Please enter at least 3 characters.

Shumë biznese të birrarisë po përballen me falimentim në Gjermani

Industria tradicionale e birrës në Gjermani, një nga shtyllat kulturore dhe ekonomike të vendit, po kalon një nga periudhat më të vështira në dekada. Stefan Blaschak, drejtori ekzekutiv i birrarisë së njohur Oettinger, ka ngritur alarmin për një valë të falimentimeve që po përfshin sektorin, duke paralajmëruar se situata është më serioze se kurrë më parë.

“Kjo është një krizë që nuk ka të krahasuar. Bota e birrës po shembet”, tha Blaschak në një deklaratë për mediat dhe shtoi se “po shohim biznese të vogla që po falimentojnë pothuajse çdo ditë. Nëse kjo prirje vazhdon, edhe birraritë e mëdha nuk do të shpëtojnë nga pasojat”.

Sipas të dhënave të fundit, konsumi i birrës në Gjermani ka pësuar një rënie të ndjeshme gjatë vitit 2025, me një ulje prej 7–7.5 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Kjo rënie vjen si vazhdim i një tendence disavjeçare, por shifrat e këtij viti janë veçanërisht alarmante për industrinë.

Në dy vitet e fundit, janë mbyllur plot 52 birrari në të gjithë vendin — shifër kjo që përbën numrin më të lartë të mbylljeve brenda një periudhe kaq të shkurtër në më shumë se 30 vjet. Kjo tregon jo vetëm për vështirësitë ekonomike me të cilat po përballen prodhuesit, por edhe për një ndryshim të thellë në zakonet e konsumatorëve gjermanë.

Faktorët që kanë çuar në këtë situatë janë të shumtë: ndryshimet në stilin e jetesës, rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin, konkurrenca nga pije të tjera si vera dhe pijet e gazuara, si dhe rritja e kostove të prodhimit për shkak të inflacionit dhe krizave të furnizimit pas pandemisë dhe konflikteve ndërkombëtare.

Blaschak thekson se nëse nuk merren masa të menjëhershme për të mbështetur industrinë, një pjesë e madhe e trashëgimisë kulturore dhe kulinare të Gjermanisë është në rrezik të zhduket.

“Birra nuk është thjesht një produkt – ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar. Nëse e lejojmë këtë industri të shkatërrohet, humbasim më shumë sesa thjesht disa marka birre – humbasim një pjesë të historisë sonë,” përfundoi ai. /Telegrafi/