri të hënën.

Edhe kryeministri hungarez Viktor Orban ka kërcënuar me masa të ngjashme.

Hungaria dhe Sllovakia sigurojnë rreth gjysmën e furnizimeve emergjente me energji elektrike të Evropës për Ukrainën, e cila është e varur nga këto furnizime për shkak të sulmeve masive ruse ndaj infrastrukturës së saj.

Ukraina dënon kërcënimet e Hungarisë dhe të Sllovakisë

Ukraina i dënoi ashpër kërcënimet e Hungarisë dhe të Sllovakisë në mosmarrëveshjen për furnizimet me energji.

Kievi i akuzoi dy vendet anëtare të BE-së për shantazh dhe provokim.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha, e cilësoi si të papërgjegjshme kërcënimin për t'i ndërprerë Ukrainës furnizimin me energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.

"Kjo kërcënon sigurinë energjetike të gjithë rajonit”, shkroi Sybiha në platformën X.

Ai shtoi se qeveritë në Budapest dhe Bratislavë duhet t'ia drejtojnë ankesat e tyre Kremlinit dhe jo Kievit.

Naftësjellësi "Druzhba” është dëmtuar nga sulmet ruse dhe punimet për riparimin e tij po vazhdojnë pavarësisht rrezikut nga sulmet me raketa, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Ukrainës.

Kievi kritikoi faktin se Bratislava dhe Budapesti synojnë t'u ndërpresin ukrainasve energjinë elektrike, ngrohjen dhe gazin pikërisht gjatë periudhës së acarit ekstrem.

Fico: Zelensky ka qëllime të këqija

Në një konferencë për shtyp në Bratislavë, Fico përdori një gjuhë konfrontuese ndaj vendit fqinj, Ukrainës.

Për dëmtimin e tubacioneve nuk ka asnjë fajtor të qartë, tha kryeministri sllovak. Sipas Ficos, Ukraina akuzon rusët se kanë dëmtuar tubacionet gjatë një sulmi, ndërsa rusët akuzojnë Ukrainën se e ka ndërprerë qëllimisht qarkullimin e naftës përmes naftësjellësit.

"Tani do të më duhej të hamendësoja, por nuk është hera e parë që presidenti Zelenski merr vendime politike që dëmtojnë Sllovakinë”, shtoi Fico. Sipas tij, kjo kishte ndodhur edhe më parë, kur u ndërpre tranziti i gazit përmes territorit të Ukrainës drejt Sllovakisë.

Fico këmbëngul që problemet me naftësjellësin janë hakmarrje e Ukrainës për politikën që ndjekin nga Sllovakia dhe Hungaria ndaj Ukrainës.

Sllovakia dhe Hungaria bëjnë pjesë ndër vendet që janë shprehur në BE në mënyrë kritike ndaj ndihmave për Ukrainën dhe ndaj një anëtarësimi të mundshëm të saj në BE.

Sllovakia nuk merr pjesë në paketën e ndihmës prej 90 miliardë eurosh. Sllovakia dhe Hungaria vazhdojnë të blejnë naftë të papërpunuar nga Rusia. /DW/

true