Please enter at least 3 characters.

Skuqja në këtë nuancë e freskon fytyrën menjëherë: Fsheh lodhjen dhe i jep pamje më rinore

Tonet e lehta rozë janë kthyer në trend global, sepse krijojnë efektin e lëkurës së pastër, të freskët dhe natyrshëm të ndriçuar

Me ardhjen e ditëve më të ngrohta dhe energjisë verore, shumë vajza ndiejnë dëshirën të dalin nga zona e zakonshme e rehatisë në grim. Gjatë dimrit zakonisht dominojnë nuancat neutrale, tokësore dhe të ngrohta, ndërsa tani është koha për tone më të ndritshme, më të freskëta dhe më të gjalla.

Këtë sezon, grimerët dhe ndikueset e bukurisë në mbarë botën janë fokusuar te një produkt i vetëm: skuqja në nuancën "baby pink". Kjo ngjyrë e butë rozë ka fuqinë që për pak sekonda ta freskojë tenin, t’i japë fytyrës gjallëri dhe ta bëjë të duket më e pushuar.

Edhe pse shumë vajza i shmangin tonet më të ftohta në grim, nganjëherë mjafton ta shohësh vetëm një herë efektin e tyre në lëkurë për t’u bindur se ia vlen t’u jepet një mundësi.

Kjo vlen sidomos për skuqjen e faqeve. Pikërisht nuanca e butë, e lehtë rozë i jep fytyrës atë pamjen e njohur, natyrshëm rinore, sikur sapo jeni kthyer nga një shëtitje e gjatë në ajër të pastër, transmeton Telegrafi.

Skuqjet më të kërkuara në nuancë të lehtë rozë

Si përgjigje ndaj këtij trendi të madh, brendet kryesore kozmetike në botë kanë përfshirë me shpejtësi tonet "baby pink" në koleksionet e tyre. Vajzat në mbarë botën i kanë pranuar menjëherë dhe i kanë bërë pjesë të rutinës së përditshme të grimit.

Shembulli më i njohur është brendi shumë i popullarizuar Rhode, i themeluar nga Hailey Bieber. Skuqja e lëngshme Pocket Blush në nuancën "Piggy" është bërë një nga produktet më të kërkuara të koleksionit.

Në dallim nga tonet e ngrohta portokalli, pjeshke apo nuancat kafe që lidhen me trendin "sad blush", variantet e ftohta "baby pink", shpesh me një nënton shumë të lehtë vjollcë, i japin fytyrës pamje më të pastër, më të butë dhe më të sofistikuar.

Këto nuanca u përshtaten veçanërisht vajzave me ten më të çelët, ku krijojnë efektin shumë të pëlqyer "doll skin", pra pamjen e lëkurës si kukull. Një shtysë të madhe këtij trendi ia ka dhënë edhe kozmetika koreane, e cila prej vitesh promovon faqe rozë të lehta, lëkurë porcelani dhe pamje të pastër e të tejdukshme.

Lajmi i mirë është se këto skuqje mund të gjenden në forma të ndryshme: krem, të lëngshme, kompakte apo pluhur. Prandaj, secila mund ta gjejë lehtë produktin që i përshtatet më së miri, qoftë nëse preferon shkëlqim natyral dhe efekt të lagësht në lëkurë, qoftë nëse ka lëkurë më të yndyrshme dhe kërkon rezultat më të qëndrueshëm e mat. /Telegrafi/