Shkoi i dehur në xhirimet e një filmi, Colin Farrell: E përsërita skenën 46 herë
Aktori irlandez, Colin Farrell, ka treguar në emisionin "The Late Show With Stephen Colbert" një nga përvojat më të sikletshme të karrierës së tij gjatë xhirimeve të filmit “Minority Report” (2002) me Tom Cruise.
Ngjarja ndodhi pikërisht në ditëlindjen e tij, më 31 maj, kur ai kishte kërkuar të mos punonte, por produksioni nuk ia pranoi kërkesën.
Pas një nate feste të tepruar, Farrell u paraqit në xhirime i lodhur dhe në gjendje të keqe.
Ai kujtoi se kishte kërkuar “gjashtë birra dhe një kuti cigare” për t’u përmirësuar, por as kjo nuk ndihmoi.
Aktori u përpoq të xhironte një skenë me Cruise, por nuk arrinte të thoshte një fjali të gjatë shkencore dhe iu deshën 46 tentativa për ta bërë saktë.
“Tom nuk ishte shumë i lumtur me mua", pranoi ai me humor.
Farrell tregoi se ky episod ndodhi në periudhën kur luftonte me varësinë nga droga dhe alkooli, e cila zgjati rreth 16 vjet.
Ai më vonë shkoi në rehabilitim në vitin 2005 dhe që prej atëherë ka qenë mirë.
Sot, Colin është rikthyer më i suksesshëm se kurrë, me një karrierë të qëndrueshme dhe një nominim për 'Oscar' në vitin 2023, duke treguar se ka mësuar shumë nga gabimet e së kaluarës. /Telegrafi/


