Sergio Ramos blen ish-klubin e tij Sevillan për 450 milionë euro?
Sergio Ramos ka arritur një marrëveshje në parim me një grup aksionarësh kryesorë për blerjen e Sevilla FC, klub ku ka fituar emër si futbollist profesionist.
Partneri i tij në këtë sipërmarrje është Martin Ink nga kompania Five Eleven Capital, sipas informacioneve të gazetarit Manolo Aguilar.
Kjo marrëveshje hap një periudhë ekskluziviteti, gjatë së cilës Ramos dhe ekipi i tij do të analizojnë gjendjen financiare të klubit, përpara se të tentojnë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, raporton Cadena SER.
Faza e analizës së thelluar
Marrëveshja e arritur përfaqëson një hap vendimtar, pasi tani nis procesi i analizës së thelluar financiare dhe ligjore, i njohur si “due diligence”.
Ky proces pritet të zgjasë disa muaj dhe vetëm pas përfundimit të tij do të merret një vendim përfundimtar.
Ky zhvillim konfirmon se thashethemet e fundit nuk kanë qenë të pabazuara dhe se oferta e Sergio Ramosit dhe partnerëve të tij është serioze, konkrete dhe e mbështetur nga një marrëveshje në parim.
Detajet e ofertës
Sipas informacioneve shtesë të publikuara nga Miguel Angel Chazarri, oferta fillestare për blerjen e klubit kap vlerën e 450 milionë eurove.
Sergio Ramos ka qenë i lidhur ngushtë me Sevillan gjatë karrierës së tij si futbollist. Ai ka luajtur për klubin dy herë: herën e parë nga viti 2003 deri në vitin 2005, përpara se të transferohej te Real Madridi, ndërsa u rikthye sërish te Sevilla në sezonin 2023/24, pas dy sezoneve të kaluara te Paris Saint-Germain.
@SergioRamos llega a un principio de acuerdo con el grupo de accionistas de referencia del Sevilla FC para comprar el club https://t.co/XF6D84YYV0 vía @La_SER
— Manuel /❤️🔻 (@manolinelreal) January 25, 2026
Takimi paraprak
Kësaj marrëveshjeje në parim i ka paraprirë një takim i mbajtur më 15 janar, gjatë të cilit Sergio Ramos dhe Pérez Solano prezantuan ofertën dhe projektin e tyre përpara aksionarëve të klubit.
Takimi zgjati më shumë se dy orë dhe u vlerësua shumë për shkak të rëndësisë dhe seriozitetit të ofertës, çka në fund çoi në arritjen e marrëveshjes në parim për blerjen e Sevilla FC. /Telegrafi/


