Rruga Prishtinë–Podujevë, Basha kërkon zbatim serioz të kontratave
Ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka zhvilluar një vizitë inspektuese në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në projektin e rrugës Prishtinë–Podujevë.
Sipas tij, pas një trajtimi të detajuar të projektit, ai së bashku me zyrtarë të administratës dhe mbikëqyrësin e punimeve kanë kaluar gjithë ditën në terren duke inspektuar të gjitha segmentet e kësaj rruge.
“Pas trajtimit të hollësishëm të projektit të rrugës Prishtinë–Podujevë, dje bashkë me zyrtarë të administratës dhe mbikëqyrësin e punimeve, gjatë gjithë ditës inspektova në terren të gjitha segmentet e këtij projekti”, ka deklaruar Basha.
Ai ka bërë të ditur se gjatë inspektimit janë takuar edhe përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë dhe ekipet e tyre të punës për të vlerësuar progresin e deritanishëm të projektit.
“Në secilin segment takuam përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë me ekipet e punës për të vlerësuar nga afër progresin e punimeve. Me këmbëngulje dhe vendosmëri kërkova afatizim konkret për çdo fazë të punës dhe rritje të kapaciteteve në terren e shtim të ritmit të punimeve”, ka theksuar ai.
Ministri Basha ka shtuar se nga operatorët ekonomikë kërkohet përkushtim maksimal për realizimin e projektit sipas standardeve dhe obligimeve kontraktuale.
“Pritjet tona janë të qarta. Do të kërkojmë seriozitet të plotë në zbatim dhe përmbushje të çdo obligimi kontraktual me përgjegjësi, kompetencë dhe cilësi maksimale”, ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Dimal Basha. /Telegrafi/


