Please enter at least 3 characters.

Rotary Club Peja siguron mbi 120 mijë euro për edukimin për paqe dhe të drejtat e njeriut

Një projekt i ri në fushën e arsimit dhe promovimit të vlerave shoqërore pritet të zbatohet në Komunën e Pejës, pasi Rotary Club Peja ka siguruar mjete financiare në vlerë prej rreth 120 mijë eurosh për realizimin e tij.

Projekti, i titulluar “Edukimi për Paqe dhe të Drejtat e Njeriut për mësuesit dhe nxënësit në Komunën e Pejës”, synon të ndikojë drejtpërdrejt në sistemin arsimor lokal, duke fuqizuar mësuesit dhe nxënësit me njohuri dhe praktika që lidhen me ndërtimin e paqes, mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Sipas njoftimit, kjo iniciativë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt promovimit të një kulture të qëndrueshme paqeje dhe tolerance, në një kohë kur edukimi cilësor dhe vlerat sociale mbeten thelbësore për zhvillimin e shoqërisë.

Projekti do të realizohet në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë klube dhe distrikte të Rotary nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët do të ofrojnë mbështetje dhe ekspertizë gjatë zbatimit.

Përmes këtij projekti, pritet që një numër i konsiderueshëm mësuesish dhe nxënësish në Komunën e Pejës të përfitojnë nga trajnime dhe aktivitete edukative që promovojnë dialogun, bashkëpunimin dhe respektin reciprok.

Rotary Club Peja, i themeluar në vitin 2005, ka realizuar një sërë projektesh me ndikim në komunitet ndër vite. Ndër projektet më të rëndësishme të fundit përmendet ai i vitit 2024 në Spitalin Rajonal të Pejës, ku përmes një investimi prej rreth 132 mijë eurosh u mundësua kalimi nga përdorimi i mazutit në energji solare.

Ky projekt përfshiu instalimin e paneleve fotovoltaike, duke kontribuar në uljen e ndotjes së ajrit, përmirësimin e kushteve për pacientët dhe stafin, si dhe rritjen e efikasitetit energjetik dhe qëndrueshmërisë financiare të institucionit. /Telegrafi/