Please enter at least 3 characters.

SHBA vendos sanksione të reja ndaj Kubës, tronditet ekonomia vendase

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një tjetër paketë sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe kompanive kubaneze, sipas një njoftimi të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

Në paketën e fundit të sanksioneve ekonomike janë përfshirë nëntë kompani shtetërore të sektorëve të minierave, metalurgjisë dhe ndërtimit, si edhe Ministria e Ndërtimit dhe disa zyrtarë të lidhur me një institut ndërkombëtar me bazë në Kubë.

Në një deklaratë, Rubio tha se personat dhe institucionet e shënjestruara nga sanksionet janë pjesë e asaj që ai e përshkroi si arsyen e ekzistencës së regjimit për të eksportuar marksizmin, pakënaqësinë racore dhe dhunën komuniste në mbarë botën.

“Sanksionet e shpallura e bëjnë të qartë se administrata Trump nuk do të tolerojë përpjekjet e regjimit kuban për të financuar represionin e tij apo për të vazhduar fushatën e tij shumëvjeçare të aktiviteteve subversive kundër Shteteve të Bashkuara”, vijoi ai.

Zyrtarë të lartë kubanë në sektorët e energjisë, financave dhe mbrojtjes i nënshtrohen tashmë sanksioneve amerikane.

Sanksionet amerikane, së bashku me një bllokadë efektive të importeve të naftës, kanë përkeqësuar mungesat ekzistuese në Kubë, veçanërisht të karburantit, ilaçeve dhe ushqimeve.

Administrata Trump ka ndërmarrë masa edhe ndaj sektorit të turizmit të Kubës, i cili është një burim i rëndësishëm të ardhurash për qeverinë kubaneze. Këto masa kanë kontribuar në uljen e numrit të vizitorëve në ishull.