SBASHK-u: Në Kosovë nuk ka kushte që të mbahet mësimi tërëditor
Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka kundërshtuar idenë e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që në Kosovë të mbahet mësimi tërëditor.
Në komunikatën e bërë nga SBASHK-u thuhet se ideja e MASHT-it, që të mbahet mësimi tërëditor në Kosovë është një eksperiment i ri dhe i dëmshëm ndaj sistemit arsimor.
"Për mësimin tërëditor duhet shikuar praktikat në vendet e Evropës dhe do të shihet se nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen në mësimin tërëditor, por janë kuadro shtesë', thuhet në komunikatën e SBASHK-ut, transmeton Telegrafi.
Gjithashtu, SBASHK-u ka theksuar se në Kosovë nuk ka kushte që të mbahet mësimi tërëditor.
Reagimi i plotë i SBASHK-ut:Për mësimin tërëditor duhen plotësuar shumë kushte e kërkesa Nuk është e sotme ideja e MASHT-it për të nisur me mësimin tërëditor. Tani kjo ide ka të bëjë më 29 institucione arsimore, gjegjësisht nga një shkollë në tëgjitha komunat e Kosovës. Këtë ide me argumente e ka kundërshtuar SBASHK- u edhe vitin e kaluar dhe vazhdon ta kundërshtojë duke e cilësuar si një eksperiment të ri dhe shumë të dëmshëm ndaj sistemit arsimor në Kosovë.Për mësimin tërëditor duhet shikuar praktikat në vendet e Evropës dhe do të shihet se nuk janë mësimdhënësit e njëjtë ata që angazhohen në mësimin tërëditor, por janë kuadro shtesë. Po ashtu ky mësim nuk është obligativ për të gjithë nxënësit,por në shkollat e Evropës, që kanë krijuar gjithë kushtet e duhura, nxënësit shkojnë në mësimin tërëditor sipas nevojave dhe prirjeve të tyre. Po ashtu, në ato shkolla janë krijuar edhe kushtet shtesë e që janë kuzhinat shkollore dhe ambiente mësimi e rekreacioni. Këto nuk i ka ende as edhe një shkollë në Kosovë.MASHT po ashtu, duhet të di se para pak viteve ishte provuar me një eksperiment të tillë në disa shkolla të Prishtinës, por kjo u ndërpre në mënyrë të heshtur pasi ishin krijuar shumë pakënaqësi e revolta te prindërit dhe nxënësit. Ideja për mësimin tërëditor mbase mund të realizohet në të ardhmen në institucionet e Arsimit Parauniversitar të Kosovës atëherë kur krijohen kushte e ambiente të mjaftueshme për punë e veprimtari mësimore e rekreative, kur të sigurohen kuzhina dhe kur të sigurohet buxhet i mjaftuar për rekrutimin e kuadrove të reja që do të ndihmonin në realizimin e mësimit tërëditor. Derisa nuk ndodhë kjo, SBASHK-u ishte dhe mbetet kundër idesë së MASHT-it lidhur mësimin tërëditorë. /Telegrafi/


