Skenë e pabesueshme - ariu ngecet në shtyllë
Një banore e shtetit amerikan të New Mexicos ka regjistruar një moment të pazakontë, kur një ari i zi kishte mbetur i bllokuar në majë të një shtylle telefonike rreth 10 metra të lartë.
Në pamjet që u bënë virale në internet shihet ariu duke marrë frymë me vështirësi, ndërsa mbahet me putrat e përparme pas shtyllës dhe këmbët e pasme i varen në të dyja anët.
Videoja u regjistrua nga Shannon Mullens, e cila po udhëtonte me makinë nga New Mexico drejt Oklahomës. Në një zonë rurale pranë Gladstone, ajo vuri re kafshën në majë të shtyllës dhe njoftoi shërbimet përkatëse.
Personi që bëri telefonatën njoftoi autoritetet se “një ari ndodhet në majë të shtyllës së ndriçimit”. Operatori tha se kishin marrë edhe më parë njoftime për ariun dhe se ishte lajmëruar shërbimi shtetëror për mbrojtjen e kafshëve të egra (Game and Fish), por në atë moment nuk ishte e mundur të ndërhyhej.
Ekspertët nuk mund ta qetësonin ariun me qetësues, sepse pas përdorimit të ilaçit kafsha mund të binte nga lartësia dhe të pësonte plagë të rënda.
Edhe pse autoritetet u përpoqën ta shpëtonin, historia pati një fund të trishtuar. Ariu përfundimisht ngordhi pasi pësoi goditje elektrike përpara se të mund të shpëtohej. Departamenti i Peshqve dhe Kafshëve të Egra në Nju Meksiko konfirmoi se kafsha nuk mbijetoi.
Videoja u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe tërhoqi vëmendjen e publikut për shkak të pamjes së pazakontë të një kafshe të egër në një situatë kaq të rrallë. /Telegrafi/


