Shpëtohen një shqiptar dhe një turist gjerman, u helmuan nga një bimë në malin e Korabit
Një shqiptar vendas dhe një turist me shtetësi gjermane kanë konsumuar aksidentalisht një bimë helmuese në malin e Korabit, duke rrezikuar rëndë shëndetin e tyre.
Lajmi është konfirmuar nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK), i cili ka njoftuar se ka marrë thirrje urgjente dhe informacion për këtë rast.
Sipas njoftimit, gjendja e të dy personave u përkeqësua në një kohë shumë të shkurtër pas konsumimit të bimës.
“Një banor shqiptar nga zona dhe një turist gjerman kishin ngrënë me lajthitje një bimë helmuese (tani e identifikuar), çka solli përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes së tyre shëndetësore. Fatmirësisht, njëri prej tyre ka qenë në gjendje të telefonojë dhe të dërgojë koordinatat e sakta të vendndodhjes”, thuhet në komunikatën e ShKShMK.
Dy anëtarë të këtij shërbimi ndodheshin pranë zonës së incidentit dhe arritën shpejt për t’u dhënë ndihmën e parë.
Megjithatë, për shkak të gjendjes së rënduar të të helmuarve, u kërkua ndërhyrje ajrore për evakuim.
Autoritetet shqiptare reaguan menjëherë duke dërguar një ekip mjekësor dhe njësinë ajrore të shpëtimit.
Të dy personat u evakuuan me helikopter dhe u transportuan në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, ku po marrin trajtim të specializuar.
ShKShMK ka përgëzuar autoritetet për ndërhyrjen profesionale dhe koordinimin e shpejtë, ndërsa u ka uruar pacientëve shërim të shpejtë./Telegrafi/


